29 Mars 2024

Vjedhja e 2 milionëve në Thesar rezultat i politikës kriminale të kastës së vjetër politike

Prishtinë, 22 tetor - Sot, Lëvizja Vetëvendosje! mbajti një konferencë për media, ku deputeti, njëherit, Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Hekuran Murati, foli për vjedhjen elektronike të 2.1 milionë eurove nga Thesari i Republikës së Kosovës dhe vjedhjen fizike në peshë 300 kg nga thesari i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.

Murati tha se rikthimi i paligjshëm i partive të vjetra në pushtet ka inkurajuar dhe krijuar kushtet për krimin e organizuar në vend.

Është zhbërë procesi i vettingut, është zhbërë task forca antikorrupsion dhe janë shtuar ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë si ajo e fundit nga z. Mustafa.

Nënshkrimet dhe votat për rrëzimin e kësaj qeverie duhet të mblidhen sa më parë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje, theksoi ai.

“Këto dy vjedhje po na kthejnë në normalitetin ku krimi lëre që nuk ndëshkohet por edhe merr zemër. Kjo për shkak se duhet më shumë sesa thjeshtë një planifikim për të kryer krime të tilla."

"Janë procedura të shumta, përplot rregulla që nuk lejojnë manovra kaq të lehtë brenda thesarit, dhe një person nuk do të mundte, e aq më pak të guxonte të ndërmarr veprime të tilla marrë parasysh pasojat me të cilat do të duhej të përballej më pas”, u shpreh Murati.  

“Kemi një rikthim të gjendjes së dikurshme kur është vjedhur dhoma e dëshmive dhe nuk është dënuar askush, janë dhënë 53 milionë euro dhe nuk ka dhënë llogari askush, janë vjedhur avance në emër të udhëtimeve zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe nuk është dënuar ende askush. Pra, një varg rastesh që nuk janë ndëshkuar më parë e që tani janë rikthyer falë kësaj qeverisje të paligjshme e të kapur nga krimi i organizuar."

“Sot, kishim edhe rastin e vjedhjes fizike të thesarit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës. Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me vjedhje kibernetike apo transaksione elektronike, kemi të bëjmë edhe me vjedhje fizike ku brenda një ndërtese që është nën kujdesin e policisë së Kosovës, në katin e tretë vidhet thesari me peshë 300 kg”, tha Murati.  

“Kjo trimëri është shkaktuar nga veprimet që e rikthejnë gjendjen kaotike dhe kriminale në vend, duke filluar prej zhbërjes së procesit të vettingut, zhbërjes së task forcës  antikorrupsion dhe ndërhyrjeve politike si të kryetarit të subjektit që udhëheqë koalicionin, që ditë më parë ushtroi presion ndaj organeve të drejtësisë për ta liruar nga arresti nënkryetarin e partisë së vet.”

“Çdo ditë që humb Kosova me këtë qeveri ilegale e palegjitimitet është ditë e humbur dhe ka kosto të madhe  për qytetarët e këtij vendi. Andaj, duhen dhënë nënshkrimet dhe votat për rrëzimin e kësaj qeverie të paligjshme, në mënyrë që të hapet rruga për zgjedhje dhe qytetarët ta thonë fjalën e vet,” theksoi për fund, Murati.   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)