16 Prill 2024

Rritja e shpenzimeve për shëndetësinë e arsimin e rëndësishme për rimëkëmbjen ekonomike

Washington, 7 tetor - Ekonomitë e reja dhe në zhvillim të rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore pritet të tkurren me 4,4 për qind këtë vit, recesioni më i rëndë pas krizës botërore financiare të vitit 2008, thotë botimi më i fundit i Përditësimit Ekonomik të Bankës Botërore për këtë rajon, që ka dalë sot.

Rritja pritet të rifillojë në vitin 2021, me një shkallë që shkon nga 1,1 për qind deri në 3,3 për qind. Por perspektiva mbetet tejet e pasigurt dhe risqet anojnë nga rënia.

Ritmi i rimëkëmbjes varet nga kohëzgjatja e pandemisë së COVID-19, nga gatishmëria dhe shpërndarja e një vaksine dhe nga shkalla e përmirësimit të tregtisë dhe investimeve globale. Për pasojë, rritja në këtë rajon mund të jetë edhe më e dobët nga sa pritet nëse përkeqësohet pandemia.

“Në kohëra kaq të vështira, vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore duhet të vështrojnë përtej krizave emergjente dhe të përgatiten për një rimëkëmbje pas krizës e cila do t’i nxjerrë ekonomitë edhe më të forta,” - tha Anna Bjerde, nënpresidente e Bankës Botërore për Rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore.

“Kjo kërkon fuqizim të qeverisjes, përmirësim të klimës së investimeve dhe nxitje të novacionit dhe zhvillimit digjital. Rëndësi kritike do të kenë sidomos investimet e konsiderueshme dhe të qëndrueshme për një arsim dhe kujdes shëndetësor cilësor.”   

Tkurrja ekonomike e nxitur nga pandemia në vitin 2020 pritet ta rritë edhe varfërinë në të gjitha vendet e rajonit.

Të bëra me kufirin e varfërisë prej 3,20 $ në ditë, vlerësimet sugjerojnë se mbi 2 milionë njerëz mund të kalojnë në varfëri. Me kufirin e varfërisë prej 5,50 $ në ditë, që përdoret zakonisht për vendet me të ardhura të mesme të larta, varfëria mund të rritet me deri 6 milionë njerëz.

Pandemia ka cenuar edhe arsimin dhe shëndetësinë në rajon. Virusi ka vrarë tashmë me mijëra njerëz dhe disa të cilët kanë mbetur gjallë do të vuajnë dëme afatgjata të shëndetit.

Mbyllja e shkollave mund të sjellë humbje mësimore të barasvlershme me një të tretën e një viti të plotë shkollimi dhe me gjasë mund të përkeqësojë pabarazitë duke prekur në mënyrë shpërpjesëtimore nxënësit me kushte të pafavorshme.

Një analizë e veçantë në raport konstaton se rritja e mundësive për të frekuentuar arsim të lartë, krahas rritjes së cilësisë së këtij arsimi, por edhe ulja e faktorëve të rreziqeve shëndetësore në popullsinë në moshë të rritur janë me rëndësi kyçe për të një rimëkëmbje e cila do ta nxirrte rajonin më të fortë nga kriza.

Megjithëse vendet e rajonit ofrojnë shërbime relativisht të mira të arsimit bazë dhe shëndetësisë, sipas matjeve në Indeksin e Kapitalit Njerëzor të Bankës Botërore, duhet bërë më shumë që individët dhe vendet të kenë sukses në të ardhmen.

“Vetëm të mbetesh gjallë nuk mjafton, siç nuk mjafton të kryesh vetëm arsimin bazë. Popullsia në moshë të rritur nevojitet të jetë e shëndetshme, aktive dhe produktive gjatë gjithë jetës,” tha Asli Demirgüç-Kunt, Krye-ekonomist i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.

- “Kjo ka sidomos rëndësi për pakësimin e rreziqeve shëndetësore të obezitetit, duhanit dhe konsumit të tepërt të alkoolit të cilat mund ta vënë në rrezik jetën aktive dhe produktive gjatë plakjes dhe për të siguruar që institucionet e arsimit të lartë t’i përgatisin studentët për sfidat e tregjeve të sotme të punës.

Në mbarë rajonin, më shumë 18 për qind e popullsisë është obeze, afro 23 për qind e njerëzve konsumojnë alkool në mënyrë të tepruar dhe afro 26 për qind e pinë duhanin.

Këto rreziqe shëndetësore janë sidomos të larta në Evropën Lindore dhe në Rusi, ku jetëgjatësia e pritur është më e ulëta në rajon. Përhapja e këtyre rreziqeve rrit jo vetëm probabilitetin e sëmundjeve të tilla si ato kardiovaskulare, por edhe pasojat në vdekshmëri dhe sëmundshmëri të sëmundjeve infektive si COVID-19.

Një arsim i lartë cilësor ka rëndësi jetike që njerëzit të vijojnë të jenë konkurrues në tregje pune të cilat ndryshojnë me shpejtësi.

Përmirësimi i arsimit të lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor, të Evropës Lindore, të Kaukazit Jugor dhe të Azisë Qendrore i ndihmon edhe në mbajtjen e një fuqie punëtore të aftë, në kushtet e një emigrimi të vazhdueshëm.

Dallimet gjinore në arsim dhe në shëndetësi në mbarë rajonin janë të kufizuara dhe, aty ku ka, në përgjithësi favorizojnë gratë.

Në fakt, janë burrat ata të cilët duhet të arrijnë nivelet e grave sa i takon arsimit bazë dhe arsimit të lartë, sipas raportit. Por, prania e grave në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM) është ndjeshëm më e ulët se e burrave, në çdo vend.

Kjo ka rrjedhoja të rëndësishme sepse njerëzit me diploma universitare ose pasuniversitare në disiplinat e mësipërme (STEM) kanë më shumë gjasa të punësohen dhe të marrin rroga më të larta.

Ka një hendek të fortë gjinor edhe sa i takon konsumit të duhanit dhe pijeve alkoolike, që janë më të përhapura te burrat. Për pasojë, shkallët e vdekshmërisë janë më të larta për burrat se për gratë në mbarë rajonin, sidomos në Rusi dhe në Evropën Lindore.

Mbyllje e hendekut në rezultatet e djemve në arsimin bazë dhe atë të lartë, rritja e aspiratave të grave për të bërë karrierë dhe hartimi i ndërhyrjeve të politikave si rritja e tatim-taksave mbi produktet e alkoolit dhe të duhanit për ta pakësuar përhapjen e konsumit të tyre te burrat janë sfida të rëndësishme, thekson raporti.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)