28 Mars 2024

Në Kosovë fillon prodhimi i energjisë elektrike me erë

Prishtinë, 16 shkurt - Shoqëria  Aksionare “Wind Power”, e cila është kompania e parë në rajon që fillon me prodhimin e energjisë së ripërtërishme (energji me erë), sot ka zyrtarizuar fillimin e punës së saj, duke lëshuar në funksion tre impiantë (gjenerator) për prodhimin e energjisë elektrike.

Në ceremoninë e lëshimit në funksion të gjeneratorëve, në kodrën e Goleshit, kanë marrë pjesë zyrtar të lartë të Qeverisë së Kosovës, drejtues të Rregullatorit Energjik të Kosovës, pjesëtar të KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, drejtues të Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës dhe qytetar të shumtë.

Zyrtarizimi i fillimit të punës së gjeneratorëve është bërë nga ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka – Pula, dhe drejtori menaxhues i kompanisë “Wind Power” Esad Sadrija.

Ministrja Shiroka Pula ka thënë se kyçja e tre gjeneratorëve në kuadër të sektorit të energjisë është projekti i parë i këtij lloji në rajon.

“Këta janë gjeneratorët e parë të këtij lloji jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon. Qeveria së bashku me Zyrën e Rregullatorit po përgatit gjithë dokumentacionin dhe legjislacionin që ka të bëjë me mundësin e shfrytëzimit të këtyre gjeneratorëve dhe të nxisë investitorët privat që të investojnë në burimet e ripërtërishme. Inaugurimi i këtyre tre gjeneratorëve është në përputhje me strategjinë dhe politikën e qeverisë për të zhvilluar sektorin e energjisë dhe për të bërë diversifikimin e burimeve të ripërtërishme” është shprehur Justina Shiroka – Pula.

Ndërsa, drejtori menaxhues i kompanisë “Wind Power”, Esad Sadrija ka falënderuar të gjitha institucionet e Kosovës që i kanë ndihmuar në realizimin e projektit. Ai ka thënë se meritë të veçantë kanë Rregullatori i Energjisë Elektrike, Korporata Energjetike e Kosovës, Ministria e Energjisë dhe Minierave, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencionin e Pyjeve dhe Kuvendi Komunal i Fushë Kosovës.

Ai ka theksuar se gjeneratorët e lëshuar në funksion të martën kanë kapacitet të prodhimit simbolik.

“Ne jemi kosovar që kemi investuar këtu, investimi s’ka përfunduar ende se janë pikat tjera të cilat janë në fazën e investimeve. Kapaciteti momental në Golesh është 1.35 megavat, këto janë investime fillestare” ka sqaruar Sadrija.

Shoqëria Aksionare “Wind Power” është kompani shqiptaro-gjermane që ka për qëllim prodhimin e energjisë elektrike nga era, duke kontribuar kështu në ruajtjen e ambientit dhe shfrytëzimin e erërave në pjesë të caktuara të Kosovës.

Kjo kompani prodhimin e energjisë elektrike e ka filluar në kodrën e Goleshit, ku janë vendosur tre gjenerator, ndërsa në ditët në vijim gjenerator të ngjashëm do të vendosen në pika tjera, duke filluar nga Artanë, Rahovec, Ferizaj dhe Gjilan.

“Wind Power” rreth dy muaj më parë ka marrë licencën për gjenerimin e energjisë elektrike, ndërsa shumë shpejtë do të nënshkruaj kontratë të shitblerjes me Korporatën Energjetike të Kosovës. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)