20 Gusht 2019

Kërkohet përdorimi i mekanizmave ligjorë kundër projektit TC “Kosova e Re”

Prishtinë, 13 maj - Organizatat Jo-qeveritare kosovare dhe ndërkombëtare kanë plasuar sot zyrtarisht një ankesë zyrtare tek Komuniteti i Energjisë, përkatësisht tek mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve duke sfiduar ligjshmërinë e marrëveshjes së blerjes së energjisë për projektin energjetik të planifikuar i bazuar në thëngjill Kosova e Re, i cili aktualisht është në pritje të ratifikimit nga parlamenti i Kosovës.
    
Në ankesë thuhet se marrëveshja 20 vjeçare e blerjes së energjisë, e nënshkruar nga qeveria kosovare me ContourGlobal në dhjetor 2017, nuk arrin të respektojë rregullat e Traktatit të Komunitetit të Energjisë për ndihmën shtetërore, sepse i ofron ContourGlobal-it një mori përfitimesh që i japin një avantazh të padrejtë ndaj prodhuesve të tjerë të energjisë.
    
Kontrata gjithashtu do të vendoste një barrë të padurueshme mbi buxhetin e shtetit dhe konsumatorët kosovarë të energjisë elektrike, pasi që ajo garanton që një kompani shtetërore do të blejë të gjithë energjinë e prodhuar nga ContourGlobal me një "çmim të synuar" prej 80 euro/MWh - shumë më i lartë sesa çmimet aktuale të energjisë elektrike në rajon.
    
Për më shumë, kur energjia elektrike nuk është e nevojshme, shteti ende garanton një "pagesë të disponueshmërisë" ndaj kompanisë dhe është zotuar që të paguajë edhe tarifat e rrjetit ContourGlobal-it, ta rimbursojë atë për një marrëveshje “merr ose paguaj” që ajo nënshkroi me kompaninë shtetërore që ka nën pronësi minieren e linjitit dhe të ofroj tokën për termocentralin kompanisë për një shumë simbolike prej 10 eurosh.

"80 euro/MWh do të ishte mjaft keq, por me të gjitha këto tarifa shtesë, askush nuk duket se e di se sa gjithë kjo do të përfundojë duke i kushtuar konsumatorëve dhe taksapaguesve. Shumë njerëz në Kosovë nuk mund të paguajnë faturat e tyre të energjisë elektrike madje tani, kështu që nuk ka gjasë që ata t'i absorbojnë këto rritje. Shteti do të përfundojë duke zbrazur buxhetin e tij të tanishëm modest në xhepat e ContourGlobal ", shpjegon Visar Azemi nga Balkan Green Foundation.
    
“Të themi se qeveria kosovare ka bërë një gabim të tmerrshëm do të ishte një nënvlerësim", shtoi Pippa Gallop nga CEE Bankwatch Network. "Çfarëdo që i bëri ata të nënshkruajnë këtë kontratë absurde, tani u takon parlamentarëve të Kosovës, publikut kosovar dhe organeve ndërkombëtare si Komuniteti i Energjisë dhe Komisioni Europian për të siguruar që ajo të mos ratifikohet, për hirë të konsumatorëve dhe taksapaguesve të Kosovës."

"Pjesa më e dhimbshme është se pothuajse një e treta e energjisë elektrike të Kosovës humbet nga sistemi i shpërndarjes për shkak të humbjeve teknike dhe mospagimit të faturave, kështu që prioritet duhet të jetë rregullimi i kësaj dhe rritja e pjesës së burimeve të ripërtëritshme të energjisë, jo hedhja e parave të cilat ne nuk i kemi tek edhe një tjetër termocentral me thëngjill", përfundoi Agron Demi.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)