24 Prill 2024

Zyra e Auditimit lanson sistemin elektronik për menaxhimin e auditimit SITA

Prishtinë, 15 tetor - Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë të ditur se ka shënuar një sukses tjetër sa i përket procesit të digjitalizimit të  punës audituese.

"Pas një angazhimi intensiv dhe pune të përkushtuar është zhvilluar tërësisht dhe testuar sistemi elektronik për menaxhimin e auditimit i quajtur Sistemi Informativ i Auditimit – SITA", njofton ZKA.

SITA është sistem në pronësi të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe është zhvilluar duke u bazuar në metodologjitë përkatëse të auditimit që zbaton ZKA-ja.

Ky sistem sipas ZKA-se është një mjet i shkëlqyeshëm për të siguruar aplikim më efikas të metodologjisë audituese, për të rritur produktivitetin si dhe për të garantuar cilësi, veçanërisht në auditimet komplekse ku kërkohet siguri e lartë dhe pajtueshmëri me standardet, ligjet dhe rregulloret.

"Në veçanti Sistemi Informativ i Auditimit do të lejojë që auditorët në mënyrë të automatizuar të kenë qasje në informacionin e nevojshëm në një kohë të shkurtër si dhe të përdorin një numër metodash dhe të bëjnë llogaritjet audituese në mënyrë efektive dhe efikase në krahasim me metodat e punës tradicionale", thekson ZKA.

Që nga janari i këtij viti, janë mbajtur me dhjetëra sesione punuese nga personat përgjegjës të ZKA-së, me qëllim të analizimit dhe diskutimit në hollësi të të gjitha letrave të punës për të gjitha llojet e auditimit para se ato të vendosen në sistem.

Përveç testimeve formale të funksionaliteteve të sistemit, ekipet e zgjedhura të auditimit kanë bërë edhe testimin detaj të secilit modul, duke praktikuar në pikat kyçe gjithë ciklin auditues.

Ky testim ka zgjatur disa ditë dhe ka ofruar sigurinë se mund të shkohet tutje në zbatim të sistemit në punën reale, dhe se vënia në përdorim e tij lehtëson në masë të madhe punën e auditorëve si dhe rrit cilësinë dhe transparencën në proceset e punës.

Për të mbyllur ciklin përgatitor për sezonën e re audituese dhe siguruar përdorim efektiv të sistemit, nga data 5 deri me 16 tetor stafi auditues po ndjek trajnimet intensive online për të mundësuar kalim më të lehtë në metodën e re të punës.

Gjatë trajnimeve auditorët kanë mundësi të ndjekin materialet (udhëzimet dhe videot e përgatitura), të realizojnë ushtrimet praktike dhe të diskutojnë me trajnerët apo me njëri tjetrin.

Pas gjithë këtyre përgatitjeve dhe aktiviteteve hap pas hapi Zyra Kombëtare e Auditimit e fillon vitin e ri auditues 2020/2021 duke zbatuar sistemin elektronik të auditimit, i cili ka mundësuar digjitalizim të plotë të gjithë punës audituese për të gjitha fazat e auditimit.

Sistemi Informativ i Auditimit – SITA është zhvilluar nga Konsorciumi ‘Infosoft Systems’ Prishtinë dhe ‘Enter doo’ Ohër, me profesionalizëm të lartë dhe duke ofruar zgjidhjet dhe përshtatjet e sistemit në pajtim me secilën kërkesë në veçanti.

Çdo modul i zhvilluar është prezantuar pas implementimit në sistem dhe janë vlerësuar të gjitha dobitë dhe avancimet që funksionet e sistemit mundësojnë për punën audituese.

 Një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve punuese janë zhvilluar në kushte të pandemisë dhe ka qenë mjaft sfiduese për ekipin që një projekt i këtyre përmasave të realizohet suksesshëm përmes punës nga distanca.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)