20 Prill 2024

Kuvendi i Kosovës miratoi Strategjinë e Energjisë 2017-2026

Prishtinë, 27 janar - Kuvendi i Republikës së Kosovës, dje ka miratuar Strategjinë e Energjisë 2017 – 2026, një ndër dokumentet më të rëndësishme, që përcakton kahet e zhvillimit të këtij sektori.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, duke prezantuar para deputetëve këtë dokument, tha se Strategjia e Energjisë synon krijimin e një sektori të zhvilluar të energjisë, të padëmshëm për mjedisin dhe shëndetin, në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenies shoqërore në Kosovë në kuadër të një tregu të lirë dhe konkurrues të energjisë.

Sipas tij, arritja e këtij synimi është bazuar në 5 objektiva strategjike: 1. Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike dhe me kapacitete të nevojshme për një sistem stabil të energjisë elektrike; 2. Integrimi në Tregun Rajonal të Energjisë; 3. Rritja e kapaciteteve ekzistuese të sistemeve termike dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja; 4. Zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyror; 5. Plotësimi i caqeve dhe obligimeve në efiçiencë të energjisë, burime të ripërtëritshme të energjisë dhe mbrojtje të mjedisit.

Më tej, Ministri Lluka duke prezantuar elementet kryesore të këtij dokumenti theksoi se siguria e furnizimit të qëndrueshëm, të besueshëm dhe të pandërprerë me energji elektrike është si kusht për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Sipas kësaj strategjie, Qeveria do të vazhdojë të përkrah projektin e ndërtimit e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet neto 450 MW me investime të sektorit privat në kuadër të partneritetit publik-privat dhe vazhdimin e punës të kapaciteteve aktuale gjeneruese, respektivisht rehabilitimi i tyre deri në ndërtimin e kapaciteteve të reja, pa cenuar furnizimin e ngrohtores Termokos.

Kreu i MZHE-së nënvizoi synon krijimin e politikave të mbështetjes për investitorët nëpërmjet aplikimit të praktikave më të mira në rajon të aplikimit të skemave mbështetëse për nxitjen e prodhimit të energjisë elektrike nga BRE-të dhe në këtë linjë parasheh që brenda kësaj periudhe të kemi diku 400 Megavat nga burimet e ripërtëritshme.

Një prioritet tjetër në këtë sektor, është edhe integrimi në tregun rajonal të energjisë, që ndikon në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji, po ashtu reflekton zotimet ne kuadër te agjendës se interkonektivitetit te vendeve te Ballkanit perëndimorë.

Elementë të rëndësishme të këtij dokumenti janë edhe rritja e masave të Efiçiencës së Energjisë; zgjerimi i sistemeve ekzistuese të energjisë termike; zhvillimin e te gjitha parakushteve për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror dhe trajtimi i komuniteteve të prekura nga aktivitetet e prodhimit të energjisë elektrike.

Ndryshe, bazuar në politikat e BE-së për zhvillimin e sektorit të energjisë në të ardhmen kjo Strategji ka identifikuar nevojën e studimeve për sektorin e energjisë që përfshinë periudhën deri në vitin 2040 të cilat do të zhvillohen gjatë periudhës së trevjeçarit të parë.





 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)