19 Mars 2024

Miratohet Programi për zbatimin e Strategjisë së Energjisë 2018-2020

Prishtinë, 17 korrik - Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Programin për zbatimin e Strategjisë së Energjisë 2018-2020.

Programi është dokument i cili ka identifikuar aktivitetet dhe projektet për zbatimin  e Strategjisë së miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si dhe afatet kohore për zbatimin e tyre.

Programi siguron edhe krijimin e kushteve për sigurim të furnizimit të besueshëm dhe të sigurt me energji elektrike përmes zhvillimit të kapaciteteve prodhuese, transmetuese dhe shpërndarëse sipas kërkesave në rritje të konsumatorëve.

Zbatimi i këtij programi lidhet edhe me aktivitetet e rëndësishme për fillimin e ndërtimit të termocentralit te ri “Kosova e Re”, rehabilitimin e termocentralit “Kosova B”, krijimi i tregut të përbashkët energjetik me Republikën e Shqipërisë, etj.

Në mbledhje është aprovuar edhe vendimi për zbatimin e vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për masa të përkohshme mbrojtëse në importin e pemëve dhe perimeve vendore dhe për importin e qumështit me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina. Vendimet do të fillojnë së aplikuari  nga dita e miratimit të tyre nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Është aprovuar edhe vendimi për formimin e grupit punues ndërministror për koordinimin e punës së të gjitha ministrive kompetente në lidhje me legjislacionin teknik, i cili është përgjegjës për zbatimin e detyrave që dalin nga lëvizja e lirë e mallrave në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Kosovës.

Përmes grupit të punës, ministritë kompetente do të shkëmbejnë informacion për rregullat në lidhje me miratimin dhe zbatimin e rregulloreve teknike bazuar në rregullat e BE-së për harmonizim, rregullat në lidhje me miratimin dhe zbatimin e rregulloreve teknike në fushat që nuk janë rregulluar me rregullat e BE-së për harmonizim, mirëmbajtjen e regjistrit sipas Ligjit për Kërkesat Teknike Për Produkte Dhe Vlerësim të Konformitetit, dhe shkëmbimin e informacionit përkatës dhe notifikimin e rregulloreve teknike në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kabineti qeveritar ka miratuar tri kërkesa të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, në bazë të kërkesave të komunave përkatëse për tërheqjen nga procesi i privatizimit të pronave të paluajtshme, për nevojat zhvillimore të komunave:

- Në Komunën e Prizrenit tërheqja e pronës  së ish-Ndërmarrjes Shoqërore “Kino Bistrica” dhe të Ekonomisë Pyjore dhe kthimi i tyre në pronësi të komunës;

- Në Komunën e Klinës tërheqjen nga procesi i privatizimit të pronave të ish-Ndërmarrjes Shoqërore “KBI Malishgani” dhe të kompanisë Boksitet e Kosovës dhe kthimi i tyre ne pronësi të komunës;

- Në Komunën e Malishevës për tërheqjen nga procesi i privatizimit të pronave të ish-Ndërmarrjes Shoqërore “OPB Mirusha dhe kthimi i tyre ne pronësi të komunës.

Me propozim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, është aprovuar vendimi për dhënien e autorizimit për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave për studentë në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë.

Marrëveshja ka të bëjë me projektin e përbashkët zhvillimor në mbështetje të përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës për zbatimin e reformave në sektorin e arsimit të lartë. Ministria merr përsipër të financojë disa bursa në periudhën dyvjeçare, sipas marrëveshjes dypalëshe, ndërsa Ambasada e Francës do të financojë bursa dhe sigurojë fonde për studentë të përzgjedhur nga Kosova që do të studiojnë në Francë.

Edhe Koncept dokumenti për fushën e turizmit ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Disa nga arsyet për ndërhyrje në politikat e turizmit në Kosovë janë evidentuar nga ky Koncept dokument; përdorim i burimeve natyrore dhe kulturore, përdorimi i hapësirës së përbashkët ekonomike dhe sociale, mbrojtja e konsumatorit të shërbimeve turistike, ekonomia e turizmit mbështetet kryesisht te NVM-të, turizmi është një veprimtari që ndikon në shumë sektorë të veprimtarive ekonomike.

Qeveria ka miratuar Raportin për gjendjen ne Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2017, të përgatitur nga Ministria e Administratës Publike. Raporti do të përcillet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

Është aprovuar propozimi i Grupit Punues Teknik për vazhdimin e punës për kryerjen e hulumtimeve për Minierën e Re.

Qeveria ka emëruar Arbër Tarakun udhëheqës të Projektit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve Endacakë. I emëruari do të kryej të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë  për mbikëqyrjen e projektit “Menaxhimi dhe Kontrolli i Qenve Endacakë”. 

Në këtë mbledhje të Qeverisë, Kryeministri Haradinaj ka informuar Kabinetin Qeveritarë për udhëtimin e delegacionit kosovarë, përfaqësuesit e institucioneve të vendit në takimin e nesërm në Bruksel.

Kryeministri Haradinaj gjithashtu ka informuar kabinetin qeveritarë për pranimin e peticionit prej 124 mijë nënshkrimeve nga nxënësit, prindërit dhe mësuesit për arsim më cilësorë në vend. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)