19 Nëntor 2019

KEK-u investon miliona euro në projektet e ambientit

Prishtinë, 28 tetor - Me qëllim të rritjes së kujdesit për ambientin në Korporatën Energjetike të Kosovës do të investohen edhe disa milionë euro.

Janë 76 milionë euro që do të shkojnë në ndërrimin e elektrofiltrave të Termocentralin Kosova B.

Me përfundimin e projektit për ndërrimin e elektrofiltrave, KEK-u nga viti 2021 do të operoj me standarde të Bashkimit Evropian.

Ky projekt do të financohet nga fondet e IPA-s, përderisa Zyra e BE-së është në fazën përmbyllëse të projektit sa i përket pjesës administrative.

Drejtori i Termocentralit Kosova B, Luigj Imeri, ka thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm si për banorët ashtu edhe për vet korporatën.

"Sipas parashikimeve tona, ky projekt do të filloj pas 6 muajve nëse shkon gjithçka në rregull. Përfundimi i projektit është në dy faza, e para është në njësinë B1, e cila përfundon rreth 15 dhjetorit të vitit 2020 dhe faza e dytë është ajo e njësisë B2, e cila do të përfundoj në vitin 2021."

"Ky projekt është shumë i rëndësishëm për vendin mbi të gjitha për popullatën që jeton këtu, por edhe për vet KEK-un. Ky termocentral, pas implementimit të këtij projekti do të operoj sipas standardeve të BE-së", ka thënë Imeri.

Banorët e fshatit Hade të cilët jetojnë afër KEK-ut, thonë se investimet e bëra nga KEK-u, kanë ndikuar dukshëm në përmirësimin e ndotjes, që njëherësh kanë ndikuar për një jetë më të mirë.

"Në krahasim me gjendjen siç ka qenë para luftës apo menjëherë pasluftës, ka ndryshime më të mira. Me investimet e KEK-ut që i ka bërë në filtra. Ka përmirësime më të mira. Si banorë, kërkojmë nga KEK-u që të vazhdoj me punë dhe të përmirësoj më shume gjendjen e ambientit sipas standardeve të BE-së."

"Kërkojmë nga Qeveria që të na bëjë një zgjidhje pasi kjo pjesë ka mbetur si geto dhe nuk ka kushte për jetesë. Ne presim zhvendosjen e komplet fshatit. Këtu nuk kanë mbetur shumë banorë, ata që kanë mbetur fëmijët i dërgojnë në shkollë me vetura private, prandaj gjysma e fshatit janë zhvendosur në Obiliq", deklaroi Valton Preniqi banor i fshatit Hade.

Zyrtarë të KEK-ut thonë se për të përmirësuar gjendjen e vështirë të trashëguar pas luftës, kanë realizuar një numër projektesh për përmirësime në ambient.

"Si një ndërmarrje me rëndësi të veçantë për vendin, Korporata Energjetike e Kosovës në objektiv të vazhdueshëm ka edhe komponentën ambientale. Në këtë drejtim KEK-u ka përfunduar një cikël investimesh në disa projekte, por do t’i përmendi vetëm tri prej tyre, siç janë, ndërrimi i elektrofiltrave të Temocentralit Kosova A, transporti hidraulik i hirit, i cili më nuk bëhet përmes trakave, por përmes gypave me përzierje, një litër ujë-një hi dhe mbulimi i një kodre prej 250 hektarësh me hi, e trashëguar që nga paralufta."

"Përndryshe, sa i përket tymit të përmendur ditëve të fundit, kjo ndodh në të gjitha termocentralet edhe në termocentralet e tona është proces teknik, i cili është i pashmangshëm në rastet kur ristartohet blloku, përndryshe kjo ndodh 3-4 orë derisa të hynë në funksion djegia e thëngjillit", ka thënë Skender Bucolli, Drejtor në Zyrën për media të KEK-ut.

Vlera totale e investimeve të KEK-ut në përmirësimin e ambientit gjatë 10 viteve të fundit ka arritur në 60 milionë euro.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 nëntor 2019 - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës organizon konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë me titull: “Rreziqet dhe mundësitë në një sektor financiar dinamik-rruga zhvillimore”, që do të mbahet në kuadër të shënimit të 20 vjetorit të themelimit të BQK-së. (Hotel Swiss Diamond, ora 8:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në shënimin e 20 vjetorit të themelimit të BQK-së. (Hoteli Swiss Diamond, ora 9:00)

- Punëtorët teknik të qendrës studentore, punëtorët teknik të disa shkollave që menaxhohen nga komuna e Prishtinës, punëtorë teknik të Universitetit të Prishtinës, punëtorë të sigurimit fizik të UP-së dhe QMF-ve, punëtorët teknik të disa shkollave në Gjilan do të ndalin punën e tyre në shenjë pakënaqësie për pagën e tyre të ulët. (Protesta mbahet ne vendete e tyre te punës, ora 10:00)

- Komuna e Rahovecit mban mbledhjen e njëmbëdhjetë e rregullt e Komiteti për Politik dhe Financa. (Objekti i Komunës së Rahovecit, ora 10:00)

- Zyra e BE-së në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës do të organizojë një vizitë në Gjykatën Themelore në Prishtinë në të cilën do të diskutojë për zhvillimet dhe arritjet në operacionalizimin dhe digjitalizimin e bazës kombëtare të të dhënave të evidencës penale, e zbatuar nga Sistemi qendror kombëtar i evidencës penale. (Gjykata Themelore e Prishtinës, ora 10:15)

- Mbahet ceremonia e ndërrimit të komandës në mes të Komandantit në largim të KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’addario dhe Komandantit në ardhje të KFOR-it, gjeneralmajor Michele Risi. (Kampi i Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it Film City, ora 10:30 - mediet duhet të arrijnë tek Porta kryesore e Kampit Film City jo më vonë se ora 9:30)

- Presidenti Thaçi dhe Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, merr pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it. (Film City, ora 10:25)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe Zëvendësdrejtori i Fondi Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang mbajnë konferencë për media. (Swis Diamand Hotel, ora 10:45)

- Zyra e UNICEF-it në Kosovë do të mbajë aktivitet me fëmijët në kuadër të shënimit te 30 vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës. (Sheshin “Zahir Pajaziti”, ora 14:00)

- Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pret në takim ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Lorenzo Guerini. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Forumi për Iniciativa Qytetare FIQ organizon publikimin e analizës së Legjislacionit të Kosovës lidhur me Filantropinë dhe OJQ-të, me autor Qerkin Berisha. (Zyret e FIQ, Resource Center në Pejton, ora 14:00)

- Ambasadorja e Francës, Marie-Christine organizon pritje ku do të dekorojë znj.Blerta Zeqiri, ''Kalorëse në Urdhrin e Artit dhe Letërsisë''. (Rezidenca e Francës, ora 18:30)

- HANDIKOS organizon ceremoninë e hapjes së  ekspozitës me fotografi  “EmbraceMe-Kosovo”, me portrete nga jeta e nëntë personave nga Kosova, të punuara nga fotografja holandeze Karin Brongers. (Shtëpia e Evropës, ora 19:00)