29 Mars 2024

Avokati i Popullit del me rekomandime për Qendrën Edukative Korrektuese në Lipjan

Prishtinë, 7 shtator -  Raporti në fjalë i referohet vizitës së Mekanizmit Kombëtarë për Parandalim të Torturës (MKPT) të Avokatit të Popullit, të realizuar më 5 korrik 2018 në Qendrën Edukative Korrektuese në Lipjan (QEKL). Po ashtu, MKPT, gjatë këtij viti ka realizuar disa vizita Ad Hoc në QEKL.

Qëllimi i kësaj vizite ishte monitorimi i respektimit të të drejtave të personave të mitur të privuar nga liria, të cilat u garantohen me Kodin e Drejtësisë për të Mitur, ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, si dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të personave të privuar nga liria.

Gjatë vizitës, në veçanti janë trajtuar çështja e procedurave të pranimit, njohja e të miturve me të drejtat e tyre, trajtimi, kushtet e akomodimit, regjimi, kujdesi shëndetësor, raportet ndërmjet të miturve të burgosur, qasja në arsim, aftësim profesional, rehabilitimi dhe ri-integrimi, kontaktet me botën e jashtme, procedurat e parashtrimit të ankesave dhe masat disiplinore të cilat mund t’u shqiptohen sipas Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Kodit të Drejtësisë për të mitur nr. 03/L-193, dhe mënyra e ekzekutimit të tyre. 

Gjatë vizitës së MKPT në QEKL, personeli i shërbimit korrektues dhe personeli i Departamentit Shëndetësor të Burgjeve i ofruan ekipit monitorues bashkëpunim të plotë.

MKPT nuk ka pranuar asnjë ankesë për keqtrajtim fizik apo përdorim të forcës së tepruar nga të miturit të cilët akomodohen në këtë qendër.

Sa i përket kushteve materiale të akomodimit, në përgjithësi, MKPT konsideron se QEKL i plotëson të gjitha kushtet për akomodim të të miturve. MKPT ka pranuar disa ankesa lidhur me sasinë dhe kualitetin e ushqimit, të cilët pohuan se është i pamjaftueshëm, si dhe ankesa lidhur me orarin e shpërndarjes së ushqimit.

MKPT ka vërejtur se, kuzhina ku ushqehen të miturit është në gjendje të keqe sa i përket makinerisë për pastrim të enëve dhe kushteve higjienike. Këtë shqetësim e shprehën edhe personeli dhe drejtoria e QEKL të cilët pohuan se planifikohet renovimi i kuzhinës.

Sa i përket regjimit dhe aktiviteteve, QEKL u mundëson të miturve ajrosje në kohëzgjatje jo më pak se tri orë në ditë, gjë që është në pajtim me Kodin e Drejtësisë për të Miturit. QEKL posedon edhe sallën e sportit, e cila është shumë moderne dhe e kompletuar si dhe sallën e fitnesit, e cila po ashtu është e pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme.

MKPT gjatë vizitës, ka konstatuar se salla e sportit dhe e fitnesit shfrytëzohen nga të miturit, mirëpo nuk kanë trajner të angazhuar për këto aktivitete sportive. Gjithashtu, rrobaqepësia, floktaria, kabineti i shtypshkronjës nuk janë në funksion pasi që nuk kanë të angazhuar instruktorë për këto fusha. MKPT përmes këtij raporti u rekomandon autoriteteve kompetente që t’ju mundësojë QEKL-së angazhimin e instruktorëve adekuat, staf profesional si dhe të miturve t’u shtohen aktivitetet e përditshme të edukimit.

Sa i përket kontaktit me botën e jashtme, MKPT konsideron se kontaktet me botën e jashtme, veçanërisht vizitat nga familja apo të afërmit tjerë, janë të rëndësisë thelbësore në kontekstin e rehabilitimit social të të burgosurve. MKPT nuk ka pranuar asnjë ankesë nga të miturit lidhur me këtë të drejtë.

Sa i përket kujdesit shëndetësorë, në përgjithësi, njësia shëndetësore në QEKL i plotëson standardet e kërkuara dhe ofron shërbimet e duhura mjekësore për të miturit e akomoduar aty. MKPT nuk ka pranuar ankesa nga të miturit sa i përket shërbimeve mjekësore.

MKPT, gjatë vizitës ka konstatuar se, Qendra Edukative Korrektuese në Lipjan ofron mundësinë adekuate për parashtrim të ankesave dhe kërkesave, i shqyrton ato dhe u dërgon përgjigje të miturve brenda afatit ligjor. Po ashtu, të akomoduarit mund t’i drejtojnë ankesë Avokatit të Popullit përmes kutive të ankesave në të cilat kanë qasje vetëm personeli i caktuar i Avokatit të Popullit.

Përveç kësaj, të miturit mund t’i drejtohen Avokatit të Popullit edhe përmes linjës telefonike pa pagesë (informatat për linjën telefonike janë të vendosura në kutit e ankesave), postës së rregullt e cila sipas Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale nuk i nënshtrohet kontrollit nëse i adresohet Avokatit të Popullit të Kosovës, si dhe përmes familjarëve të tyre.

Përmes këtij raporti, MKPT e Avokatit të Popullit, u ka dërguar autoriteteve kompetente rekomandimet si në vijim: Ushqimi për të miturit të jetë i bollshëm dhe i përshtatshëm sipas kalorive të kërkuara për rritjen dhe zhvillimin e të miturve, të bëhen renovimet e duhura në kuzhinë, si dhe të pajiset kuzhina me makineritë e domosdoshme, të shtohen aktivitetet për të miturit, të funksionalizohen kabinetet ekzistuese dhe të angazhohen instruktorët adekuat.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)