17 Qershor 2019

Shpend Ahmeti duhet të përgjigjet ku janë 530 mijë €!

Prishtinë, 8 janar - Sot aktivistë të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! Në Prishtinë dorëzuan në prokurori kallëzimin penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për lidhje të kontratës së dëmshme. Me këtë rast aktivisti Valdrin Ahmeti deklaroi:

Para disa ditësh përmes një konference për media ngritëm dyshimin për keqpërdorim në tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e klasëve I-V. Pas kësaj konference pasuan reagime të shumta të zyrtarëve komunal deri te kryetari i Komunës i cili paralajmëroi se do të na padisë për shpifje.

Sot, sapo dorëzuam në prokurori kallëzimin penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës për keqpërdorim të 530 mijë € në tenderin për furnizim me qumësht për nxënësit e klasëve I-V.

Më lejoni ta paraqes para jush njoftimin për kontratë që Komuna e Prishtinës e ka bërë në vitin 2016, me datë 27 shtator, ku në specifikacionet e tenderit shihet qartë se VLERA E PARASHIKUAR E TENDERIT, është 200 mijë €. Saktësisht në parashikimin e Komunës së Prishtinës oferton 'Devolli group' sh.p.k. e cila e fiton tenderin me 200 mijë €. Komuna njofton për dhënie të kontratës më datë 31 tetor 2016 dhe njofton për nënshkrim të kontratës me datë 1 dhjetor 2016. Këtu po flasim për tenderin për furnizim me qumësht për klasët I-V për vitin 2017.

Në vitin 2017, saktësisht në datë 5 tetor, Komuna e Prishtinës pubikon njoftimin për kontratë, ku çuditërisht, VLERA E PARASHIKUAR E TENDERIT nga 200 mijë € sa ishte në vitin paraprak, bëhet 730 mijë €. Njoftimi publikohet përsëri më 30 tetor si RETENDERIM me të njëjtjën VLERË TË PARASHIKUAR TË TENDERIT. Nuk kemi të bëjmë me rritje të çmimit, as dyfishim. Vlera e parashikuar e tenderit është rritur për 530 mijë € nga ana e Komunës së Prishtinës. Nuk po flasim për ofertën që është dorëzuar nga një apo disa operatorë ekonomik. Po flasim për dokumentin që e ka përpiluar Komuna e Prishtinës. Pra Komuna e Prishtinës ka parashikuar rritje prej 365 % të vlerës së tenderit! VETËM RRITJA është 365% e vlerës së tenderit, apo 530 mijë €.

Kësaj rradhe tenderin nuk e fiton më 'Devolli Group' sh.p.k. por tash e fiton kompania me emërtimin "Abrazen". Me datë 28 dhjetor 2017, Komuna e Prishtinës lëshon njoftimin për dhënie të kontratës kësaj kompanie, përderisa më 23 janar 2018 lëshon njoftimin për nënshkrim të kontatës. Kompania Abrazen e fiton tenderin si ofertues i vetëm me çmim 733.698,00 €. Pra vetëm 3 698€ më shumë së parashikimi i Komunës së Prishtinës. Si arriti me kaq saktësi Komuna ta parashikojë ofertën e kompanisë 'Abrazen', përvecse nëse nuk janë marrë vesh më herët.

Pas konferencës sonë u ngritën shumë dyshime në lidhje me kohëzgjatjen e kontratës dhe sasinë e qumështit. Kontratat siç mund ta shihni janë të dyjat një vjeçare, dhe sasia në të dy vitet është e njëjtë. Dhe nuk po flasim për vitin 2014, që sipas zyrtarëve komunalë vetëm është testuar shpërndarja e qumështit por po flasim për vitet 2017 dhe 2018, ku në tender NUK KA asnjë ndryshim të sasisë.

Pra me të njëjtën sasi në vitin 2017 është 200 mijë €. Në vitin 2018 është 733.698,00€.

DALLIMI ËSHTË 533 698 €.

Nësë kontrolloni të dhënat zyrtare, fillimisht kompani ‘Abrazen’ është regjistruar në Kosovë me kapital fillestar nga Malta, që njihet si një nga parajsat fiskale, e nëse gjurmojmë edhe më thellë gjejmë se "Abrazen LTD” me bazë në Maltë është kompani me aksione të fondeve të ardhura edhe nga Anguila, poashtu një nga vendet që njihet si parasjat fiskale.

Më e rëndësishmja është që në 2 rastet, pronarët e vërtetë janë vëllezërit Devolli. Për më shumë drejtori i "Devolli group" sh.p.k. Ernest Jusufi del të jetë edhe anëtar bordi në kompaninë 'Abrazen' në Kosovë. Zyrtarët tjerë të ‘Abrazen’ janë të lidhur të gjithë me Devollin, disa si ish-drejtor të qumështores VITA, disa si anëtar bordi në Z-Mobile.

Me këtë ndryshim në tender nga viti në vit, Shpend Ahmeti ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Prishtinës për mbi 530 mijë €.

Shpend Ahmeti duhet të mbajë përgjegjësi publike morale e politike para qytetarëve të Prishtinës e gjithë Kosovës për këto 530 mijë €, por pas këtij kallëzimi penal ai duhet të mbajë edhe përgjegjësi penale për këtë keqpërdorim flagrant të parasë publike.

Shpend Ahmeti duhet të tregojë ku janë 530 mijë €? Çfarë borxhi i ka Shpend Ahmeti - Devollëve që i ka shpërblyer me 530 mijë €?

Dallaveret e PDK-së me tenderët nëpër varrezat e dëshmorëve si duket tash po marrin formë të re të dallavereve me tender në qumështin për fëmijët nëpër shkolla fillore.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 qershor 2019 - Komuna e Prizrenit nënshkruan kontratë me organizatën Caritas për “Kujdesin Socio-Shëndetësor, shtëpiak dhe ambulator për qytetarët e Komunës së Prizrenit”. (Shtëpia e Bardhë, ora 9:00)

- Komuna e Prizrenit organizon konferencë me temën “Për zhvillim të qëndrueshëm në Rajonin e Zhupës - Kundër Hidrocentraleve”. (Restaurant Fuad-As në fshatin Reçanë, ora 10:00 - transporti i organizuar nga ana e Komunës, nisja nga Shtëpia e Bardhë, ora 9:20)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala interviston Rexhë Gjonbalaj, ish Kryetar i Bordit të Drejtoreve të PTK-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Organizatat e shoqërisë organizojnë Marshin e Refuzimit, i cili do të zhvillohet në kundërshtim të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike. (Marshi do të nis nga sheshi “Skënderbeu”, ora 10:00)

- Në kuadër të fushatës "Të flasim për ekonominë!" të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë mbahet diskutimi në panel "kontributi i Kodit Civil në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe ndërmarrësinë e grave në Kosovë". (Shtëpia e Evropës, ora 10:30)

- Kryeministri Ramush Haradinaj bën homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, me rastin e njëvjetorit të vdekjes së veteranit të luftës së UÇK-së, Hilmi Haradinaj, baba i tre heronjve të kombit. (Kompleksi Memorial në Gllogjan, ora 11:00)

- Drejtori i Administratës në Komunën e Gjilanit, Bardhyl Syla mban konferencë për media lidhur me punën 5-mujore dhe planifikimi për tre muajtë e ardhshëm i drejtorëve të Komunës. (Zyra e kryetarit të Komunës, këndi i konferencave, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja komemorative për të ndjerën Prof. Dr. Mandushe Berisha. (Fakulteti Filologjik, ora 11:00)

- Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi shqyrton kërkesen e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe njoftimi i Komisionit lidhur me vizitën e realizuar në Luginë të Preshevës si dhe diskuton lidhur me tekstet e reja shkollore e riorganizimin e shkollave. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 13:00)

- Lëvizja FOL organizon Forumin e FOL Hapur me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë znj. Apostolova dhe ministrin e Administratës Publike Mahir Yagcilar ku temë diskutimi do të jetë ‘Etika në Administratën Publike”. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 15:00)

- Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Kino Armatën për nder të njëzet vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës organizon Javën e Filmit me shfaqjen e filmave "Ajo" nga More Raça dhe "Martesa" nga Blerta Zeqiri. (Kino Armata, ora 20:00)