20 Gusht 2019

211 gjoba për ndotësit e mjedisit gjatë muajve mars – prill

Prishtinë, 13 maj - “Let’s Do It” ka vazhduar monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore nga inspektorët komunal mjedisor dhe qendror dhe shqiptimin e gjobave për ndotësit.Bazuar në të dhënat e monitorimit rezulton se gjatë muajit mars dhe prill janë shqiptuar gjithsej 211 gjoba mandatore sipas këtij Udhëzimi, si dhe 13 gjoba të tjera të bazuara në rregullore komunale.

Sipas monitorimit të bërë nga “Let’s Do It” për muajt mars dhe prill, rezulton se Peja i prin listës së komunave me më së shumti gjoba të shqiptuara, gjithsej 31, pasuar nga Vushtrria me 21 gjoba të shqiptuara, Prishtina 20 dhe Ferizaj ku janë shqiptuar 18 gjoba.

Me nga 15 gjoba të shqiptuara, lista vazhdon me Komunën e Gjakovës dhe Deçanit, pasuar nga komuna e Prizrenit dhe Malishevës me nga 10 gjoba të shqiptuara për ndotësit.

Ndërsa gjatë muajve mars e prill, në Komunën e Rahovecit dhe Klinës janë shqiptuar nëntë gjoba, në Komunën e Mitrovicës shtatë gjoba, pasuar nga Komunat e Skenderajt, Gjilanit, Shtimes me nga gjashtë gjoba të shqiptuara. Numër të njëjtë të gjobave [gjashtë] kanë shqiptuar edhe inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ndërsa, nga pesë gjoba janë shqiptuar në Komunën e Podujevës dhe Kamenicës.

Nga tri gjoba kanë shqiptuar Komuna e Istogut, Drenasit dhe Lipjanit, pastaj është Komuna e Obiliqit me vetëm dy gjoba të shqiptuara, derisa në Komunën e Suharekës është shqiptuar vetëm një gjobë. 

Në muajt mars dhe prill, asnjë gjobë mandatore nuk ështëshqiptuar në komunat, si: Fushë Kosova, Vitia, Kaçaniku, Hani i Elezit, dhe Junikut.

Nga të dhënat e monitorimit rezulton se lloji më i shpeshtë i gjobave të shqiptuara gjatë muajit mars ishte ai i hedhjeve të mbeturinave në zonat e ndaluara dhe parkimi në zonat e gjelbëruara, ndërsa gjatë muajit prill  ishte ai i shpërndarjes së fletushkave nëpër hapësirat e ndaluara (kryesisht në hyrje të ndërtesave).

Udhëzimi Administrativ për Gjoba Mandatore është nënshkruar gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, dhe ka synim reduktimin dhe eliminimin e ndotjes së mjedisit dhe shëndetin e njeriut, mbrojtjen e sipërfaqeve publike dhe private përmes menaxhimit të mbeturinave.

“Let’s Do It” ju njofton se monitorimi i zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore do të vazhdojë edhe muajve në vijim, kur edhe do të bëhen publike të gjitha të dhënat.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 gusht 2019 - Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala do ta takojë ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi. (Holli i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ora 9:30)

- Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën për gjendjen e prodhimit në Kosovë ku do të diskutohen rekomandimet ndaj Qeverisë së re rreth zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit, me panelistë përfaqësues të bizneseve prodhuese në vend. (Hotel Sirius, ora 9:55)

- Në Gjilan fillon implementimi i programit “Shkollat e Shekullit 21”, i cili mbështetet nga Qeveria e Britanisë, i dizajnuar nga British Council. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)

- Instituti Demokratik I Kosovës / Transparency International Kosova organizon konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat e hulumtimit pilot mbi transparencën e kryeqyteteve evropiane, ku mes 27 kryeqyteteve evropiane është vlerësuar edhe Prishtina. (Salla e konferencave të KDI, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes se festivalit të edicionit të 9-të të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale Etnofest. (Etnokompleksi i fshatit Kukaj, ora 18:00)

- Komuna e Prizrenit në kuadër të hartimit të buxhetit për vitin 2020 do të organizojë dëgjime publike me me banorët e rajonit të Zhurit, Vërrinit dhe Vërmicës me qëllim të angazhimit të tyre në procesin e hartimit të buxhetit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. (Shkolla fillore në Zhur, ora 19:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Kino Armata te Sheshi, ora 20:00)