03 Korrik 2020

Suokko shprehi gatishmërinë e UNDP-së për vazhdimin e përkrahjes së Kosovës

Prishtinë, 29 qershor - Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, priti sot në takim përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së në Kosovë Maria Suokko.

Në takim u bisedua për situatën socio-ekonomike në vendin tonë si dhe për bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Financave dhe UNDP-së në projekte të ndryshme.

Ministrja Bajrami falënderoi znj. Suokko dhe UNDP-në për angazhimin dhe kontributin e tyre në Kosovë, veçanërisht për ndihmën e UNDP-së ndaj Ministrisë së Financave gjatë pandemisë Covid19.

Ajo gjithashtu shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Financave për thellimin e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta që kanë për qëllim avancimin e qeverisjes së mirë, rritjes së transparencës dhe të mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. 

Ndërsa, përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë Maria Suokko, duke uruar Ministren Bajrami për pozitën e re në krye të Ministrisë së Financave, shprehi gatishmërinë e UNDP-së për vazhdimin e përkrahjes së Kosovës në ndërtimin e një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Korrik 2020

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, viziton Republikën e Shqipërisë ku do të zhvillojë takim me kryeministrin Edi Rama. (Pallati i Brigadave në Tiranë, ora 10:00)

- Ministri  i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, viziton Komunën e Deçanit, ku pritet në takim nga kryetari Bashkim Ramosaj. (Salla e Asamblesë Komunale, Deçan, ora 10:00)

- Ambasadori hungarez në Kosovë, Laszlo Markusz, viziton Komunën e Gjakovës. (Ndërtesa e Komunës, ora 10:45)

- Lëvizja FOL organizon konferencë për media, me ç’rast do të publikoj raportin “Pagesat e Vendimeve Gjyqësore nga Komunat - Vitet 2017, 2018, 2019”. (Zyret e Lëvizjes FOL, ora 11:00)

- Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama mbajnë konferencë e përbashkët për shtyp. (Pallati i Brigadave në Tiranë, ora 11:15)

- Hapet ekspozita “Ditarët e Depresionit” e realizuar nga Ferdi Limani. (Shtëpia e Evropës në Prishtinë, ora 12:00)

- Banorët e lagjes ”Qendra” protestojnë, të pakënaqur me shërbimet komunale. (Rr.“Rexhep Luci”, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! mban konferencë për media në të cilën flasin deputetët Arbërie Nagavci dhe Hajrulla Çeku. (Oborri i Kuvendit të Kosovës, ora 13:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. (Presidenca e Shqipërisë, ora 13:10)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi. (Zyra e Kryetarit të Kuvendit, ora 14:00) 

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. (Zyra e Kryetarit të Bashkisë, ora 14:45)
 
- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti takohet me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. (Zyra e Kryetarit të PD-së, ora 15:30)