20 Prill 2024

Ekonomitë e G7 mund të humbasin 'triliona' shkaku i ndryshimeve klimatike

Londër, 9 qershor - Vendet më të pasura të botës do të duhet të ndërmarrin "veprime dramatike" kundër ndryshimeve klimatike, pasi dështimi për ta bërë këtë do t'u kushtojë atyre një humbje prej 8.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në vit deri në vitin 2050, paralajmëroi organizata bamirëse "Oxfam" me bazë në Britani të Madhe.

Kjo shifër është ekuivalente me 4.8 trilionë dollarë, sipas analizës së kërkimit të "Oxfam" nga Instituti zviceran "Swiss Re".

Studimi erdhi përpara Samitit të G7 në Cornwall të Britanisë. Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara apo G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja.

"U bëjmë thirrje udhëheqësve të G7, të cilët u takuan në Britani më vonë këtë javë, që të ulin emetimet e karbonit më shpejt dhe në mënyrë të ndjeshme", paralajmëroi organizata bamirësie ndërkombëtare.

"Oxfam" tha se kjo humbje në PBB është dyfishi i asaj që shkaktoi pandemia, e cila bëri që ekonomitë e të njëjtave 7 vende të ulen me 4.2 për qind mesatarisht.

Studimi hulumtoi se si ndryshimet klimatike do të ndikonin në vendet përmes rreziqeve klimatike graduale, kronike si stresi i nxehtësisë, ndikimet në shëndet, ngritja e nivelit të detit dhe produktiviteti bujqësor.

"Ndërsa ekonomitë pritet të tërhiqen nga efektet afatshkurtra të pandemisë, me efektet e ndryshimeve klimatike do të ballafaqohemi çdo vit", nënvizoi "Oxfam".

Të gjithë 48 vendet në studim parashikohet të përballen me një tkurrje ekonomike, ku shumë vende pritet të goditen shumë më keq se vendet e G7.

Ekonomia e Indisë, për shembull, parashikohet të tkurret me 27 për qind deri në vitin 2050.

Australia, Afrika e Jugut dhe Koreja e Jugut janë vendet që parashikohet të humbasin 12.5 për qind, përkatësisht 17.8 dhe 9.7 për qind.

"Oxfam" thekson se për vendet me të ardhura të ulëta, rezultatet e ndryshimeve klimatike mund të jenë shumë më të mëdha, duke cituar një studim nga Banka Botërore në të cilën sugjerohet se midis 32 dhe 132 milionë njerëz të tjerë do të bien në varfëri ekstreme deri në vitin 2030 për shkak të ndryshimeve klimatike.

"Shembulli ekonomik për veprimet klimatike është i qartë. Tani ne kemi nevojë që qeveritë e G7 të ndërmarrin veprime dramatike në nëntë vitet e ardhshme me qëllim të uljes së emetimeve dhe për të rritur financat e klimës", deklaroi Max Lawson, kreu i Politikës së Pabarazisë në "Oxfam".

Lawson shtoi se trazirat ekonomike të parashikuara në vendet e pasura të G7 janë "vetëm maja e ajsbergut", duke thënë se shumë pjesë të varfra të botës do të përballen me rritje të vdekjeve, urisë dhe varfërisë për shkak të motit ekstrem.

"Ky vit mund të jetë një pikë kthese nëse qeveritë e kuptojnë sfidën për të bërë një planet më të sigurt dhe më të gjallë për të gjithë", tha ai.

Të gjitha vendet e G7 kanë vendosur objektiva të reja për klimën përpara Samitit COP26 të OKB-së të organizuar nga Britania në nëntor, ku shumica e tyre nuk përmbushin kërkesën për të ulur ngrohjen globale nën 1.5 gradë Celsius.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)