19 Prill 2024

Moszbatimi i Marrëveshjes së dialogut për energji qon Kosovën në krizë energjetike

Prishtinë, 22 mars - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar sot një vizitë të anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kompaninë publike Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

Në këtë vizitë morën pjesë kryetarja e këtij komisioni Sala Berisha – Shala dhe anëtarja e komisionit Mimoza Kusari – Lila, të cilat takuan kryeshefin ekzekutiv të KOSTT-it Ilir Shala dhe përfaqësues të bordit.

Qëllimi i kësaj vizite ishte informimi i anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik lidhur me zbatimin e marrëveshjes për energji të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të Brukselit dhe çështjen e faturimit të energjisë së pjesës veriore të Kosovës. 
Deputetët kërkuan nga përfaqësuesit e KOSTT-it, informacione lidhur me progresin në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe humbjet e shtetit të Kosovës nga moszbatimi i kësaj marrëveshjeje.

Nga ana tjetër përfaqësuesit e KOSTT-it, informuan deputetet se deri më tani Kosova dhe Serbia nuk janë pajtuar për zbatimin e marrëveshjes për energji. Arsyeja e moszbatimit të marrëveshjes kanë theksuar se është refuzimi i Serbisë që të regjistrojë kompaninë e re në Kosovë “Elektro Server”, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Ata kanë njoftuar se janë raportuar vonesat tek përfaqësuesit e BE-së, të cilëve u kanë kërkuar që të ushtrojnë më shumë presion ndaj Serbisë në zbatimin e marrëveshjes.

Sipas përfaqësuesve të KOSTT-it, moszbatimi i kësaj marrëveshje po i shkakton humbje të mëdha financiare Kosovës dhe KOSTT-it në veçanti. Vetëm gjatë vitit 2017, KOSTT ka pasur humbje disa milionëshe kurse nga viti 2008 deri në vitin 2017, Serbia llogaritet që ka përfituar deri në 52 milionë euro nga shfrytëzimi i linjave të interkoneksionit të Kosovës.

Përfaqësuesit e KOSTT-it kërkuan nga deputetet që të ngrisin këtë çështje në Kuvend dhe të kërkojnë nga  Qeveria që të gjejnë sa më shpejtë një zgjidhje të qëndrueshme. Deputetet u zotuan se do të adresojnë sa më shpejtë këtë çështje në seancat e Kuvendit të Kosovës dhe do t’i kërkojnë qeverisë që këtë çështje ta trajtojë me prioritet dhe seriozitet.

Kjo vizitë u organizua në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)