20 Gusht 2019

Kërkohet angazhim më i madh nga Kompanitë Regjionale të Mbeturinave

Prishtinë, 13 maj - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, është takuar me anëtarët e Pamkos-it, Asociacion i Kompanive Regjionale të Mbeturinave të Republikës së Kosovës në kuadër të së cilës hyjnë KRM “ Pastrimi”- Prishtinë, KRM “Ambienti”- Pejë, KRM “ Ekoregjioni”- Prizren, KRM “ Çabrati”- Gjakovë, KRM “Ecohigjiena”- Gjilan, KRM “Pastërtia”- Ferizaj dhe KRM “Uniteti” – Mitrovicë.

Gjatë këtij takimi, ministri Matoshi dhe anëtarët e Pamkos-it, kanë diskutuar për sfidat që kanë kompanitë regjionale të mbeturinat si ato teknike ashtu edhe ligjore, dhe zgjedhjen e tyre përmes institucioneve të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast ministri Matoshi ofroi mbështetje për këto kompani aksionare, duke i vlerësuar si partnerët kryesor të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“ Kompanitë që ju drejtoni janë të rëndësishme për ministrinë që e drejtoj dhe vendin tonë. E di që keni sfida dhe bashkërisht do të mundohemi që t’i tejkalojmë. Për t’i kaluar këto sfida, unë propozoj ta bëjmë një grup punues të përbashkët dhe t’i hedhim në letër gjitha kërkesat tuaja”, tha ministri Matoshi.

I pari i MMPH-së, po ashtu kërkoi nga përfaqësuesit e Kompanive Regjionale të Mbeturinave që t’i evidentojnë dhe raportojnë keqpërdoruesit e mjedisit si dhe të shikohet mundësia përmes komunave që  përfaqësuesit e tyre të kenë të drejtë të japin gjoba mandatore për ata që hedhin mbeturina në vende të palejuara.

Ministri Matoshi, tregoi për veprimet që janë ndërmarrë në menaxhimin e mbeturinave nga MMPH-ja.

“ Ne e kemi pasur aksionin ‘Ta pastrojmë Kosovën’, i cili aksion ka pasur qëllim që të arrihet një vetëdijesim tek qytetarëve për hedhje të mbeturinave në vende të palejueshme dhe besoj që ja kemi arritur. Si ministri e kemi një grand prej 7 milion euro, ku 3.5 janë nga MMPH-ja dhe 3.5 nga GIZ-i Gjerman për menaxhim të mbeturinave.  Po ashtu tash së fundmi kemi ndarë kontejner për komuna. Kemi pasur po ashtu edhe një grant nga JICA Japoneze për shpërndarje të kamionëve”, tregoi ministri Matoshi.

Ndër tjerash ministri Matoshi tregoi se MMPH-ja është në proces të procedurave ligjore të Strategjisë për Menaxhim të Mbeturina si dhe ka miratuar Udhëzimin për Gjoba Mandatore që do t’i kontribuoj një mjedisi pa mbeturina.

Ndërsa anëtarët e Pamkos-it, gjatë këtij takimi kanë treguar për sfidat që hasin Kompanitë Regjionale të Mbeturinave të Republikës së Kosovës, duke filluar borxhet e akumuluara, mungesa e pajisjeve të reja për grumbullim të mbeturinave, kamata e ndëshkimit nga ATK-ja, deponitë ilegale dhe sfidat në menaxhimin e mbeturinave.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)