19 Mars 2024

Viti 2018 fatal për vdekjet në punë, asnjë masë as pas 23 vdekje në vendin e punës

Prishtinë, 12 dhjetor - Lëvizja Vetëvendosje! organizoi konferencë për media në lidhje me pasigurinë dhe vdekjet e punëtorëve në vendin e punës. Në konferencë folën dy nënkryetarët e Lëvizjes Fatmire Mulhaxha - Kollçaku dhe Besnik Bislimi.

Vdekjet e punëtorëve në vendin e punës janë shtuar së tepërmi gjatë vitit 2018, ku rastet e publikuara në media arrijnë numrin 23. Kjo shifër nuk reflekton të gjitha rastet e tjera të pa hetuara, publikuara ose të censuruara nga punëdhënësit, inspektorët dhe organet e tjera përgjegjëse.

Në fjalën e saj, një ditë pas konferencës së fundvitit të BSPK-së, Nënkryetarja Fatmire Kollçaku përmendi të gjithë emrat e të vdekurve për këtë vit, duke u bashkangjitur vendin dhe kompaninë në të cilën punonin për rastet kur këto të dhëna ekzistojnë.

Në vazhdim, Nënkryetarja Kollcaku listoi edhe problematikat e punëtorëve, temë kjo e nxjerrë në plan të dytë dhe e heshtur shumicën e kohës.

Vdekjet ndodhin kryesisht në sektorin e ndërtimit punëtorët punojnë pa masa sigurie.

Në këtë dhe të tjerë sektorë punëtorët sipas saj punojnë shpeshherë pa kontratë dhe ku përgjëgjës kryesor për vdekjet e tyre janë kompanitë punëdhënëse.

"Problematika të tjera që i shtohen kësaj marrëdhënieje të pabarabartë janë papërgjegjshmëria e qeverive, numri i vogël i inspektorëve, mungesa e kualifikimit të tyre, mungesa e pensioneve të invaliditetit për të gjitha rastet e dëmtimeve dhe mungesa e sindikatave të forta", ka theksuar Kollçaku.

Format e shfrytëzimi të punëtorëve po mbarështohen në mungesë të një qeverie e cila e sheh punën dhe punëtorin si vendin ku garantohet dinjiteti i një qytetari.

Në vazhdim të listës së gjatë të formave të shfrytëzimit, Nënkryetari i Lëvizjes Besnik Bislimi tha, “Ne kemi edhe inspektoriatin e punës, i cili ende punon me ligj të vitit 2002 i shoqëruar me një ndryshim plotësim të vakët të vitit 2008 që mban siglën e UNMIK-ut."

Bislimi theksoi me tutje se një shikim prej dy minutave në faqen e internetit të këtij inspektoriati mjafton për të konkluduar për nivelin organizativ dhe profesional të tij. I gjithë raporti vjetor i këtij institucioni përbëhet prej tri faqeve të vetme me ZERO tekst të shkruar dhe tri tabela të thjeshta dhe të pasqaruara.

Por sipas tij mjafton të shohim se e gjithë e arritura e këtij institucioni për një vit të tërë është shqiptimi i diku 23 gjobave ndaj punëdhënësve dhe identifikimi apo trajtimi i ZERO rasteve të diskriminimit gjinor.

"Një statistikë e tillë do të ishte mahnitëse edhe për vendet ku termi diskriminim gjinor mbase as nuk përdoret më fare."

"Dhe prapë ne e kemi të pamundur të dalim me rekomandime për rritjen e numrit të inspektorëve, të bindur se në mjedisin aktual dhe me qeverisjen aktuale, një realizim eventual i kërkesës sonë do të përdorej vetëm për rritje të punësimit militant dhe rritje të bashkëpunimit mes isnpektorëve të punës dhe bizneseve”, potencoi Bislimi.

Ndërkaq, ai përmendi edhe numrin e inspektorëve të punës që është 58 sosh, kurse 10 herë më i madh është numri i shoferëve të qeveritarëve.

Ndryshimi i mendësisë së qeverisje në Kosovë është i domosdoshëm për ndryshimin e kushteve të punëtorisë. Kosova ka nevojë për një qeverisje e cila i sheh shenjat e progresit të vendit në mënyrën se si trajtohen punëtorët e saj.

Emrat e punëtorëve të vdekur në vendin e punës gjatë vitit 2018:

Musli Krasniqi,
Fehmi Salihu,
Armend Kutllovci,
Gentian Krasniqi,
Valon Berisha,
Seldin Alija,
Shpetim Kabashi,
Sami Veseli,
Ragip Syla,
Behram Ibishi,
Rrëzon Istrefi,
Milor Belegu,
Isa Sejdiu,
Agonis Tetas,
Sefer Kryeziu,
Milazim Bajraktari,
Musa Halili,
Izet Osmani

Kurse emrat dhe të dhënat e të paktën tre të tjerëve mungojnë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)