07 Korrik 2020

Masat e ngrohta të ajrit nga Afrika do të jenë prezent mbi Kosovë

Prishtinë, 29 qershor - Në parashikimin e motit për pesë ditët e ardhshme, Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka bërë të ditur se masat e ngrohta të ajrit me origjinë nga Afrika do të jenë prezent mbi vendin tonë, duke krijuar kushte për mot të nxehtë dhe me vapë.

IHK thekson se në fushat termike do të ketë rritje në të dy ekstremet.

Nga dita e enjte parashihet të ketë zhvillim të vranësirave dhe kushte për reshje shiu të cilat lokalisht do të jenë intensive, afatshkurta të shoqëruara me stuhi dhe shkarkime rrufesh.

Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 13-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 29-34 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi deri 1-9 m/s.

Kushtet biometeorologjike nuk do të jenë të favorshme për një shtresë të popullatës të cilët kanë sëmundje kronike, pasi që indeksi UV do të jetë ekstrem i lartë, prandaj këshillohet që në intervalet kohore nga 10-17 mundësisht të jemi sa më të kufizuar nga rrezet e diellit ose të përdorim masa mbrojtëse.

Kushtet agrometeorologjike do të jenë të mira, për shkak të insolacionit të gjatë dhe reshjeve të fundit që u regjistruan sidomos në rrafshin e Kosovës.

Sa i përket vijës bregdetare në Shqipëri, temperaturat do të jenë të larta për këtë fillim korriku, meqë parashihen që ato të lëvizin ndërmjet 32-35 gradë në veri, deri 38 gradë në jug.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 7 Korrik 2020

- Dr. Basri Sejdiu do të mbajë konferencë për media lidhur me vendimin e Bordit Drejtues për shkarkimin nga detyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK. (QKUK, ora 11:00)

- Ministri i Drejtësisë Selim Selimi do të vizitoje Komunën e Prishtinës. (Ndërtesa e Komunës së Prishtinës, ora 11:00)

- Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi do të mbaj takim me Ministren e financave, znj. Hikmete Bajrami me të cilën do të bisedoj lidhur me pagesën e pagave të  punëtorëve nga pakoja emergjente, tërheqjen e mjeteve për punëtorë nga fondi i kursimeve si dhe eliminimin e gabimeve teknikeve gjatë  aplikimit për pakon fiskale emergjente. (Kabineti i ministres Bajrami, ora 11:00)

- Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi pas takimit me Ministren e financave, znj. Hikmete Bajrami do të mbaj konferencë për shtyp, ku do të ju njoftojë lidhur me këtë takim. (Zyret e Sindikatës në objektin e ish Gërmisë, ora 11:45)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media në të cilën flet nënkryetari Besnik Bislimi. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 12:00)

- Me hapjen e ekspozitës multimediale në hapësirat e SENSE Qendrës në Pulë, Qendra për Drejtësi Tranzicionale në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë nisin kampanjën me titull: Srebrenica 25: Së bashku kundër virusit të mohimit në ditën kur në vitin 1995 ka rënë Srebrenica. (Transmetim direkt livestream http://srebrenica.sensecentar.org, ora 17:00)

- Komuna e Rahovecit mban dëgjim publik me banorët të fshatrave Malësi e Vogël dhe Gexhë. (Objekti i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Skender Kastrati” në fshatin Malësi e Vogël, ora 19:00)

- Komuna e Rahovecit mban dëgjim publik me banorët të fshatrave Ratkoc, Dejnë, Vrajak dhe Bratotin. (Objekti i Shkollës  Fillore të Mesme të Ulët “4 Dëshmorët” në fshatin Ratkoc, ora 20:00)