23 Mars 2019

Banka Japoneze viziton Kosovën për termocentralin “Kosova e Re”

Prishtinë, 10 janar - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka priti në takim delegacionin japonez nga Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC), në krye me drejtorin e divizionit për financim të projekteve energjetike, Ryuta Suzuki dhe ambasadorin kosovar në Japoni, Leon Malazogu, ku diskutuan rreth zhvillimeve në sektorin e energjisë të cilin e mbulon Ministria e Zhvillimit Ekonomik me theks të veçantë projektin e termocentralit “Kosova e Re”.

Lluka potencoi se Qeveria e Kosovës vazhdon të përballet me probleme energjetike për shkak të  vjetërsisë së kapaciteteve aktuale energjetike siç janë Kosova A dhe Kosova B si dhe theksoi rëndësinë që projekti Termocentrali Kosova e Re ka për zhvillimin ekonomik të vendit dhe, mbi të gjitha, për qytetarët e Kosovës.

Ministri Lluka tha se Contour Global planifikon që të vendosë gurëthemelin e termocentralit të ri gjatë gjysmës së parë të këtij viti dhe ta përfundoj atë deri në vitin 2023, ku me fillimin e operimit të termocentralit “Kosova e Re”, njëkohësisht të mbyllet termocentrali “Kosova A” dhe të përmbyllet rehabilitimi i termocentralit “Kosova B”. Kjo do të ndryshoj tërësisht kualitetin e ajrit në Kosovë dhe do të përmirësoj jetën e qytetarëve.

Në anën tjetër, Ryuta Suzuki, tha se Kosova ka rëndësi strategjike për vendin e tyre dhe se Japonia është e interesuar që të përkrahë financimin e projektit “Kosova e Re”, për shkak se ky projekt ka rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Suzuki theksoi se edhe pse prodhimi bazë i termocentralit Kosova e Re do të jetë me qymyr, ai do të ndihmojë në realizimin e projekteve të energjisë efiçiente siç është edhe zgjerimi i projektit të kogjenerimit dhe rritjes së kapacitetit të tij me qëllim të përmirësimit të sistemit të ngrohjes qendrore për banorët e Prishtinës dhe disa komunave përreth, por edhe mbrojtjes së ambientit.

Delegacioni japonez është informuar edhe rreth aktiviteteve dhe investimeve në energji të ripërtërishme, ku Kosova është zotuar që do të ketë 25% të energjisë nga energjia alternative si dhe rreth projektit të sistemit të ngrohjes me biomasë në komunën e Gjakovës, dhe mundësinë e zhvillimit të projekteve të ngjashme në të gjitha komunat e Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 mars 2019 - Federata e pingpongut të Kosovës në bashkëpunim me Kpp Vitia nën patronatin e Komunës së Vitisë do të organizoj Turneun për senior Flakadani i Karadakut. (Salla e Shkollës së Mesme Teknike 'Jonuz Zejnullahu' në Vitiora, ora 9:30)

- Shoqata "Miqtë e Amerikës" do ta bëjë zëvendsimin e flamurit amerikan te shtatorja e Bill Clintonit në Prishtinë, me një të ri. (Shtatorja e Bill Clintonit, ora 11:00)

- Gjimnazi “Hasan Nahi”, në kuadër të Fondacionit për Arsim dhe Kulturë “Atmosfera”, organizon edicionin e gjashtë me radhë - Garën e Inteligjencës "Eureka 6". (Ambienti i Gjimnazit “Hasan Nahi” në Prishtinë, ora 11:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli merr pjesë në shënimin e 30-vjetorit të demostratave të 23 marsit 1989 me nismëtare gratë dhe vajzat e Balajve. (Teatri “Adriana” - Ferizaj, ora 11:00)

- UBT dhe Raiffeisen Bank mbajnë garën më të madhe në vend “Data Science Hackathon”. (Kampusi i UBT-së në Lipjan, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj bënë homazhe te Pllaka Memoriale e ushtarëve të KFOR-it, të rënë gjatë shërbimit në Kosovë. (Sheshi “Nëna Terezë”, ora 12:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj bënë homazhe te Pllaka Përkujtimore me emrat e ushtarëve britanikë, që humbën jetën në shërbim në Kosovë. (Sheshi “Edit Durham”, afër Hotelit Grand, ora 12:10)