26 Shkurt 2021

Vendimi i qeverisë për masa shtesë i dëmshëm për bizneset

Gjilan, 9 nëntor - Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se vendimi i qeverisë për masa shtesë kundër pandemisë, ishte i pa menduar mirë dhe i dëmshëm për bizneset.

“Vendimet që merren prej zyrave të qeverisë, pa e parë dhe analizuar gjendjen në terren, gjithmonë janë të dëmshme për bizneset”, ka thënë Ismajli në seancën e sotme të Kuvendit Komunal.

Sipas tij, Komuna ka ndërmarrë masa lehtësuese që janë në kompetencë të saj, siç ishte lirimi nga pagesa e qirasë, ndërkohë po shikohet mundësia që kjo masë të vazhdohet edhe për disa muaj.

Përndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e sotme të radhës, nën kryesimin e Shpresa Kurteshit-Eminit, ka shqyrtuar raportin financiar janar-shtator 2020, i cili nga pozita u vlerësua jashtëzakonisht i mirë, derisa nga opozita u cilësua raport i mangët dhe jo sqarues sa duhet.

Drejtoresha e Buxhetit, Meral Sadriu Vokshi tha se të hyrat janë realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme, duke marrë parasysh gjendjen e pandemisë që ka mbretëruar në këtë periudhë, ndërkohë Ilmi Limani, zyrtar i Lartë Financiar, dha sqarime shtesë në pyetjet, vërejtjet dhe interesimet e ngritura nga këshilltarët Nevzad Isufi, Isa Agushi, Avdyl Aliu, Krenare Latifi, Erlehta Osmani, Burim Berisha, Hevzi Xhelili, Arijeta Rexhepi, Imrane Thaçi, Shefik Surdulli, Shemsedin Ramushi e Shemsedin Elezi.   

Njëherësh Kuvendi miratoi vendimin për formimin e Grupit punues për hartimin e Planit të punës të Kuvendit për vitin 2021, vendimin për modifikimin e atributeve të titullarit të pronave komunale dhe regjistrimin e tyre me emërtimin ligjor, iniciativën për themelimin e Muzeut Etnografik në Gjilan, vendimin për emërimin e Komisionit Komunal të Aksionarëve në KRM “Ecohigjiena” si dhe vendimin për binjakëzimin e Komunës së Gjilanit me Komunën e Kumanovës.

Në pjesën e pyetjeve dhe përgjigjeve, këshilltarët komunalë ngritën interesime rreth menaxhimit të pandemisë (Xhevat Demiri), hapjes së paraleleve shtesë në Mjekësi (Nevzat Isufi), problemin e pronësisë së disa familjeve në lagjen Arbëria, të cilëve tokat u figurojnë në emër të kooperativës bujqësore, (Arijeta Rexhepi), për deponitë ilegale (Arianit Sadiku), mungesën e ambulancës në Zabel (Festa Shabani), lirimin nga puna të grave shtatzëna, sepse janë të rrezikuara nga pandemia (Arta Nuhiu), kompensimin e bizneseve që nuk janë lejuar të punojnë gjatë kësaj fundjave (Isa Agushi), zbatimin e vendimit për korrigjimin dhe plotësimin e emërtimeve (Shefik Surdulli) dhe të tjera.

Sa i përket vendimit të Kuvendit për plotësimin dhe korrigjimin e emërtimeve, Ismajli sqaroi se është dashur një koordinim me kompaninë e cila merret me këto proces dhe tani ka filluar zbatimi në terren i vendimit.

Ndërkaq, Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal tha se në rastin e grave shtatzëna, vendimi i qeverisë është i qartë.

Sipas këtij vendimi, personat me sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna lirohen nga paraqitja në punë dhe punëdhënësit udhëzohen të krijojnë kushtet për angazhimin e tyre online nga shtëpia, ka sqaruar Kurteshi.   

Në lidhje me problemin e disa familjeve në lagjen Arbëria me pronësinë e parcelave, ku ata i kanë të ndërtuara prej vitesh shtëpitë, ndërsa figurojnë në emër të kooperativës bujqësore, drejtori i Kadastrës, Sali Fazliu sqaroi se bëhet fjalë për disa prona që administrohen nga AKP-ja dhe banuesit në këtë vendbanim joformal kanë dy mundësi – një procedurë gjyqësor për njohjen e të drejtës së pronësisë, ose t`i drejtohen AKP-së për t`i blerë, që besoj se do të ofrohen me një çmim simbolik, pasi që fjala është për shfrytëzues të kahershëm.

Kurse sa i përket hapjes së paraleleve shtesë në Mjekësi, që nuk ishin paraparë me konkurs, si dhe punës së shkollave në kushtet e pandemisë, drejtori i Arsimit, Nazim Gagica tha se Komuna nuk ka mandat të hap paralele të reja, por për këtë vendos MASHT-i, ndërkohë që shtoi se të gjitha shkollat e këtushme janë të pajisura me dezinfektues dhe dezinfektohen si dhe dezinfektohen nga stafi teknik çdo ditë.
                     

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Shkurt 2021

- Mbahet mbledhja e dytë e rregullt e Kuvendit Komunal të Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në objektin e ri të komunës, ora 10:00)

- Këshilli Organizues ''Pranvera Shqiptare 81'' do të bëj nderime dhe do të vendos lule te varri i varri i Adem Demaçit. (Velani, ora 11:00)

- Organizata Etea, përmbyllë fazën e parë të projektit “Biblioteka Qarkulluese me strategjitë e lexim kuptimit”. (Kino Armata, ora 11:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve në fushën e trashëgimisë kulturore. (Parku arkeologjik "Ulpiana", ora 12:00)

- Këshilli Organizues ''Pranvera Shqiptare 81'' organizon tryezëm përkujtimore për Adem Demaçin në 85 vjetorin e lindjes. (Instituti Albanologjik në Prishtinë, ora 13:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj një aktivitet pranë objektit të Komunës së Prishtinës. (Objekti i Komunës së Prishtinës, ora 13:00)

- Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike mban konferencën për media me rastin e dorëzimit të Padisë për Konflikt Administrativ kundër Lejes Ujore për Hidrocentralin Brezovica në Shtërpcë të Lëshuar nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit. (Para Pallatit të Drejtësisë, Ndërtesa A, ora 14:00)

- Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi mban konferencë lidhur me progresin në procesin e rinumërimit dhe të aktiviteteve tjera që po zhvillohen në këtë qendër. (Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ora 15:00)