28 Mars 2024

Përzgjedhen ofruesit e mundshëm të EPC për ndërtimin e TC Kosova e Re

Prishtinë, 3 shtator - Qeveria e Kosovës dhe ContourGlobal bashkërisht i komunikojnë rezultatet e procesit të përzgjedhjes fillestare për të siguruar Kontraktimin për Inxhinierim, Projektim, Ndërtim dhe Mirëmbajtje për Projektin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Pas shpalljes së procesit të Përzgjedhjes Fillestare në qershor, gjashtë aplikime u pranuan dhe u vlerësuan nga ContourGlobal, rezultatet e të cilave pastaj i ka njohur Qeveria e Kosovës.

Pas procesit të vlerësimit është arritur në përfundimin se katër prej këtyre gjashtë aplikantëve janë parakualifikuar, të cilët i kanë plotësuar kriteret e larta teknike dhe financiare, si dhe i kanë ofruar letrat e financimit nga institucionet financiare.

Ofertuesit e parakualifikuar për EPC-së janë: 1. CMEC; 2. Një konsorcium i përbërë nga ENKA, Mitsubishi Hitachi Power Systems dhe Técnicas Reunidas; 3. Një konsorcium i kompanive të General Electric; dhe 4. Hyundai.

Këta ofertues gjithashtu kanë ofruar furnizime me pajisje nga Doosan, General Electric, IHI, Mitsubishi Hitachi Power Systems, Rafako, Siemens dhe Toshiba, si dhe shërbime afatgjata të mirëmbajtjes nga Alstom Power Service; General Electric; KEPCO; konsorciumi i KEPS, HPS, dhe OES; dhe një konsorcium i Mitsubishi Hitachi Power Systems, ENKA dhe Técnicas Reunidas. Tani është në proces lansimi i RFP.

"Ne jemi të kënaqur që kemi tërhequr ndërtuesit më të mëdhenj të elektranave në botë për termocentralin “Kosova e Re”. Termocentrali do të përmirësojë në masë të madhe  furnizimin me energji elektrike, do të sigurojë energji më të pastër dhe do të nxisë zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke u bërë kështu instrument i një perspektive të zhvillimit të fuqishëm për ekonominë e vendit tonë. Qeveria e Kosovës dhe ContourGlobal janë të angazhuara që fillimi i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” të ndodhë në pjesën e parë të vitit 2019", ka thënë Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kurse, Joseph Brandt, themelues dhe drejtor i  ContourGlobal, ka thënë se: "Kosova e Re është vendimtare për të ardhmen e furnizimit me energji të Kosovës dhe ne jemi të kënaqur që kemi pranuar ofertat para-kualifikuese dhe financim të propozuar nga kontraktuesit më të mëdhenj dhe më të respektuar për EPC-së në nivel global".

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, më herët kishte theksuar se "Qeveria e Kosovës ka njohur nevojën për kapacitete energjetike shtesë për të përmbushur shqetësimet afatgjata të sigurisë së furnizimit në Kosovë dhe për të siguruar energjinë elektrike të domosdoshme për vendin. Si pjesë e kësaj strategjie, termocentrali “Kosova e Re” do t’i zëvendësojë njësitë aktuale të vjetruara të termocentralit “Kosova A".

Termocentrali “Kosova e Re” shënon një moment historik për ekonominë e Republikës së Kosovës dhe do të përfaqësojë investimin më të madh të huaj të drejtpërdrejtë në vend. Kjo do të përmirësojë stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, duke i dhënë fund humbjeve prej 415 milionë dollarë në vit, të shkaktuara nga furnizimi i paqëndrueshëm i energjisë në Kosovë.  

Termocentrali i ri do të rezultojë në përmirësimin në masë të madhe të cilësisë së ajrit duke reduktuar emetimet e ndotësve kryesorë dhe do të kontribuojë në përmirësimin e shëndetit të njerëzve që jetojnë dhe punojnë në atë rajon. Emetimet e pluhurit do të reduktohen me 93%, ndërsa SOx dhe NOx do të reduktohen me 85%, respektivisht 93%, duke ulur edhe CO2 me 38%.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)