19 Prill 2024

Haradinaj premton zgjidhje të shpejtë për banorët e Hades dhe Shipitullës

Obiliq, 12 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, iu ka premtuar banorëve të fshatrave Hade dhe Shipitullë  dhe organeve komunale të Obiliqit zgjidhje shumë të shpejtë të problemit me të cilin ballafaqohen tash e një kohë të gjatë.

Kryeministri Haradinaj kërkoi nga banorët që të hartojnë një listë prioritetesh të kërkesave për punësim dhe çështje tjera që janë të ndërlidhura me zhvendosjen e tyre.

Ai ka ftuar menaxhmentin e KEK-ut, sindikatën dhe banorët e Shipitullës që në orët e mbrëmjes, përkatësisht në orën 20:00 për një takim të përbashkët për të biseduar për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Arsyeja pse po veprojmë kështu është sepse është abuzuar me kohën. Sikur do të kishte procedura të zakonshme do të ishte e pakuptimtë t’i kërkojmë njëri-tjetrit një procedurë të tillë, por meqë është abuzuar dhe është humbur aq shumë kohë, atëherë duhet të marrim masa direkte për të gjetur zgjidhje”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se për zgjidhjen e kësaj situate nuk do të ketë kompromis me askënd.

Gjatë qëndrimit në KEK, kryeministri Haradinaj është njoftuar nga menaxhmenti për sfidat dhe objektivat e KEK-ut në përgjithësi, me theks të veçantë rreth zhvillimeve të fundit sa i përket zhvendosjes së banorëve të fshatrave Hade dhe Shipitullë.

“Energjia është interes jetik i çdo vendi, por edhe situata në KEK nuk është në rregull. Kur e them këtë nuk flas vetëm për menaxhim, por rasti i Shipitullës që zgjat me vjet tregon se diçka është duke ngecur. Ne duhet të gjejmë se cilat janë ato ngecje, ku është gabimi, ku është mungesa, por nuk mundemi që në këto tema të shkojmë në pakufi”, tha ai.

Kryeministri premtoi se do të përcjellë në çdo hap punën që po bëhet në këtë korporatë, që është gjeneruesi kryesor i energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.

Pas vizitës në KEK, kryeministri Haradinaj ka vizituar Komunën e Obiliqit dhe është pritur nga kryetari i Komunës, Xhafer Gashi me bashkëpunëtorë, si dhe është takuar me banorët e fshatrave Hade dhe Shipitullë, në objektin e Kuvendit Komunal të kësaj komune.

Kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi, shprehu besimin për implementimin e Ligjit për Obiliqin, në mënyrë që t’u kthehet dinjiteti qytetarëve të kësaj komune.

Kryeministri Haradinaj, gjatë bashkëbisedimit me banorët e këtyre fshatrave tha se gjithë ata që kanë detyra e nuk i kryejnë ato, do të japin llogari.

“Nuk do të mund të qëndrojë në këmbë askush që nuk i kryen punët për të cilat është i ngarkuar t’i kryej. Nuk e them këtë vetëm që të shfaqem i guximshëm, por sepse është shpenzuar koha për të cilën është dashur të punohet”, tha kryeministri Haradinaj, duke premtuar po ashtu zbatimin e ligjit për Komunën e Obiliqit dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen banorët e kësaj zone.

Në këtë vizitë me kryeministrin Haradinaj ishte edhe zëvendëskryeministri Dalibor Jevtiq, ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka dhe ministrja e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)