19 Prill 2024

COVID-19 vuri në pah mangësitë e planifikimit urban dhe atij rural

Prishtinë, 25 qershor - Organizuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në partneritet me UN-Habitat Kosova, sot u mbajt Simpoziumi për të Ardhmen e Planifikimit Territorial në Kosovë.

Në fjalimin e tij, kryeministri Kurti tha se qytetet që tani njerëzit duan, janë qytete aktive, të gjelbra dhe me ajër të pastër, gjithëpërfshirëse, të qasshme e me transport të integruar, me sistem publik shëndetësor e banim të përballueshëm, solidare e me mundësi të barabarta për secilin.

"Edhe në qytetet më të zhvilluara pandemia COVID-19 vuri në pah mangësitë e planifikimit urban dhe atij rural, mangësitë në sistemet shëndetësore dhe arsimore, në sistemet e transportit dhe hapësirat publike, ekonomitë urbane si dhe pabarazitë sociale."

"Pandemia ka vënë pikëpyetje atë që ne e dinim për qytetet duke na vendosur para sfidave të mëdha e të vështira e rrjedhimisht ka nxitur ndryshimet e thella që tani po ndodhin anë e mbanë botës, në qytete të mëdha dhe të vogla, në zona urbane dhe periferike."

"Kriza pandemike dhe ajo klimatike kanë bërë që politikbërësit dhe urbanistët të rimendojnë konceptin e planifikimit urban. Qytetet tani duhet të dizenjohen në përputhje me nevojat e njerëzve, pra të planifikohen për njerëz e jo për vetura dhe ndërtesa."

"Njerëzit tanë dëshirojnë të kenë afër të gjitha shërbimet që u nevojiten - shkollat dhe çerdhet për fëmijë, punën, hapësirat rekreative, qendrat tregtare e të tjera të cilat mund të arrihen në këmbë, me biçikletë apo me mjete të tjera motorike ekologjike", theksoi Kurti.

Kryeministri tha se ky simpozium është shumë i rëndësishëm për t’u hapur rrugë: zhvillimit të një diskursi më të thellë e akademik mbi territorin, planifikimin dhe materializimin e tij; angazhimin dhe ndërveprimin e profesionisteve të fushave të ndryshme, të shoqërisë civile, e të qytetarëve në një proces më gjithëpërfshirës të planifikimit, dhe; për t’iu bashkuar lëvizjeve për mbrojtjen e planetit tonë kundrejt sfidave globale që e  rrethojnë.

Forcimi i kapaciteteve institucionale në nivele të ndryshme për të arritur një sistem të planifikimit hapësinor të përshtatshëm për qëllimet e Kosovës, gjetja e zgjidhjeve inovative që mund të rrisin lidhjet rurale-urbane për planifikim më të ekuilibruar të territorit në nivelin kombëtar, janë disa nga temat që u trajtuan në simpozium.

Për këto dhe tema të tjera që lidhen me të ardhmen e planifikimit të territorit në Kosovë folën ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, znj. Ulrika Richardson, Shefi i UN-Habitat në Kosovë, Omar Siddique, si dhe shume ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)