19 Korrik 2019

USAID përkrah forcimin e pozitës ekonomike e fiskale të Kosovës

Prishtinë, 16 maj - Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur në takim drejtoreshën e Misionit të USAID-it në Kosovë Lisa Magno dhe ekipin e saj.

Ministri Hamza falënderoi znj. Magno për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të USAID-it  me Ministrinë e Financave, duke shtuar se kjo mbështetje që burimin e saj e ka nga taksapaguesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka dhënë frytet e veta në fushën e financave publike dhe stabilitetit makro-ekonomik.

Me këtë rast ministri Bedri Hamza, informoi drejtoreshën Lisa Magno dhe ekipin e saj për ecuritë e fundit lidhur me progresin në fushën e financave, ekonomisë dhe orientimin tonë për ta ndihmuar zhvillimin e sektorit privat përmes reformave ligjore dhe fiskale.

Në anën tjetër drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë Lisa Magno falënderoi Ministrin Hamza për punën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar se nën udhëheqjen e tij Ministria e Financave ka arritur rezultate të konsiderueshme.

Ajo theksoi se është shumë e rëndësishme që këto të arritura të ruhen e forcohen tutje, ndërsa ri-konfirmoi mbështetjen e saj dhe të USAID-it për Ministrinë e Financave, si një partner shumë i besueshëm i bashkëpunimit me USAID-in.

Në këtë kontekst, ajo e informoi Ministrin Hamza që projekti i USAID-it Aktiviteti për Qeverisje Ekonomike tani më ka filluar së implementuari, ndërsa  njëra prej komponentave të këtij projekti lidhet me mbështetjen e reformave në fushën e menaxhimit të financave publike.

Për më tepër, ajo tha se një tjetër komponentë e këtij projekti është fusha që ka të bëjë me përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, ndërsa një objektivë e re, shumë e rëndësishme, është ajo që ka të bëjë me komunikimin strategjik me bizneset dhe qytetarët në të gjitha fazat e politik-bërjes.

Ministri Hamza dhe drejtoresha e USAID-it  znj. Magno gjithashtu u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy institucioneve, me synim ruajtjen dhe forcimin e mëtutjeshëm të pozitës ekonomike e fiskale të Kosovës.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 korrik 2019 - Ekipi i Luftimit të Brigadës së Këmbësorisë së 44-të, Garda Kombëtare e Ushtrisë së New Jersey do të marrë komandën e MNBG-E nga Ekipi i Luftës së Brigadës së 29-të të Mbrojtjes së Këmbësorisë, Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Hawaii ku menjëherë pas ceremonisë do të mbahet një konferencë shtypi. (Camp Bondsteel, ora 9:00)

- Klinika e Kirurgjisë Vaskulare, në bashkëpunim me Katedrën e Kirurgjisë dhe Fakultetin e Mjekësisë mbajnë mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së Prof.dr. Gazmend Shaqiri. (Amfiteatri i Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, ora 9:00)

- Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës do të mbajë dëgjim publik për Projektligjin e Punës. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit të Auditimit të Kompanisë Regjionale 'KRU Prishtina', të Ndërmarrjes Publike ,,Posta e Kosovës", etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion prej 56 studentësh të programit Akademia Verore, nga 28 shtete të ndryshme. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00)

- Grupi i Aktivisteve protestojnë para policisë në Fushë Kosovë për të mos lejuar që përdhunimet e vrasjet të fshihen brenda mureve të Policise dhe Prokurorise që sipas tyre më së paku i mbrojnë. (Marrshimi nis nga lagja Meshari te pazari për të vazhduar drejt stacionit policor në Fushë Kosovë, ora 14:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 15:00)
 
- Matt Taylor, regjisor i “Rick & Morty Exquisite Corpse”, prezanton filmat e animuar në kuadër të Festivalit Ndërkombëtarë të Filmit të Animuar - Anibar. (Kinema “Jusuf Gërvalla” në Pejë, ora 14:00)

- Në kuadër të aktiviteteve "Ditët e Diasporës 2019" në përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në Deçan behët hapja e Panairit Verorë 2019. (Qendra e qytetit të Deçanit, ora 16:00)
 
- Fondacioni Lumbardhi prezanton ekspozitën 'Kino e artistit' Vladimir Miladinović. (Kinema Lumbardhi, ora 19:30)

- Fondacioni Lumbardhi organizon koncertin e këngëtares kroate te pop dhe jazz, Vesna Pisaroviç Quartet: "The Great Yugoslav Songbook". (Kinema Lumbardhi, ora 21:00)