26 Janar 2022

Ministri Aliu të ndërpresë fushatën denigruese ndaj aktivistes Shpresa Loshaj

Prishtinë, 3 dhjetor - Ne, të poshtëshënuarit, kundërshtojmë fushatën denigruese të ministrit Liburn Aliu ndaj aktivistes Shpresa Loshaj dhe shprehim indinjatën tonë të thellë për ndërhyrjen e tij në lirinë e shprehjes dhe aktivizmin në Kosovë. 

Më 22 nëntor 2021, Ministria e Mjedisit publikoi në faqen e saj në “Facebook” një tekst përmes së cilit njoftonte se është përpiluar një 'koncept dokument' për restaurimin e “Zallit të Rupës”. Të njëjtën ditë, znj. Loshaj publikoi një reagim përmes së cilit ngriti shqetësime serioze për qasjen e ministrisë ndaj restaurimit të kësaj zone, kritikoi ministrin Aliu për mungesë të transparencës dhe për vazhdimin e politikave të njëjta të qeverive të kaluara karshi mjedisit. 

Më 24 nëntor, z. Aliu organizoi konferencë për shtyp me të cilën lansoi fushatë denigruese kundër znj. Loshaj. Duke e shënjestruar atë me emër dhe mbiemër, ai akuzoi znj. Loshaj për shpifje, i kërkoi asaj që të tregojë ‘kujdes’ përpara se të flasë dhe i mbajti ligjëratë në distancë se me cilat kauza do të duhej të merrej ajo. Fushatën dengiruese ndaj saj ministri Aliu e vazhdoi edhe në emisionin “Rubikon” të transmetuar një ditë pas konferencës. Kjo fushatë u vazhdua edhe nga zyrtarë të tjerë të Ministrisë, siç ishte rasti i këshilltarit të ministrit Lulzim Bauman, i cili lansoi akuza të ngjashme përmes komenteve në profilin online të znj. Loshaj. 

Deklaratat e ministrit Aliu janë nënçmuese, përbuzëse dhe kërcënuese dhe kanë për qëllim të ulin kredibilitetin e znj. Loshaj në sytë e publikut, frikësimin e saj si dhe heshtjen e kritikës ndaj Ministrisë për vendimet që merr. ‘Udhëzimet’ e një Ministri se me çfarë duhet të merret një aktiviste janë ndërhyrje e shtetit në të drejtën e qytetarëve për t'u angazhuar lirshëm në temat që i konsiderojnë me interes të përgjithshëm. Ministri Aliu, është politikan i fuqishëm, njëri ndër njerëzit më të votuar në vend dhe flet nga pozita e tij si drejtues i Ministrisë së Mjedisit. Është shqetësuese që ai shfrytëzon pushtetin e tij dhe resurset e shtetit për të organizuar konferenca shtypi për frikësimin e aktivistëve të shoqërisë civile, me të cilët kishte bashkëpunuar ngushtë përpara se të vinte në pushtet. 

Konsiderojmë se shënjestrimi i znj. Loshaj nga ministri Aliu është ndërhyrje e shtetit në aktivizmin qytetar dhe cenim i lirisë së shprehjes. Fushata ndaj znj. Loshaj është fushatë ndaj të gjithë aktivistëve dhe aktivisteve në Deçan dhe Kosovë dhe pjesëtarëve tjerë të shoqërisë civile, të cilët kanë guximin që të përfshihen në kauza të ndjeshme me interes të përgjithshëm për të kontribuar në përmirësimin e mjedisit dhe jetës në Kosovë.  

Znj. Loshaj është aktiviste e mirënjohur për mbrojtjen e mjedisit, puna e saj dhe e aktivistëve të tjerë ka bërë që degradimit të natyrës në Deçan t’i ndalet hovi, gjë për të cilën ajo është shpërblyer me katër çmime. 

Kërkojmë nga ministri Aliu që të tregojë nivel të lartë të tolerancës ndaj kritikës, të përmbahet nga deklarata të tilla në të ardhmen, të ndalojë fushatën denigruese ndaj znj. Loshaj dhe të punojë me transparencë të plotë dhe të mbrojë interesin e publikut.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 27 janar 2022

- Kuvendi Komunal i Gjilanit mban seancën e radhes. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit organizon homazhe dhe nderime për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi, të rënë në Brestoc me 27 janar 1990. (Brestoc, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancën e jashtëzakonshme në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)

- Komuniteti Bektashian i Kosovës Gjyshata Gjakovë organizon ngjarjen përkujtimore për një vjetorin e kalimit nga jeta të ish-Kryetarit të Komunitetit Bektashian të Kosovës, Baba Mumin Lama si dhe 47 vjetorin e kalimit nga jeta të Baba Musa Himaduna, njëkohësisht rivarrimin e tij në tyrben e baballarëve bektashian në Gjakovë. (Ambientet e Teqesë Bektashiane në Gjakovë pranë “Hani i Haraçisë”, ora 11:00)
 
- Komuna e Rahovecit organizon manifestimin përkujtimor e kulturor për dëshmorët e kombit: Nesimi Elshani, Agron Fetahu, Halim Hoti dhe Hilmi Krasniqi. (Salla e Kuvendit Komunal në Rahovec, ora 11:00)

- Me rastin e 30 vjetorit të Shtëpive-Shkolla, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama së bashku me ekipin e tij, do ta vizitoj Muzeun “Shtëpitë-Shkolla” te familja Hertica, shtëpi këto që u shndërruan në shkolla në periudhën e rezistencës mbarë popullore kundër regjimit serb. (Kodra e Trimave, ora 12:00)

- Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë organizon ngjarjen kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila këtë vit i kushtohet shkrimtarit, veprimtarit politik, laureatit të Çmimit Nobel për Paqe dhe të mbijetuarit të Holokaustit, Elie Wiesel.  (Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë, ora 12:00)

- Institutit për Politika Zhvillimore mban konferencën lidhur me situatën energjetike në vend. (Zyret e INDEP, ora 14:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 15:00)