04 Dhjetor 2020

Shifrat e frikshme të FMN-së: Çdo shqiptar pritet të varfërohet në 2020-n

Tiranë, 19 tetor - Të ardhurat për frymë të shqiptarëve në vitin pritet të ulen me 425 dollarë, ose me gati 8% në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas tabelave të përditësuara të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në terma nominalë, të ardhurat për frymë të çdo individi, me çmimet aktuale (në dollarë për frymë) pritet që në vitin 2020 të zbresin në  4,898 dollarë, nga 5,323 dollarë një vit më parë.

Në total, sipas shifrave të FMN-së, vendi pritet të humbasë 1.24 miliardë dollarë këtë vit, shumë që është sa 8% e të ardhurave vjetore në 2019-n.

Kjo tendencë, e rënies së të ardhurave për frymë po konstatohet në të gjithë botën, për shkak të pasojave që dha në ekonomitë globale karantina me synim parandalimin e infeksionit të Covid-19 dhe pasigurive që ende po vazhdojnë, duke ngritur shumë pasiguri për të ardhmen.

Në rajon, Shqipëria (-425 USD) dhe Mali i Zi (-892 USD) pritet të kenë rënien më të lartë të të ardhurave për frymë, për shkak të tkurrjes më të lartë ekonomike të parashikuar për këto vende, që janë të lidhura me turizmin.  

Për maqedonasit humbja do të jetë minimale (90 dollarë më pak) dhe për boshnjakët arrin në -253 dollarë për frymë më pak. Për shtetasit e Kosovës, humbja është -287 dollarë për frymë, me një rënie prej 6.5%.

Në rajon, shteti që ka qenë më rezistent ndaj krizës së Covid-19 është Serbia. Ky i fundit është ndër të pakti në botë, ku FMN parashikon që të ardhurat për frymë nuk do të bien, përkundrazi do të rriten lehtë, me 90 dollarë.

Shqipëria dhe Kosova renditen ndër shtetet më të varfëra të Europës, (pas përfshirë shtetet e Ish Bashkimit Sovjetik). Nga 192 shtete, Shqipëria është e 98-a në listë dhe Kosova e 108-a (4,428 USD për frymë për 2020), sipas vlerësimeve të FMN-së.

 Të ardhurat më të larta për frymë në rajon i ka Mali i Zi, në vendin e 77 në botë (8,825), pothuajse sa dyfishi i trojeve shqipfolëse. Mëpas renditet Serbia, e 80-a (7,382USD), Maqedonia e Veriut e 90-a (6,018), Bosnjë Hercegovina e 92-a (6,015 USD).

Fondi, në Pasqyrën e fundit Ekonomike të Tetorit, vlerëson se tkurrjen më të fortë në rajon pritet ta ketë Mali i Zi me -12%, e ndjekur nga Kroacia, me -9% dhe më pas renditet Shqipëria në të njëjtat nivele me Kosovën (-7.5% secila).

 Të tre shtetet bregdetare (Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria) kanë një varësi të lartë nga turizmi, që ka qenë ndër sektorët më të goditur nga pandemia. Krizën pritet ta ndiejë më pak Serbia, që parashikohet të ketë një rënie prej -2.5%. Maqedonia do të tkurret me -5.4%, kurse Bosnja me -6.5%.

Më herët, Banka Botërore në raportin e saj të fundit të Rishikimit Ekonomik të vjeshtës për Europën dhe Azinë Qendrore, evidenton në seksionin për Shqipërinë, se kriza po shton varfërinë, kryesisht nëpërmjet rritjes së papunësisë.

Sipas vlerësimeve të bankës, pavarësisht masave që janë marrë, varfëria e moderuar (përqindja e popullsisë që jeton me më pak se 5.5 dollarë për person në ditë, të vlerësuara sipas barazisë së fuqisë blerëse, që eliminon diferencat e çmimeve mes vendeve) pritet të rritet me rreth 5 pikë përqindjeje.

Aktualisht, ky tregues sipas tabelave të Bankës është 35.6%. Pas krizës, rreth 41.5% e popullsisë do të jetojë me më pak se 5.5 dollarë në ditë (sipas barazisë së fuqisë blerëse).

Sipas raportit të Bankës Botërore, mbyllja e bizneseve, operacionet e zvogëluara dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dëmtuan prodhimin. Sektori i turizmit, një faktor kyç i rritjes, ka qenë shumë i prekur. Konsumi dhe vendimet për investime janë vonuar.  
/Monitor/
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Dhjetor 2020 - Mbahet seanca fillestare për rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, departamenti Special - krimet e rënda me c'rast avokati mbrojtës do te jep deklaratë për mediet pas seancës. (Gjykata Themelore në Prishtinë, ora 9:30)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti do të mbaj një takim virtual me presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Alexis Mourre dhe Drejtoreshën e Komisionit të Arbitrazhit për Evropë, Laetitia de Montalivet. (Takim virtual, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Emilja Redzepi, do të bëjnë nënshkrimin e kontratave me përfituesit e thirrjes për përkrahjen e OJQ-ve dhe individëve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:00)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime organizon aktivitetin “Tuneli i Fundit” në përkujtim të grave të vrara si pasojë e dhunës në familje në pesë vitet e fundit në Kosovë, dita e dytë. (Përballë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton shkresën e Artan Qerkinit përfaqësues i Malcolm Simmons, ish kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, “Përgjigje në ftesën për të dëshmuar para Komisionit për Legjislacion” si dhe njoftohet me shkresën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Tomas Szunyong, për emërimin e Karin Hernmark Ahliny, Ambasador i Suedisë, anëtar i Bordit  Mbikëqyrës  të Agjencisë Kosovare për Verifikim dhe Krahasim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:15)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston Ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës Arban Abrashin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit te Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Organizata Etea dhe Aleanca Franceze në Prishtinë me mbështetjen e Ambasadës Franceze do të mbajnë takimin e parë të huazimit të librave. (Tek objekti i Aleancës Franceze, ora 11:00)

- Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) mban konferencë për medie lidhur me një hetim ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e energjisë elektrike. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, ora 11:15)

- Kryetari i Delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli dhe ai i delegacionit të Serbisë Veljko Odalovic do të mbajnë konferencë për media lidhur me varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. (Lokacioni i varrezës masive në Kizhevak  të Serbisë, ora 12:00)

- Shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarit N. M., i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, për veprën penale “vrasje e rëndë” pasi qe në  fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i pandehuri dyshohet që pas mosmarrëveshjeve familjare, me një mjet të fortë - shufër metalike, godet bashkëshorten e tij në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtoren e Insitutit Hidrometeorologjik të Kosovës Letafete Latifi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë plotëson listën e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mban konferencë për media me rastin e dorëzimit të padisë për konflikt administrativ kundër vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji”. (Para Pallatit të Drejtësisë, ndërtesa A, ora 14:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla pret në takim ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj ku pjesë e takimit do të jenë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. (Objekti i MPJD-së, ora 14:00)