18 Prill 2024

Kosova zhvillon aftësinë e saj teknike për kontroll të cilësisë së ajrit

Prishtinë, 11 qershor - Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA)* është duke mbështetur Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) përmes projektit “Projekti i zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës”.

Qëllimi i projektit është përmirësimi i kapaciteteve të MMPH-së dhe organizatave dhe agjencive të saj përkatëse për menaxhimin e ndotësve të dëmshëm të ajrit, duke kontribuar kështu në planifikimin dhe zbatimin e masave më efikase për zvogëlimin e emisioneve në ajër për mbrojtjen e shëndetit publik dhe zhvillimin e politikave të lidhura me menaxhimin mjedisor në Kosovë.

Sot si pjesë e zbatimit të projektit do të mbahet ceremonia e dorëzim-pranimit të pajisjeve teknike për matjen e cilësisë së ajrit tek Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) në hapësirat e IHMK-së. Ndër të tjerë, në ceremoni do të marrin pjesë Fatmir Matoshi, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor; Daisaku Sugihara, Këshilltar, Ambasada e Japonisë për Kosovë; dhe Takashi Hibino, Zëvendës Përgjegjës Kryesor i zyrës së JICA-s për Ballkanin.

Projekti ka siguruar pothuajse 100 lloje të pajisjeve esenciale për matjen e gazit të shkarkuar dhe matjen e cilësisë së ajrit, dhe tani është e gatshme t'i dorëzojë ato tek MMPH-ja.

Në të kaluarën, kur IHMK-ja kishte mungesë të shumicës nga këto pajisje, nuk kishte asnjë mundësi për t’i matur ndotjet nga të ashtuquajturat burime stacionare (fabrikat). Fabrikat e mëdha duhej të kontraktonin kompani të huaja për t’i matur nivelet e emisioneve të tyre ose nuk bënin matje fare, kështu që me kapacitet të vetin nuk kishin mundësi që ta kuptonin nivelin e emisioneve të tyre.

Megjithatë, nëpërmjet Trajnimit-në-Punë me ekipin e projektit të JICA-s, IHMK-ja dhe KEK-u ndërtuan kapacitetin e tyre për t’i shfrytëzuar pajisjet e tilla dhe për t’i matur vetë nivelet e emisioneve të tyre.

Fabrikat në Kosovë, të cilat më parë nuk e kanë ditur nivelin e saktë të emisioneve të tyre, tani mund të marrin të dhëna empirike për sa i përket emisioneve të tyre.

Si rezultat, Kosova është në gjendje të marrë të dhëna empirike për vete për herë të parë. Të dhënat e marra duke përdorur këto pajisje, do t'i mundësojnë Kosovës që bazuar në të dhëna teknike të gjykojë nëse cilësia e ajrit i tejkalon vlerat e kufirit të emisioneve apo jo.

Tani Kosova është në gjendje të matë nivelin e vetë të cilësisë së ajrit karshi standardeve mjedisore të BE-së. Për më tepër, duke iu referuar të dhënave të veta, KEK-u pritet të jetë në gjendje të kryejë Përmirësime në Operim në TC Kosova A dhe B duke kërkuar opsionin me më pak emisione.  

Bashkëpunimi teknik i JICA-s "Projekti për zhvillimin e kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit" do të zgjasë nga tetori 2017 deri në mars 2020 me buxhet të përgjithshëm prej rreth 3.6 milion Euro (45.081.000 JY).

Projekti synon ta zhvillojë kapacitetin e institucioneve të Kosovës për kontrollin e ndotjes së ajrit dhe menaxhimin e cilësisë së ajrit bazuar në të dhëna teknike.

Zbatimi i këtij projekti do të kontribuojë në përmirësimin e kontrollit të cilësisë së ajrit duke mbledhur të dhëna të sakta bazuar në hulumtime përmes matjes së emisioneve, monitorimit dhe mbledhjes aktuale të të dhënave në terren, me qëllim të studimit të masave për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë.

Projekti gjithashtu ka rivitalizuar ICP-MS, i cili mundëson matjen e metaleve të rënda në ajër dhe Jon Kromatografin për ta analizuar cilësinë e ajrit, duke përfshirë SOx dhe NOx. Këto instrumente mund të aplikohen gjithashtu për analizën e cilësisë së ujit. Për më tepër, këto pajisje mundësojnë vlerësimin e saktë të cilësisë së ajrit dhe ujit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)