20 Tetor 2021

KOSTT vlerëson partneritetin e vazhdueshëm me Bankën Gjermane për Zhvillim

Prishtinë, 12 tetor - Në kuadër të bashkëpunimit dhe partneritetit të vazhdueshëm me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW), u.d.Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT Kadri Kadriu me bashkëpunëtorë, pritën në takim delegacionin e KfW në krye me Pablo Obrador, udhëheqës i Divizionit të Energjisë dhe Transportit në Evropën Juglindore dhe Turqi, René Eschemann, drejtor i zyrës së KfW për Kosovë dhe Maqedoninë Veriore si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të këtij institucioni.

Në këtë takim z.Kadriu njoftoi të pranishmit rreth gjendjes aktuale dhe funksionimit të Sistemit të Transmetimit të Republikës së Kosovës në kuadër të Bllokut Rregullues të sistemeve energjetike Shqipëri-Kosovë (Blloku AK).

Delegacionet e KOSTT dhe KfW gjithashtu diskutuan edhe për zhvillimin dhe avansimin e mëtutjeshëm të Sistemit të Transmetimit të Kosovës në shërbim të rritjes së sigurisë së furnizimit, plotësimit të kritereve teknike për anëtarësimin e KOSTT në ENTSO-E si dhe integrimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë (BRE) në rrjet, si një proces i rëndësishëm në kuadër të diversifikimit të burimeve të energjisë dhe në funksion të tranzicionit energjetik vendor dhe global.

Nga ana e tij, z.Obrador komplementoi KOSTT-in për menaxhimin e suksesshëm teknik të procesit të pavarësimit dhe fillimit të operimit të pavarur në kuadër të Bllokut AK, zona sinkrone e Evropës Kontinentale të ENTSO-E si dhe shprehu kënaqësinë për jetësimin e projektit të bashkëfinancuar me Qeverinë Gjermane përmes KfW të linjës interkonektive 400 kV Shqipëri-Kosovë. “KOSTT ndër vite ka dëshmuar se është partner i besueshëm i KfW dhe ne kemi interesim për të vazhduar bashkëpunimin e mëtutjeshëm”, theksoi z.Obrador.

Në kuadër të vlerësimit të partneritetit shumëvjeçar në mes të KOSTT dhe KfW, bashkëpunimit dhe mbështetjes së përhershme, u.d.Kryeshefi i KOSTT Kadri Kadriu dorëzoi mirënjohje për Bankën Gjermane për Zhvillim KfW.

Me këtë rast Kadriu u shpreh “Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë Gjermane përmes KfW në procese të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar KOSTT."

"Besoj në vazhdimësinë e partneritetit tonë si një model i bashkëpunimit të suksesshëm gjermano-kosovar."

"Ne jemi të përkushtuar për të zhvilluar dhe modernizuar në vazhdimësi Sistemin e Transmetimit të energjisë elektrike si hallkë kyçe në zingjirin e sigurisë së furnizimit në vend dhe të ndërlidhur fuqishëm në rrjetin rajonal dhe atë evropian të energjisë elektrike” theksoi Kadriu.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 Tetor 2021  - Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, vizitojnë ndërmarrjen “Trepça”. (Zyra e menaxhmentit të “Trepçës”, Parku Industrial, ora 8:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin Vjetor Financiar te Bankës Qendrore, Fondit të Kursimeve Pensionale, raportin e Qeverisë për Buxhetin e së Kosovës dhe Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e dhjetë e Komiteti për Politik dhe Financa e Komunës së Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli. (Hotel Opera në Prishtinë, ora 11:00)

- Rektori i Universitetit të Prishtinës Naser Sahiti dhe Dimitrija Sekovski, përfaqësues i SKAT Consulting nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për implementimin e programit studimor Master në Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë. (Rektorati i UP-së, ora 11:00)

- Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve mjedisor ju ftojnë në konferencën për media, ku do të njoftoheni me zhvillimet e fundit që ndërlidhen me paditë për shpifje të ushtruara kundër aktivistëve Shpresa Loshajt dhe Adriatik Gacaferi, nga kompania Kelkos si dhe operimet e kësaj kompanie në Deçan. (Para objektit të Qeverisë ish-Rilinjda, ora 13:00)

- Baleti Kombëtar i Kosovës mban konferencë për medie me rastin e Premierës së shfaqjes “Tanzminiaturen” & “Tangata” me koreografi nga Ricardo Fernando.  (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 13:00)