23 Tetor 2019

Mitrovica u bë lider në përvetësimin e sistemit për energji stabile dhe të sigurt

Mitrovicë, 19 qershor - "Sa mirë të bashkohemi në Mitrovicë për një vepër të tillë, për një vepër ekonomike, një vepër në energji, kur jemi të vetëdijshëm të gjithë sa e rëndësishme dhe sa vitale është energjia jo vetëm për jetën, për ekonominë, por edhe për sigurinë", kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij para të pranishmëve me rastin e përurimit të projektit prej 5.4 milionë euro “Ndërtimi i nënstacionit 110/10 (20) kV Ilirida dhe linjës nëntokësore transmetuese 110 kV”, në Mitrovicë.

Kryeministri Haradinaj tha se kjo vepër i dedikohet energjisë, i dedikohet shërbimit me energji për konsumatorë, një vepër që ka munguar, por që e rregullon dhe stabilizon gjendjen e furnizimit me energji për 50 vjetët e ardhshme.

Duke falënderuar drejtorin e BERZh-it për Kosovë, kryeministri Haradinaj theksoi se ky është një partneritet, kredi e butë, partneritet mes KOSTT dhe BERZh për këto investime në Mitrovicë, në Drenas dhe investime tjera në nivel vendi.

"Energjia është me rëndësi për jetën në radhë të parë, për konsumatorët qofshin ata në jug apo në veri, apo në cilëndo anë të këtij nënstacioni. Është me rëndësi për ekonominë në tërësi, por edhe për sigurinë", tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se energjia është një prej fushave të veprimtarisë ekonomike që i kushtohet rëndësi në nivel global, sepse ka ndikim direkt edhe në siguri, dhe kësisoj vendet që avancojnë në infrastrukturë dhe në energji janë vende stabile.

Më tej kryeministri Haradinaj tha se çdo vend që është stabil është kontribut që ndihmon në stabilitetin e të tjerëve, ndërsa një vend që nuk është stabil në energji për vetveten mund të kthehet në problem për gjithë të tjerët dhe mund të shkaktojë vështirësi dhe çrregullime.

"Kosova i ka të gjithë parametrat me qenë vend stabil në energji, me pas prodhim të qëndrueshëm të energjisë dhe për këtë arsye projekti i Kosovës së Re, investimi në Termocentralin e ri është jetik për Kosovën, sepse ne jemi të bazuar për energji të qëndrueshme në thëngjill", tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar Kosova i ka hapur perspektivë energjisë së ripërtritshme dhe së shpejti në këtë rajon do të ketë një projekt shumë të rëndësishëm të investimit në energji të ripërtritshme dhe nuk do të ndalemi.

“Nuk mund ta lëmë Kosovën pa burim të qëndrueshëm të prodhimit të energjisë, në këtë rast pa “Kosovën e Re” dhe do të punojmë së bashku që ta realizojmë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se të gjithë jemi njerëz të kësaj toke dhe në Kosovë të gjithë janë në shtëpinë e tyre, shqiptarët shumicë, serbë, komunitete tjera. Por, siç tha kryeministri, ekzistojnë rregulla për të gjithë pa dallim në gjithë botën, jo vetëm për shqiptarët, jo vetëm për serbët, amerikanët, gjermanët, produktet që i merr i paguan, pra është në interesin e të gjithëve që të paguhen produktet që i merr konsumatori, është në interesin e të gjithëve që të vendoset rregull në treg, në ketë rast të paguhen faturat e energjisë elektrike në veri, të paguhet uji, mbeturinat.

“Janë detyra elementare të qytetarëve dhe shoqërive normale. Askush nuk do të fitoj nga një çrregullim në treg dhe ne e kërkojmë të drejtën tonë si Kosovë, të vendosim rregull në tregun e energjisë, të japim kontributin tonë në tregun rajonal, por edhe të jemi anëtarë i barabartë jo vetëm i transmetuesve të lartë, por të jemi të barabartë me gjithë partnerët në energji. Kjo është legjitime dhe shpresojë në përkrahjen e gjithë partnerëve”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar SHBA-në dhe Gjermaninë për një kujdes të vazhdueshëm për temat që kanë të bëjnë me tregun e energjisë,  rregullimin e tij dhe përkrahjen që japin institucioneve tona, në këtë rast KOSTT,ZRRE, KEK por edhe KEDS dhe gjithë akterëve.

“Mitrovicë, qytetarë të kësaj treve urime ky nënstacion, urime 50 vjet furnizim me energji stabile dhe të qëndrueshme”, tha kryeministri Haradinaj.

Nga një fjalë mbajtën kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri dhe kryeshefi i KOSTT, Ilir Shala.

Një nënstacion i tillë sot është përuruar edhe në Komunën e Drenasit, investim prej 6.7 milionë euro. Nënstacionet janë ndërtuar duke përdorur teknologjinë më moderne GIS.

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 tetor 2019 - Mbahet konferenca më e madhe në rajon në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit Tech Festivalitn KosICT8. (Ambientet e “Kino Armatës” dhe në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti”, ora 9:30)

- Komuna e Prizrenit mban mbledhjen e radhës te Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, e thirrur nga kryetari, Mytaher Haskuka. (Ndërtesa e Kuvendit të Komunës, Shtëpia e Bardhë, ora 10:00) 

- Zëvendësshefi i Zyrës së BE/PSBE, Riccardo Serri, do të vizitojë Qendrën Mësimore në Fushe Kosove, që është pjesë e projektit të financuar nga BE i cili synon të sigurojë prospekte më të mira për arsim për fëmijët dhe të rinjtë rom, ashkali dhe egjiptian. (Qendra Mësimore në Lagjen 29 në Fushë Kosovë, afër stacionit të trenave, qendra Fidan Lahi, ora 10:00) 

- Për nder të jubileut të 10-vjetorit të punës së Gjykatës Kushtetuese do të mbahet konferenca ndërkombëtare në temën “Sigurimi i sundimit të ligjit dhe i të drejtave të njeriut përmes mekanizmave të drejtësisë kushtetuese: Sfidat e shekullit 21”. (Hotel Emerald, ora 10:00)

- Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit bnë prezantimin e studimit të radhës brenda serisë së studimeve rreth fazes finale të dialogut Kosovë - Serbi për Pretendimet e Serbisë mbi ‘Investimet’ në Kosovë nga Ndërmarrjet Shoqërore Serbe pas Vitit 1999 në Kontekstin e Marrëveshjes Eventuale Ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (Hotel Sirius, ora 10:15)

- KEDS organizon aktivitetin me rastin e Javës Evropiane për Siguri dhe Shëndet në Punë. (Qendra e Trajnimit ngjitur me Parkun e Biznesit në Drenas, ora 10:30)

- Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur organizon aktivitetin e shënimit të themelimit të qendrës për karrierë në Shkollën e Mesme të Lartë Profesionale “Shtjefën Gjeçovi”. (Objekti i SH.M.L.P “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, ora 10:30)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, do të vizitojë Shkollën Fillore të Mesme të Ulët "Fehmi Agani" në Gjakovë Prizren ku do të takoj drejtorin e kësaj shkolle, për të parë procesin e zhvillimit të Garës Nacionale në Sport dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik. (Objekti i shkollës në Gjakovë, ora 11:00)

- SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë organizojnë ceremoninë e hapjes zyrtare të projektit “Fuqizimi dhe aftësimi i të rinjëve përmes mundësive të reja – YEEP!”. (Hotel Emerald, ora 11:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, do të vizitojë Shkollën e Mesme të Lartë "Gjon Buzuku" në Prizren ku do të takoj drejtorin e kësaj shkolle, për të parë procesin e zhvillimit të Garës Nacionale në Sport dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik. (Objekti i shkollës në Prizren, ora 13:00)

- Rrjeti i Grave të Kosovës organizon konferencë për media për të shpallur zyrtarisht përfituesit e granteve të Fondit të Grave të Kosovës me shumën prej 66,429.50 euro. (Hotel Sirius, ora 14:00)

- Në kuadër të panairit ndërkombëtar të Agrobiznesit dhe Ushqimit mbahen takimet B2B me bizneset e Malit te Zi. (Salla 1 Tetori, ora 14:00)