18 Korrik 2018

Gjermania i dhuron Kosovës mbi 5 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave

Prishtinë, 15 maj - Qeveria e Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, e përfaqësuar nga Banka Zhvillimore Gjermane (KfW), kanë nënshkruar sot dy Marrëveshje Grant për projektet “Programi i Menaxhimit të Mbeturinave të Ngurta”, në vlerë prej 4 milionë euro dhe ”Shërbime Profesionale të Pranuesit në Kuadrin e Programit II të Menaxhimit të Mbeturinave”, në vlerë prej 1.466 milionë euro.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave Bedri Hamza dhe drejtori i Departamentit të Infrastrukturës Komunale për Evropën Juglindore dhe Turqi në KfW Kirk Mildner, ndërsa pjesëmarrës ishte edhe zëvendësambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë Jan Axel Voss.

Me këtë rast, ministri Bedri Hamza theksoi se bashkëpunimi me Qeverinë Gjermane ka prodhuar shumë projekte të cilat kanë përmirësuar ndjeshëm jetën e qytetarëve të Kosovës.

“Padyshim që sektori i ambientit është sektori i radhës ku do të investojmë pasi që nevojat janë jashtëzakonisht të mëdha në nivel lokal dhe qendror”, shtoi Ministri Hamza.

Ai bëri të ditur se Ministria, të cilën e drejton vazhdimisht është duke punuar së bashku me donatorë dhe Institucione Financiare Ndërkombëtare për të gjetur financim për realizimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

“Këto investime, është e domosdoshme që ti bashkërendojmë edhe me rritjen e vetëdijes sonë si qytetarë për ruajtjen më të madhe të ambientit. Për mua sot është kënaqësi e veçantë, nënshkrimi i dy marrëveshjeve për sektorin e ambientit. Fjala është për dy projekte për Mbeturina të Ngurta, respektivisht: 1.46 milionë euro përdoren për studim fizibiliteti për identifikim të nevojave për investime shtesë në deponitë nacionale të mbeturinave dhe        4 milionë euro do të përdoren për masa investive për disa komuna të Kosovës të cilat përmes një konkursi nga GIZ-i kanë dalë fituese”, shtoi Ministri Hamza.

Ai gjithashtu bëri të ditur se “Komunat do të përfitojnë kontejnerë të llojeve të ndryshme për grumbullim dhe seleksionim, makineri dhe pajisje të tjera për ofrimin e shërbimeve të menaxhimit të mbetjeve të ngurta, pajisjet për pastrimin e rrugëve, materialet dhe pajisjet për përmirësimin e operimit dhe mirëmbajtjes, shërbime këshilluese të drejtuara kah planifikimi dhe zbatimi i masave të lartpërmendura”.

“Andaj, falënderoj shumë Qeverinë Gjermane, Bankën Gjermane për Zhvillim dhe GIZ-in, si dhe stafin e Ministrisë së Financave për mbështetjen në këtë projekt dhe projektet në sektorë tjerë. Pa ndihmën tuaj, shumë nga to nuk do të mund të realizoheshin”, shtoi Ministri Hamza.

Ministri Bedri Hamza gjithashtu bëri të ditur se që nga fillimi i mandatit të tij janë nënshkruar 72.4 milionë euro grante (para falë) dhe me marrëveshjet e sotme kjo mbërrin shumën prej 78 milionë eurove, për çka shprehi respektin dhe konsideratën më të madhe për partnerët dhe përkrahësit tanë.

Sekretarja e parë e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë Anja Becky, shprehi vlerësimin më të lartë me rastin e nënshkrimit të këtyre dy marrëveshjeve shumë të rëndësishme, ku sipas saj Qeveria Gjermane është krenare që i ofron këto grante sektorit të mbeturinave të ngurta në Kosovë.

“Javën e kaluar Republika Federale e Gjermanisë me disa aktivitete shënoi 10 vitet e  marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës. Megjithatë, bashkëpunimi për zhvillim filloi shumë më herët dhe vitin e ardhshëm do të festojë 20 vitet e bashkëpunimit dhe nga pikëpamja jonë ky bashkëpunim ka qenë shumë i suksesshëm. Gjatë kësaj periudhe Gjermania me donatorë të tjerë kanë mbështetur shumë projekte në infrastrukturën komunale. Me një angazhim të fuqishëm është arritur një progres i madh në sektorin e Ujit dhe Ujërave të Zeza. Mbeturinat e ngurta janë sektori ku mungon një zhvillim përkatës dhe duhet të zhvillohen me tutje”, shtoi znj. Becky.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se sot janë nënshkruar dy projekte me qëllim parandalimin e degradimit të mëtejshëm të mjedisit dhe përmirësimin e sektorit të mbeturinave.

“Një projekt i dedikohet studimit për deponitë. Studimi ka për qëllim të elaborojë pasuritë e Kompanisë së Menaxhimit të Deponive të Kosovës KLMC, kushtet aktuale dhe zgjidhjet potenciale të ardhshme. Me këtë studim ne jemi duke synuar për të identifikuar nevojat e menjëhershme për të investuar."

"Gjermania tashmë ka ndarë fonde të zotuara për të investuar në deponitë pasi të përfundojë studimi. Projekti i dytë është një shembull i mirë i bashkëpunimit financiar dhe teknik nga Qeveria Gjermane. Ky projekt do të sigurojë pajisje për të përmirësuar shërbimet në sektorin e mbeturinave për 16 komuna dhe 5 ndërmarrjeve të mbeturinave të ngurta” shtoi znj.Becky.

Ndërsa, drejtori i Departamentit të Infrastrukturës Komunale për Evropën Juglindore dhe Turqi në KfW Kirk Mildner, duke falënderuar Ministrin Hamza për angazhimin dhe bashkëpunimin e tij tha se ka nderin për të nënshkruar këto dy marrëveshje shumë të rëndësishme.

“Këto Marrëveshje janë dëshmi të një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm të cilën e gëzojmë me miqtë tanë nga Qeveria e Kosovës. Në të kaluarën kemi arritur shumë, në veçanti në sektorin e ujit dhe të ujërave të zeza ku kemi investuar më shumë se 150 milionë euro në përmirësimin e furnizimit me ujë dhe ujërave të zeza. Dëshmi për këtë është furnizimi tanimë me ujë për 24 orë në Prishtinë gjë e cila ka munguar në të kaluarën, dhe kjo dëshmon punën e mundimshme të Qeverisë, Kompanive të Ujit dhe qytetarëve të Prishtinës” shtoi z. Mildner. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Korrik 2018  - Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema nesër do të vizitojë studentët të cilët do t’i nënshtrohen provimit pranues në Universitetin e Prishtinës. (Kampusi i UP-së, ora 9:00)

- Bëhet nënshkrimi i kontratave dhe shpërndarja e tyre për të rinjtë përfitues të shpalljes së fundit nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për Edukim Jo-Formal. (Kabineti i ministrit Kujtim Gashi. ora 10:00)

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Kryetari Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi do të mbajë një konferencë për media në të cilën do të prezantohet raporti gjashtë mujor i Gjykatës Themelore të Gjilanit, së bashku me Degët e saja. (Objekti i Gjykatës Themelore të Gjilanit, ora 13:00)

- Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi viziton kompaninë “Albi Group”. (Albi Mall, Veternik, ora 13:00)  

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim organizon aksionin për avancimet akademike në Universitetin e Prishtinës. (Para Rektoratit, ora 14:00)

- Kosova 2.0 organizon një bisedë tëshkurtër me temën “diaspora” për të njohur realitetet komplekse dhe shumë-shtresore të kosovarëve qëjetojnë jashtë shtetit. (Innovation Centre Kosovo, ora 18:00)