19 Prill 2024

Mungesë energjie gati në gjithë Kosovën

Prishtinë, 23 janar - Muajin tjetër mbushen 10 vjet prej kur vendi shpalli pavarësinë e në verë mbushën 19 vjet nga çlirimi. Por, nëse shumëçka ka ndryshuar në Kosovë, ajo që nuk ka ndryshuar asnjëherë është mungesa e furnizimit të rregullt e stabil me energji elektrike.

Reduktimet bëhen edhe më të shpeshta sidomos gjatë stinës së dimrit. Shumë familje kosovare, alternativë të vetme për ngrohje kanë rrymën nga e cila varet edhe furnizimi me ujë e ngjitja në kate të larta.

Mungesë të furnizimit me rrymë po vërehet edhe në Prishtinë. Shumë lagje të kryeqytetit si ajo `Mati1`, mbetën për orë të tëra pa furnizim me energji elektrike. Qytetarët ankohen për këtë situatë e zyrtarët e KEK-ut e KEDS-it japin arsyetimet e tyre, raporton RTK.

Një pjesë e kryeqytetit të hënën mbeti pa rrymë për më shumë se 12 orë. Banorët e lagjes “Mati 1” në Prishtinë thonë se nuk patën energji elektrike nga ora 13:30, deri në 2:00 pas mesnate. Ndërkohë, në lagjen “Matiçan”, rryma mungoi tërë natën deri të martën në orën 12. Qytetarët ankohen se kjo situatë po ndodh për të disatën herë, sidomos gjatë dimrit.

KEDS-i deklaron se kjo gjë ka ndodhur për shkak të disa prishjeve. Përmes adresës elektronike KEDS njofton se

GRAFIKE: të hënën, rreth orës 13:30 ka ndodhur prishje në një trafo private në lagjen MATI 1 të Prishtinës. “Kjo prishje ka pasur efekt zinxhiror. Ekipet e KEDS-it kanë arritur ta sanojnë pjesën më të madhe të kësaj prishjeje vetëm rreth orës 1:00 pas mesnate. Por, dy trafo te tjera ka qenë e pamundur të kyçen, pasi prishja ishte më e komplikuar dhe mori kohë. Ajo prishje është evituar sot rreth mesditës”.

Sipas KEDS-it, prishja ka ndodhur nga mbingarkesa e këtyre trafove si pasojë e ngrohjes me energji elektrike.

Të pyetur nga RTK-ja për ndërprerjet e energjisë gjatë ditëve të tjera në tërë territorin e vendit, zyrtarë nga KEDS-i thonë se  po bëjnë maksimumin për furnizim, por janë të varur nga prodhimi prej KEK-ut.

E zyrtarë nga KEK-u thonë se ky institucion është duke përmbushur në tërësi obligimet kontraktuale që ka ndaj KEDS-it dhe KESCO-s, dhe është duke respektuar rregullat e tregut në fuqi.

Kryeministri Ramush Haradinaj, të hënën, gjatë një vizite në Obiliq, tha se nga prodhimi i energjisë në KEK, plotësohen 86% e nevojave për rrymë në vend, duke bërë që sipas tij, gjendja të konsiderohet e qëndrueshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)