23 Shkurt 2019

Uzurpatorët barrikadojnë hyrjet për më shumë se 60 familje

Fushë Kosovë, 10 korrik - Një grup banorësh në lagjen “Dardania” në Fushë Kosovë ka më shumë se një vit qëkur ballafaqohen me disa uzurpatorë të hapësirës publike, të cilët me veprimet e tyre të paligjshme ua kanë pamundësuar qarkullimin e lirë dhe hyrjen nëpër banesat e tyre më shumë se 60 familjeve.
 
Janë dy lokale afariste, piceria “Love” dhe së fundi edhe kafeneja “Gala” ato që e kanë zënë krejtësisht, rreth e rrotull, hapësirën e rezervuar për parking të banorëve të banesës kolektive “Model Slovenia 2” në rrugën “Xhemajl Mustafa”.

Në këtë situatë pa autoritet shtetëror, banorët tashmë janë të shtrënguar për çdo ditë për konflikte fizike e verbale me uzurpatorët, për ta realizuar të drejtën e  tyre elementare: lëvizjen e lirë.

Autoritetet e komunës së Fushë Kosovës qysh prej vitit të kaluar janë në dijeni me hallin që kanë këta banorë, por ato, si duket, janë dorëzuar para uzurpatorëve.

Drejtori i Inspektoratit të komunës së Fushë Kosovës u ka thënë banorëve ankues se uzurpatorët nuk kanë leje për shfrytëzimin e këtyre hapësirave, por, siç është shprehur ai “Inspektorati është i pafuqishëm” për të ndërmarrë gjë në këtë drejtim, ati i janë marrë kompetencat Drejtorisë për Inspektorat, për të intervenuar në këso situatash.

 Sipas kryeinspektorit për këtë punë ekziston një komision komunal, por ai komision jo vetëm që nuk e kryen punën e vet, por i njëjti është krejtësisht jofunksional. Ky komision që zyrtarisht është emëruar “Komisioni Komunal për Lirimin e Hapësirave Publike”  ka këtë përbërje zyrtarësh të lartë  të Komunës: Adnan Bullatovci,  Milaim Shala, Abdullah Tërnava, Faton Berijani  dhe Feti Breznica.

Gjatë javës që shkoi, duke e parë mosndërhyrjen e autoritetit shtetëror, banorët janë ballafaquar verbalisht me pronarin e kafiterisë  “Gala” kur ai i hoqi kubëzat e trotuarit publik dhe brenda natës ndërtoi paligjshëm një platformë prej betoni si tavernë për kafietrinë e tij.

Në anën tjetër, piceria “Love” që ndodhet në pjesën këndore të objektit, tashmë prej më shumë se një viti e mbanë të barrikaduar hapësirën e rezervuar për parkim, me vazo të mëdha lulesh, biçikleta të vjetra, karroca marketi dhe rekuizita të ndryshme.

Banorët e shqetësuar me këtë situatë kanë dorëzuar tek autoritet e komunës së Fushë Kosovës edhe një peticion me kërkesën e largimit të këtyre pengesave, por situata nuk ka ndryshuar asnjëherë. 

Po ashtu, banorët disa herë kanë lajmëruar edhe policinë, por, si duket, edhe ata, duke e parë mosreagimin e pushtetit vendor, i kanë çuar duart dhe janë dorëzuar para uzurpatorëve. Ironia më e madhe e krejt kësaj pune qëndron në faktin se edhe disa nga zyrtarët e ekzekutivë të komunës së Fushë Kosovës janë banorë të kësaj lagjeje, por meqë ata kanë parking nëntokësor, për fqinjët e tyre hallegjinj nuk po çajnë kokën fare. 

Banorët e shqetësuar kanë thirrur një takim të përbashkët për t’i bashkërenduar veprimet e tyre, duke e shfrytëzuar të drejtën për t’u ankuar në nivele më të larta të shtetit, pasi që komuna e Fushë Kosovës vetëm ua merr taksat por nuk po ua mbron edhe të drejtat elementare.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 shkurt 2019

- Fillon kampionati ekipor në pingpong me në garat ekipore në ligën e juniorëve. (Shkolla Tefik Qanga në Ferizaj, ora 10:00)

- Alternativa e përfaqësuar nga Hasan Preteni dhe Alfred Halili anëtarë të Kryesisë Qendrore  do të mbajnë konferencën për media për të prezantuar qëndrimin e subjektit politik lidhur me "Sistemin e drejtësisë, defektete dhe ndryshimet që duhen bërë". (Selia e partisë, Kompleksi Qafa, kati 1, nr. 67, ora 12:00)

- Galeria Kombëtare e Kosovës dhe British Council organizon panel diskutimi për gratë artiste gjatë rezistencës së Kosovës të viteve 90. (Galeria e Arteve të Kosovës, ora 12:00) 

- Fondacioni Lumbardhi dhe Fondacioni Kosovar i Arkitekturës organizojnë ligjeratën publike “Bukuria e asaj që mbetet” të arkitektes Aslıhan Demirtas. (Kino Lumbardhi, ora 17:00)