28 Mars 2024

Të hyrat vjetore nga mëditjet te një person gati sa dyfishi i pagës vjetore

Prishtinë 11 dhjetor - Në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, sot, Instituti GAP publikoi raportin “Lufta” për mëditje: praktikat e institucioneve publike rreth udhëtimeve zyrtare”. 

Nora Latifi – Jashari, Drejtoreshë Ekzekutive në Institutin GAP, theksoi se mëditjet për udhëtimet zyrtare brenda dhe jashtë shtetit përbëjnë një shumë mjaft të madhe të shpenzimit të parasë publike.

Edhe pse nuk ka kufizim për shumën që mund të merret si mëditje nga zyrtarët publik, për shkak se kjo varet nga numri i udhëtimeve dhe ditëve të kaluara në një vend të caktuar, është e rëndësishmë të analizohet se sa buxhet shpenzohet për mëditje, a kanë institucionet e Kosovës një sistem të unifikuar të ndarjes së mëditjeve për udhëtime zyrtare, apo kush vendos që një zyrtar/e i/e caktuar publik të ndjek një trajnim.

Baza ligjore që rregullon udhëtimet zyrtare brenda dhe jashtë vendit duhet të përditësohet dhe të parasheh rastet e ndryshme që mund të hasen nga shërbyesit civilë.

Instituti GAP, gjatë këtij hulumtimi ka realizuar anketa me sekretarë të përgjithshëm të ministrive si dhe me afër 600 shërbyes civil lidhur me aplikimin e politikave aktuale të mëditjeve në Kosovë.

Blendi Hasaj – Hulumtues në Institutin GAP, prezantoi të gjeturat e raportit ku tregoi se shpenzimet e institucioneve të Kosovës për udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë vendit në vitin 2018 ishin rreth 14.7 milionë euro, që paraqet shumën më të lartë të shpenzuar për këtë kategori që nga viti 2014.

Në disa raste, për një person, të hyrat vjetore nga mëditjet janë gati sa dyfishi i pagës vjetore dhe buxheti për udhëtime zyrtare përdoret për t’u paguar mëditje edhe personave që nuk punojnë në institucione publike.

Gjithashtu, ka raste kur paradhëniet nuk kthehen kurrë nga shërbyesit civilë si dhe ndarja e mëditjeve bëhet duke  përdorur tarifa fikse në kundërshtim me vendimin e Ministrisë së Financave.

Edhe pse ekziston një vendim i Zyrës së Kryeministrit të vitit 2008, i cili obligon institucionet që ngjarjet që mbulohen me paratë e buxhetit të Kosovës të organizohen brenda vendit, shumë ministri nuk e zbatojnë këtë vendim.

Sipas anketës së Institutit GAP, 65% e shërbyesve civilë të anketuar besojnë se mëditjet nuk miratohen në baza të arsyeshme dhe meritore.

Po ashtu, mbi gjysma e të anketuarve mendojnë se shpeshherë ka keqpërdorime me mëditje dhe se në rastet kur mëditjet nuk miratohen, nuk ofrohet arsyetim adekuat me shkrim. Së fundmi, një numër i madh i shërbyesve civilë janë shprehur se nuk do të kishin guxim të raportonin për keqpërdorime të mundshme të mëditjeve.

Në fund, Hasaj shpalosi edhe rekomadimet e dala nga ky hulumtim për institucionet relevante e që kanë të bëjnë me rregullimin e bazës ligjore, ndërtimit të një sistemi të besueshëm për raportim të keqpërdorimeve, auditimeve të performancës për udhëtime zyrtare dhe rishikimit të tarifave sipas afateve ligjore.

Shawn Waddoups, Drejtor i Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve mbi Sundimin e Ligjit (INL), nga Ambasada Amerikane në Kosovë u dakordua me rekomandimet e Institutit GAP se shumica e trajnimeve mund të mbahen në Kosovë dhe të shmanget marrja e mëditjeve nga dy burime si dhe të zbatohet një praktikë standarde për aprovim të mëditjeve në linjë me rekomandimet e Instituti GAP dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Znj. Ardiana Sahiti, Auditore e Brendshme në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) theksoi se qëllimi i mëditjeve është që të inkurajojë zhvillimin profesional.

Si pjesë e kontrollit të brendshëm janë të gjitha institucionet publike, ku ZKA raporton në mënyrë të vazhdushme si po shpenzohet paraja publike. ZKA, vitin e kaluar ka dërguar kërkesë tek Qeveria e Kosovës për rishikim të politikave të mëditjeve pasi që Udhëzimi Administrativ aktual është i vjetër, lista e tarifave nuk ka qenë në harmoni me koston e jetesës së vendeve në të cilat udhëtohej dhe se zbrazëtirat ligjore kanë ndikuar në zbatim jo konsistent. Krejt në fund, sipas znj. Sahiti, ZKA rekomandon që të forcohen kontrollet në menaxhimin e paradhënieve të udhëtimit zyrtar dhe të respektohen afatet ligjore për mbylljen e paradhënieve.  
 
Hekuran Murati, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), theksoi se LVV së bashku më akterët tjerë  ka interesim që të hartojë politika të reja të balancuara për menaxhimin efikas të mëditjeve në mënyrë dhe që të sjellin rezultatet në institucionet publike.

Përveç kontributit të panelistëve, rekomandime me rëndësi dhanë edhe shërbyesit civilë nga niveli qendror. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)