28 Mars 2024

Sektori bankar, kontribuues në rritjen ekonomike të vendit

Prishtinë, 5 dhjetor - Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë në konferencën vjetore të bankave se sektori bankar i Kosovës, në vitet e fundit ka rritur në masë të konsiderueshme rolin e tij në financimin e rritjes ekonomike në vend dhe se ky zhvillim pozitiv ka sjell përmirësime të vazhdueshme në qasjen në financa, e cila për një kohë të gjatë është raportuar nga bizneset si njëra ndër barrierat kryesore për zhvillimin e afarizmit të tyre.

Standardet më të lehtësuara kreditore dhe zvogëlimi i normave të interesit në kredi sipas tij kanë shërbyer si stimuj të rëndësishëm për rritjen e kërkesës për kredi, duke rezultuar në një rritje vjetore të kredive prej 11.6% në muajin tetor të këtij viti.

Në tetor 2018, norma mesatare e interesit në kredi ishte 6.6%, që paraqet një përmirësim shumë të madh në krahasim me një periudhë jo shumë të largët, kurse norma e kredive joperformuese ishte 2.8%, gjë që pasqyron një gjendje shumë të mirë të cilësisë së portofolit kreditor.

"Këta tregues tregojnë se oferta për kredi është përmirësuar në masë të konsiderueshme. Vëmendje të veçantë dëshiroj t’i kushtoj cilësisë shumë të mirë të portofolit kreditor, e cila flet për menaxhim të mirë të rrezikut kreditor nga bankat, por lirisht mund të shërbejë edhe si një indikator i rëndësishëm i ambientit të favorshëm ekonomik për operimin e bankave në Kosovë”, ka deklaruar Guvernatori Mehmeti.

Në fjalimin para të pranishmëve, Guvernatori Mehmeti ka thënë se zhvillim i rëndësishëm në sektorin bankar është edhe përmirësimi në qasjen ne financa, sidomos në sektorin e bujqësisë dhe sektorin e prodhimit, të cilët në vitin e fundit ka qenë ndër sektorët me rritjen më të lartë të kredive të pranuara.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj është në funksion të mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm të sistemit financiar.

“Ne jemi duke i ofruar sektorit bankar standardet më bashkëkohore të rregullativës dhe mbikëqyrjes financiare, duke bërë që bankat dhe institucionet tjera financiare në Kosovë të operojnë në bazë të rregullave që janë në fuqi në të gjitha vendet e zhvilluara."

"Po ashtu, BQK-ja i ofron sektorit bankar një infrastrukturë moderne financiare. Sistemi i pagesave ndërbankare, një sistem modern, efikas dhe i sigurt, si dhe regjistri i kredive që i ofron bankave shërbimet më moderne në këtë fushë, paraqesin shembuj të mirë për të ilustruar zhvillimin e infrastrukturës financiare në Kosovë”.

Në vitet e fundit, BQK-ja ka rritur angazhimin e saj edhe në funksion të mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve të shërbimeve financiare, duke i shërbyer kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë mbrojtjes së interesit të publikut.

“BQK-ja, që nga fillimi i funksionimit të saj, gjithmonë ka qenë dhe është në mbështetje të plotë të zhvillimit të sistemit financiar, por dëshiroj të theksoj se ne jemi të përkushtuar që të sigurohemi se zhvillimi i institucioneve financiare të bëhet në përputhje të plotë me parimet e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve."

"Në këtë aspekt, ne jemi të vendosur që të rritim edhe më tutje angazhimin tonë në mbrojtje të të drejtave të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare dhe kërkoj nga bankat që të shqyrtojnë me kujdes kërkesat ligjore dhe politikat e tyre për të shmangur çdo pengesë të paarsyeshme, e cila vështirëson ndërveprimin normal ndërmjet qytetarëve dhe sektorit bankar."

"Ne angazhohemi dhe presim që zhvillimi i vazhdueshëm i sektorit bankar të krijojë kushte për qasje më të lehtë dhe me kushte më të favorshme për qytetarët dhe bizneset në shërbimet bankare."

"Me qëllim të mbrojtjes sa më efektive të të drejtave të qytetarëve dhe bizneseve, ne kemi hartuar rregulloren mbi shpalosjen e informacionit nga bankat, si dhe kemi zhvilluar divizionin për trajtimin e ankesave të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare, i cili trajton të gjitha ankesat ndaj institucioneve financiare."

"Kjo është në linjë edhe me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të hartuara nga Kombet e Bashkuara, ku në kuadër të objektivit për rritje ekonomike në nivel global theksohet qartë nevoja e përmirësimit të qasjes në shërbimet financiare për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike."

"Gjithashtu, aktivitetet e edukimit financiar paraqesin një pjesë shumë të rëndësishme të këtij angazhimi, duke e pasur për qëllim informimin sa më të qartë të publikut mbi mundësitë që i ofron sistemi financiar, por edhe mbi të drejtat që ata i gëzojnë gjatë shfrytëzimit të shërbimeve financiare”, ka deklaruar në fund Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, duke theksuar se BQK-ja do të vazhdojë të mbështesë të gjitha aspektet e zhvillimit të sektorit bankar, duke ofruar gjithë infrastrukturën e nevojshme si financiare ashtu edhe rregullatore.

Në panelin e diskutimit me titull ”Financimi i zhvillimit: Bankat për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovë”, zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli ka folur rreth mundësive të ndërlidhjes së sektorit bankar me ekonominë me qëllim të fuqizimit të rritjes ekonomike.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)