18 Nëntor 2019

Stabiliteti i Kosovës është parakusht kyç për tërheqjen e investimeve

Prishtinë, 7 nëntor - Marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, fuqizimi i sundimit të ligjit, luftimi i korrupsionit dhe rritja e stabilitetit të Kosovës dhe tërë rajonit janë kyçe për rritjen e investimeve amerikane.

Kjo u konkludua gjatë një takimi të bizneseve anëtare të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë me Robert Morgan, Zyrtar Ekonomik Rajonal në Zyrën për Çështje të Evropës Jugore dhe Qendrore të Departamentit Amerikan të Shtetit

Në takim me udhëheqësit afaristë të Odës Amerikane, Zyrtari Departamentit të Shtetit, tha se stabiliteti është esencial për tërheqjen e investimeve, duke theksuar se vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është nevojë për rritjen ekonomike.

Ai lavdëroi udhëheqësit afaristë të Odës Amerikane për vazhdimin e ndërtimit të perceptimeve pozitive për Kosovën përmes partneriteteve të tyre ndërkombëtare duke theksuar se shumë biznese në Shtetet e Bashkuara kanë pak informata rreth Kosovës. Angazhimi dhe progresi pozitiv me fqinjët do të ndihmonte në këtë aspekt.

Nga ana e tij, Morgan u zotua se ai do të përçojë në Uashington dhe në mesin e komunitetit afarist të Shteteve të Bashkuara mesazhin për mundësitë e investimeve në Kosovë.

Në fund, Morgan inkurajoi Odën Amerikane të vazhdojë të përdorë ndikimin e saj për të inkurajuar qeverinë e ardhshme të ndërmarrë hapa konkretë në përmirësimin e sundimit të ligjit dhe të mjedisit afarist.

Në anën tjetër, anëtarët e Odës Amerikane, e njoftuan Zyrtarin nga Departamenti Amerikan i Shtetit sfidat dhe mundësitë e të bërit biznes në Kosovë.

Ata shprehën shqetësimet e tyre për sundimin e dobët të ligjit, nevojën e përmirësimit të zbatueshmërisë së kontratave, mungesën e transparencës financiare, si sfida kryesore që aktualisht pengojnë operimin e bizneseve dhe rritjen ekonomike në Kosovë. 

Pjesëmarrësit poashtu theksuan nevojën për konstituim sa më të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, vazhdimin e reformave në mjedisin e të bërit biznes në përgjithësi, reformën fiskale dhe gjyqësore në veçanti, përfshirë këtu edhe krijimin e gjykatës komerciale.

Mes tjerash, gjatë këtij takimi u bisedua edhe për përmirësimin e imazhit të Kosovës, si dhe ngritjen e vetëdijësimit të investitorëve të jashtëm mbi kapacitetet dhe zhvillimet e shumta ekonomike të vendit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 nëntor 2019

- Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media në të cilën do të prezentojë hulumtimin rreth opinionit të bizneseve për marrëveshjen Kosovë-Serbi. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 9:00)

- Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU! me përkrahjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës përmes Programit Matra organizon tryezë në të cilën do të publikohet raporti me titull Qasja në Drejtësi. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Qendra e Inovacionit të Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizojnë ceremoninë e hapjes së Javës Globale të Ndërmarrësisë 2019 në Kosovë. (Menza "Ramiz Sadiku" në Prishtinë, ora 10:00)

- Grupi Tematik për të Drejtat e Fëmijëve në Shëndetësi në kuadër të Koalicionit te OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve organizon konferencën për media në te cilën do të prezantojë një dokumet me të dhëna dhe rekomandime për mbrojtjen e ambientit në Kosovë. (Qendra e Resurseve për OSHC, Forumi për Iniciativa Qytetare në Lagjen Pejton, ora 10:00) 

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it do të organizojë tryezë me titull “Pandëshkueshmëria e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit organizon prezantimin e studimit per Çështjen e Kompleksit të Trepçës dhe Çështjen e Reparacioneve për Krimet e Luftës të kryera në Kosovë në Kontekstin e ‘Finales së Madhe’ eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me PPSE Swisscontact dhe SHB Sharri përuron shtegun turistik të ri Via Ferrata "Panorama". (Gryka e Lumbardhit, 4.5 km nga qendra e qytetit, ora 11:00 - transporti i organizuar nga Komuna e Prizrenit, nisja nga Shtëpia e Bardhë, ora 10:30)

- Në kuadër të aktivitet kulturor kushtuar "Ditet e Alfabetit", promovohet botimi 'Levizja Protestante te shqiptaret 1818-1908" te autorit prof. dr. David Hosaflook. (Biblioteka Kombetare "Pjeter Bogdani", ora 10:30)

- Muzeu Kombëtar i Kosovës hap ekspozitën “Bienalen e Akuarelit Edicioni i 2-të” e cila sjellë vepra arti të artisëve nga 70 vende të botës me rreth 380 piktura. (Muzeu Kombëtar, ora 19:00)

 

- Në kuadër të projektit ' Tell Me More' të perkrahur nga MKRS dhe DKRS dhe të implementuar nga Kuvendi i të Rinjve të Prizrenit do të realizohet shfaqja teatrale në Shtepinë e Kulturës " Xhemajli Berisha ". (Shtëpia e Kulturës në Prizren, ora 20:00)