18 Prill 2024

Shkalla e papunësisë në Kosovë arrinë në 27 për qind

Prishtinë, 22 dhjetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e dytë (TM2) 2020.

Për shkak të Pandemisë Covid-19 që ka përfshirë Republikën e Kosovës (mesi i muajit mars 2020), rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për TM2 2020 nuk janë publikuar sipas datës së planifikuar në Kalendarin statistikor të publikimeve të vitit 2020.

ASK-ja e pati ndërprerë grumbullimin e të dhënave nga terreni, më 16 mars 2020, andaj grumbullimi i të dhënave nga terreni për TM2 2020 është bërë pas lehtësimit të disa masave nga ana e Qeverisë, së bashku me grumbullimin e të dhënave për TM3 2020.

Grumbullimi i të dhënavë në terren ka rifilluar më 06 korrik 2020 për t’i kompletuar të dhënat për tremujorin e dytë (TM2) dhe të tretë (TM3), dhe ka vazhduar deri më 04 tetor 2020.

Pasi anketa është sipas rotacionit të mostrës me panele, të dhënat më reprezentative do të jenë të disponueshme në raportin përfundimtar për vitin 2020.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat (2/3) e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune.

Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore ishte 33.2%.  

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e dytë (TM2) 2020 ishte 24.1%.

Punësimi me i lartë ishte te meshkujt (36.2%), ndërsa punësimi te femrat ishte 12.1%.

Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 57.4 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 42.3%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 18.7%; arsimi me 11.0%, prodhimi me 10.8%, si dhe ndërtimtaria me 8.7%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 42.9% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme, në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 57.1% kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM2 2020, shkalla e papunësisë ishte 27.2%.

Papunësia më e theksuar ishte te femrat me 31.4%, krahasuar me meshkujt, që ishte 25.7%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare, me 54.1%.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM2 2020, fuqia joaktive ishte mjaft e lartë, me 66.8%, me fokus të veçantë te femrat me 82.4 %, krahasuar me meshkujt, 51.2%.

Për realizimin e AFP-së, TM2 2020, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)