18 Prill 2024

Mbahen aksione pastrimi në Fushë Kosovë dhe te “Tregu i Gjelbër” në Prishtinë

Prishtinë, 12 dhjetor - Në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” sot janë pastruar katër lokacione në tri aksione të ndara të pastrimit, në të cilat u bashkuan qindra vullnetarë.

Në lagjen Kalabria të kryeqytetit po vazhdon pastrimi i brezit rrugor me eskavatorë në të dy anët e rrugës nga Kompania “Erofomis Renonova”, të cilën Let’s Do It e falendëron për ofrimin e makinerisë.

Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj tha se kjo lagje fatkeqësisht është shndërruar në deponi ilegale mbeturinash.

“Jemi në Kalabri, në një nga lagjet periferike të kryeqytetit, që fatkeqësisht është shndërruar në deponi ilegale mbeturinash. Shohim që ndërtues të papërgjegjshëm edhe këtu e kanë shndërruar në një vend deponim të mbetjeve të tyre ndërtimore dhe e keqja tjetër është që edhe inspektorët edhe institucionet nuk kanë ndërmarrë asgjë që t’i pengojnë. Jemi ardhë këtu që ta pastrojmë këtë lokacion dhe kërkojmë përgjegjësi dhe llogari prej atyre që janë të obliguar ta ruajnë këtë lokacion”, ka thënë Hasanaj.

Hasanaj ka kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin masa për parandalimin e ndotjes, duke gjobitur ndotësit.

“Pamje si këto ka akoma rrugëve të Kosovës, kryesisht brezave rrugore dhe apelojmë tek ndërmarrjet të cilat janë të kontraktuara për t’i pastruar këto që ta bëjnë punën e tyre. Ne jemi në fund të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën” dhe do mundohemi të kërkojmë që sa më shumë të pastrohen këto deponi. Por, konsideroj që institucionet lokale ta bëjnë punën e tyre dhe t’i gjobisin ata që po krijojnë këto situata”, shtoi Hasanaj.

Vullnetarët sot pastruan edhe një deponi tjetër në Prishtinë.

Te rrethi i njohur si “Të Ismeti” vullnetarët e Let’s Do It mblodhën mbi 50 thasë me mbeturina.

Koordinatori i Let’s Do It, Valton Karaxhiu kërkoi nga Komuna e Prishtinës dhe nga qytetarët që të mirëmbajnë hapësirat që u pastruan sot.

“Ky është vendkalimi që e lidhë Mitrovicën me Prishtinën. Përafërsisht janë dhjetëra thasë me mbeturina që i kemi grumbulluar. Si duket këtu kryesisht kalimtarët, bizneset hedhin mbeturina, por në anën tjetër si duket Komuna e Prishtinës nuk bën asnjë veprim me mirëmbajt. I bëjmë ftesë Komunës dhe qytetarëve që ta mirëmbajnë këtë hapësirë pasi që e kemi pastruar ne”, ka thënë Karaxhiu.

Sot, aksione pastrimi pati edhe në Fushë Kosovë.

Aksioni u realizua në bashkëpunim me nxënësit e Shkollës së Mesme “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë, ku përveç hapësirave përreth shkollës, u pastrua edhe rruga deri te Parku i Qytetit si dhe hapësira Brenda Parkut.

Aksionit në Fushë Kosovë iu bashkuan 200 nxënës, ndërsa u larguan mbi 150 thasë me mbeturina.

Drejtori i Shkollës së Mesme “Hivzi Sylejmani”, Amir Pllana ka shprehur përkushtimin e tij për angazhim në çështjet mjedisore, siç është organizimi i aksioneve të përbashkëta me nxënësit si ky sot.  

Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën” do të vazhdojë deri më 15 dhjetor, e cila do të rezultojë me pastrimin e 800 deponive ilegale të mbeturinave në tërë Kosovën.

Natyrisht që sfiduese do të jetë mirëmbajtja e hapësirave të pastruara tashmë, andaj përveç vetëdijes së qytetarëve, kërkojmë që edhe institucionet të vazhdojnë me gjobitjen e ndotësve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)