20 Prill 2024

BE mbështet Kosovën drejt furnizimit me energji të pastër

Prishtinë, 22 prill - Projekti i financuar nga BE-ja e mbështet ndërmarrjen e ngrohjes qendrore të Prishtinës, Termokosin, në zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të saj të shpërndarjes së energjisë.

Ceremonia e përmbylljes së projektit të financuar nga BE-ja, "Rehabilitimi i rrjetit të Ngrohjes Qendrore në Prishtinë”, u mbajt sot, për ta shënuar përfundimin e punimeve dhe për t'i prezantuar të arriturat e projektit.

Ngjarja u mbajt në ndërtesën e Filharmonisë të Kosovës, që është njëri nga shumë përfituesit që janë lidhur me rrjetin e ngrohjes qendrore gjatë sezonit të fundit të ngrohjes.

Gjatë fjalimit të tij, ambasadori Tomáš Szunyog e theksoi rëndësinë e këtij projekti për përmirësimin e furnizimit me ngrohje për qytetarët e Prishtinës.

“Modernizimi i sistemeve të ngrohjes të Termokosit dhe zëvendësimi i djegies së qymyrit dhe drurit i kontribuojnë në masë të konsiderueshme përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët e Prishtinës dhe kanë ndikim të madh në mjedis".

Ambasadori Szunyog po ashtu potencoi se BE-ja do ta vazhdojë angazhimin e saj duke u përqendruar në një furnizim më të pastër dhe më të besueshëm me energji në Kosovë përmes projekteve të tjera.

Vlera e përgjithshme e projektit "Rehabilitimi i Rrjetit të Ngrohjes Qendrore në Prishtinë" është 6 milion euro dhe zbatohet në kuadër të programit vjetor IPA 2015. Rezultatet kryesore të projektit janë këto:   

Projektimi dhe rehabilitimi i 104 nënstacioneve ekzistuese që përfshin zëvendësimin e nënstacioneve të vjetra të ngrohjes me nënstacione të reja të paramontuara me performancë të lartë të efiçiencës së energjisë;

Zëvendësimi i rreth 6 km tubacioneve të vjetra me gypa të rinj të paraizoluar dhe zgjerimi i rrjetit me rreth 9 km tubacione të reja, 15 km tubacione në total;

Zgjerimi i rrjetit me 70 nënstacione për klientët e rinj – mbi 10,000 qytetarë.

Klientët e rinj të lidhur me Termokos janë klientët rezidencialë në lagjet Kalabria, Mati, periferia e Bregut të Diellit, pastaj ndërtesat publike siç janë çerdhet e fëmijëve, shkollat, Teatri Kombëtar dhe Filarmonia e Kosovës, Fakulteti i Arkitekturës, ndërtesat shëndetësore, etj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)