20 Prill 2024

MMPH-ja ndanë grantin prej 1.2 milion euro për dhjetë komuna të Kosovës

Prishtinë, 10 janar - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot së bashku me organizatën “Let’s Do It Kosova”, kanë ndarë grantin prej 1.2 milion euro për komunat fituese të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, aksion ky i cili kishte zgjatur tre muaj.

Përfitues të këtij granti kanë qenë dhjetë komuna të Kosovë ku me nga 150 mijë euro janë shpërblyer komunat: Ferizaj, Gjakovë, Suharekë dhe Viti ndërsa me nga 100 mijë euro, komunat: Drenas, Gjilan, Prishtinë, Obiliq, Suharekë dhe Viti.

Në konferencën përmbyllëse të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, u ndanë kontejner dhe shporta për komunat: Junik, Han Elezit, Podujevë, Istog, Skenderaj, Malishevë, Pejë, Rahovec, Lipjan, Shtime, Deçan, Prizren e Mitrovicë.

Gjatë kësaj ceremonie, ministri Matoshi tha se fushata “Ta pastrojmë Kosovën” ka qenë ndër fushatat më të suksesshme për pastrimin e mjedisit.

“ Gjatë kësaj fushate të pastrimit janë larguar mbi 900 deponi ilegale të mbeturinave, që nënkupton një mjedis më të pastër, më pak ndotje e rrezik për sëmundje të ndryshme. Janë aktivizuar mijëra qytetarë për të pastruar hapësirat ku jetojnë e veprojnë”, deklaroi ministri Matoshi.

Matoshi falënderoi përfaqësuesit e komunave të Kosovës për angazhimin e tyre në krijimin e zonave të gjelbra, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për ndihmë në largimin e deponive të ngurta përmes makinerive të rënda dhe gjithë aktivistët që kanë marrë pjesë në këtë aksion gjithëpërfshirës.

I pari i MMPH-së, Matoshi tha se puna e institucioneve të Kosovës nuk do të ndalet për të përmirësuar mjedisin për qytetarët e vendit.

“ Për të arritur një qëndrueshmëri të kësaj fushate dhe zhvillim të qëndrueshëm bashkë me GIZ-in gjerman për tri vite 2020-2022 do të investojmë në formë grantesh për komuna në vlerë prej 7 milion euro në fushën e mbeturinave. Po ashtu tani jemi në fazën finale të hartimit të strategjisë së integruar për menaxhimin e mbeturinave dhe po ashtu jemi duke zbatuar Udhëzimin Administrativ për ndëshkime me Gjoba Mandatore”, theksoi Matoshi.

Ndërsa kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj kërkoi mobilizim institucional për një Kosovë të pastër.

“Duhet të jemi të mobilizuar për një Kosovë të pastër, për një Kosovë Eko dhe mund ta bëjmë. E kanë bërë edhe vende të tjera”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa Luan Hasanaj nga “Let’s Do It Kosova” tha se angazhimi i të gjithëve në aksionin tre mujor për pastrimin e mjedisit ka kontribuar që Kosova të bëhet vend më i mirë për të jetuar.

Gjatë kësaj konference përmbyllëse u nda mirënjohje edhe për vullnetarët e aksionit “Ta pastrojmë Kosovën” dhe përfaqësuesit e kompanive publike dhe private për kontributin e dhënë gjatë këtyre muajve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)