19 Prill 2024

KEDS keqpërdorë nevojën për rritje të kapaciteteve prodhuese

Prishtinë, 5 tetor - Disa organizata prodhuese po ankohen se kompania KEDS po keqpërdorë nevojën e tyre për rritje të kapaciteteve prodhuese, duke kërkuar çmime jashtë çdo logjike.

 Ata thonë se vetëm për dhënien e pëlqimit për shtim të kapaciteteve, KEDS kërkon mbi 1 mijë e 500 euro, kurse për ekzekutimin e punimeve mbi 10 mijë euro. Ndërkohë zyrtarë të KEDS-it thonë se akuzat nuk qëndrojnë.

Tri organizata prodhuese në fshatin Llugaxhi të Lipjanit, kërkojnë rritjen e kapaciteteve prodhuese. Përfaqësuesi i tyre, Mehdi Bresilla, thotë se për të arritur këtë kanë nevojë për rritjen e kapacitetit të trafos, nga 100 kW në 250 kW. Por, sipas tij, vetëm për marrjen e pëlqimit nga Keds, duhet të paguajnë një shumë të konsiderueshme të parave.

“Tash jemi të detyruar edhe kemi bërë 1,534 euro vetëm për pëlqim, sepse ka me dalë një njeri për ta verifikuar gjendjen. Në vend se infrastrukturën për energji të na ofrojnë ata, sepse nuk na falin, ne e paguajmë rrymën”, thotë ai.

Bresilla thotë se para privatizimit të distribucionit, ishin interesuar se sa kushtonte rritja e kapaciteteve të trafos.

“Punëkryesi para privatizimit na pat thënë se ky ndryshim mund të jetë 3,000-3,500 euro, se e marrim trafon e vjetër prapë dhe e fusim në funksion, edhe ta sjellim trafon me kapacitet më të madh”, sqaron Bresilla.

Ndërkohë, KEDS-i tani për punën e njëjtë kërkon shumëfish mjete, potencon Bresilla.

“Tash i njëjti punë-kryes, por edhe të gjithë punë-kryesit e tjerë që e kryejnë atë punë thonë se këto pajisje më nuk hyjnë në funksion. Ato pajisje kanë mund të jenë italiane, gjermane, kroate, thonë ato më nuk hyjnë në funksion, sepse po na kushtëzon kompania KEDS që t’i ketë pajisjet e veta. Edhe tash ajo vlerë nuk është më 3,000-3,500 euro, ajo vlerë ka mbërri në 10 mijë euro (10,800). Ua thashë na jepni me shkrim, nuk e japin.”

Por këto akuza nuk i pranon KEDS. Zëdhënësi Viktor Buzhala, përmes përgjigjes me shkrim, ka thënë se çmimet e taksave të kyçjes për kapacitete të reja për njësi (kW) nuk kanë ndryshuar, janë të njëjtat tarifa që janë aplikuar edhe para privatizimit, në vitin 2005.

“Taksa e kyçjes varet direkt nga kapaciteti i kërkuar në kW. Sa i përket i çështjes se kush duhet të investojë për kapacitete të reja, sipas legjislacionit në fuqi, investitori duhet të bëjë investimet përkatëse për rritje të kapaciteteve ekzistuese. KEDS do të investojë vetëm për nevoja të konsumatorëve ekzistues”, thotë Buzhala.

Në përgjigjeje po ashtu thuhet se KEDS nuk faturon për shërbimet e përgatitjes së Pëlqimit Elektro-Energjetik (PEE), pra, nuk ka asnjë ngarkesë shtesë për inspektimet e kryera nga KEDS. Sa i përket çështjes së çmimeve të pajisjeve elektrike, kjo nuk është në kompetencën e KEDS-it, ato çmime i përcakton tregu i lirë dhe investitori është i lirë të sigurojë ofertat më të favorshme nga kompanitë që merren me ekzekutimin e punëve elektrike, sipas standardeve IEC.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)