18 Nëntor 2019

Matoshi kërkon Kosova që të mos përjashtohet nga fondet mjedisore

Lubjanë, 9 nëntor - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi, me ftesë të Ministrit Slloven të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Simon Zajc, po qëndron në Bled, për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Ekonomia Qarkore në Rajon”.

Në kuadër të kësaj konference Ministri Matoshi ka zhvilluar takim bilateral me Ministrin Zajc, të cilin e ka falënderuar për ftesën dhe mundësinë që i është krijuar Republikës së Kosovës që të jetë e barabartë në nismën e re regjionale për ekonominë qarkore. 

“Kjo nismë për rajonin tonë do të ishte e pranueshme dhe e mirëpritur që të drejtohej nga Sllovenia”, ka deklaruar Matoshi.

Ai ka falënderuar shtetin slloven për mbështetjen që po i jep vendit tonë dhe kërkoi  ministri slloven që të ushtrojë ndikimin që Republika e Kosovës të jetë përfituese e fondeve mjedisore që ndahen nga programet e Kombeve të Bashkuara.

Në këtë konferencë ku po marrin pjesë shumë shtete të ndryshme të BE-së dhe ballkanit, Ministri Matoshi ishte folës në njërin nga panelet e organizuara.

“Republika e Kosovës është e gatshme dhe e përgjegjshme që të jap koontributin e vet në nismat rajonale për ekonominë qarkore dhe për një mjedis sa më të pastër, por kërkojmë që të mos përjashtohemi nga fondet që ndërlidhen me mjedisin e sidomos nga ato që janë në programet e OKB-së. Çështjet e pazgjidhura politike nuk duhet të jenë pengesë për këtë. Përjashtimi i një vendi nga këto fonde nuk sjell rezultat as në vendet fqinje sepse ajri i ndotur, ujërat e ndotura nuk njohin kufijë”, ka thënë Ministri Matoshi.

Ministri Matoshi foli edhe për të arriturat dhe sfidat që ka Republika e Kosovës në çështjet mjedisore, si në menaxhimin e mbeturinave, ujërat e zeza, ndotjen e ajrit, rezervat ujore, përafrimin e legjislacionit me BE-në dhe çështje të tjera.

Gjatë konferencës Ministri Matoshi ka takuar edhe ish komisionerin për mjedis në BE dhe tani bashkëkryesues në UNEP, Janez Potocnik, Profesorin, Jeffrey Herrick nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë, si dhe shumë ministra, zëvendësministra e zyrtarë të lartë të ministrive të mjedisit nga vende të ndryshme të Evropës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 nëntor 2019

- Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media në të cilën do të prezentojë hulumtimin rreth opinionit të bizneseve për marrëveshjen Kosovë-Serbi. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 9:00)

- Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU! me përkrahjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës përmes Programit Matra organizon tryezë në të cilën do të publikohet raporti me titull Qasja në Drejtësi. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Qendra e Inovacionit të Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizojnë ceremoninë e hapjes së Javës Globale të Ndërmarrësisë 2019 në Kosovë. (Menza "Ramiz Sadiku" në Prishtinë, ora 10:00)

- Grupi Tematik për të Drejtat e Fëmijëve në Shëndetësi në kuadër të Koalicionit te OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve organizon konferencën për media në te cilën do të prezantojë një dokumet me të dhëna dhe rekomandime për mbrojtjen e ambientit në Kosovë. (Qendra e Resurseve për OSHC, Forumi për Iniciativa Qytetare në Lagjen Pejton, ora 10:00) 

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it do të organizojë tryezë me titull “Pandëshkueshmëria e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit organizon prezantimin e studimit per Çështjen e Kompleksit të Trepçës dhe Çështjen e Reparacioneve për Krimet e Luftës të kryera në Kosovë në Kontekstin e ‘Finales së Madhe’ eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me PPSE Swisscontact dhe SHB Sharri përuron shtegun turistik të ri Via Ferrata "Panorama". (Gryka e Lumbardhit, 4.5 km nga qendra e qytetit, ora 11:00 - transporti i organizuar nga Komuna e Prizrenit, nisja nga Shtëpia e Bardhë, ora 10:30)

- Në kuadër të aktivitet kulturor kushtuar "Ditet e Alfabetit", promovohet botimi 'Levizja Protestante te shqiptaret 1818-1908" te autorit prof. dr. David Hosaflook. (Biblioteka Kombetare "Pjeter Bogdani", ora 10:30)

- Muzeu Kombëtar i Kosovës hap ekspozitën “Bienalen e Akuarelit Edicioni i 2-të” e cila sjellë vepra arti të artisëve nga 70 vende të botës me rreth 380 piktura. (Muzeu Kombëtar, ora 19:00)

 

- Në kuadër të projektit ' Tell Me More' të perkrahur nga MKRS dhe DKRS dhe të implementuar nga Kuvendi i të Rinjve të Prizrenit do të realizohet shfaqja teatrale në Shtepinë e Kulturës " Xhemajli Berisha ". (Shtëpia e Kulturës në Prizren, ora 20:00)