25 Prill 2024

Qeveria miraton Projektligjin për ndalimin e lojërave të fatit

Prishtinë, 26 mars - Në hapje të mbledhjes së sotme të kabinetit qeveritar është prezantuar informata lidhur me Sundimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës.

Kryeministri ka informuar kabinetin qeveritar për takimin e nivelit të lartë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin e Qeverisë që ta mbajë në nivel të lartë angazhimin e të gjithë sektorëve qeveritar në përmbushjen e detyrave për të vënë në zbatim sundimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndalimin e lojërave të fatit. Sipas projektligjit ndalohen të gjitha lojërat e fatit me përjashtim të Lotarisë së Kosovës dhe shfuqizohet Ligji për Lojërat e Fatit dhe aktet nënligjore që janë nxjerrë për zbatimin e tij. Ligji do të hyj në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në “Gazetën Zyrtare” të Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar është aprovuar vendimi për ndarjen e 20.295,73 eurove për rregullimin dhe funksionimin e Shtëpisë Muze në Lagjen Lumbardhë (ish-Lagjen e Boshnjakëve) në Mitrovicë.

Është themeluar Këshilli Organizativ për shënimin e 20 vjetorit të intervenimit të NATO-s në Kosovë që do të udhëhiqet nga ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe ku do të përfaqësohen Zyra e Presidentit, Zyra e Kryeministrit, Zyra e Kryetarit të Kuvendit, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe Protokolli i Shtetit të Kosovës.

Këshilli do të organizojë, koordinojë dhe hartojë planin e aktiviteteve për shënimin e këtij përvjetori. Me propozim nga udhëheqja e Këshillit themelohet edhe ekipi për zbatimin e planit të aktiviteteve i cili do të marr detyrat nga Këshilli Organizativ dhe do t’i raportojë këtij këshilli.

Me vendimin e miratuar nga Qeveria është themeluar paneli për rekrutimin e kandidatëve potencial që do të punësohen për projektin kompakt të Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Ky panel  ka për obligim kryerjen e procedurave të intervistimit për rekrutimin e kandidatëve potencial që do të punësohen për projektin kompakt të Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Kabineti qeveritar ka miratuar Planin e veprimit për reformën e investimeve të Qeverisë së Kosovës, i cili paraqet elementet që ndërlidhen me ofrimin e vizionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, përkatësisht investimeve duke synuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Veprimet e Qeverisë të paraqitura në plan janë të strukturuara në fushë të politikave dhe reformave të përcaktuara në Agjendën Rajonale për Reformën e Investimeve: (i) Hyrja dhe krijimi i investimeve; (ii) Mbrojtja dhe mbajtja e investimeve; (iii) Tërheqja dhe promovimi i investimeve.

Është miratuar në mbledhjen e sotme nga kabineti qeveritar edhe vendimi përfundimtar për shpronësime për interes publik të pronave të paluajtshme të pronave dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i projektit të infrastrukturës – Zgjerimi i Rrugës Nacionale „Hyrja në qytetin e Ferizajt“.

Miratimin në parim nga kabineti qeveritar ka marr edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për bashkëpunim në politikën e jashtme. Marrëveshja ka për qëllim bashkëpunimin dhe mbështetjen në baza të praktikave të mira ndërkombëtare dhe të promovimit të parimeve universale për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë.

Parimet bazë të kësaj marrëveshje janë bashkëpunimi dhe bashkërendimi i çështjeve të interesit të përbashkët, konsolidimi i mekanizmave që forcojnë bashkëpunimin diplomatik dhe konsullor administrimin e mirë të burimeve njerëzore dhe infrastrukturore përmes përfaqësimit të përbashkët diplomatik dhe konsullor në shtetet tjera me theks të veçantë në vendet ku është e koncentruar diaspora shqiptare. Marrëveshja siguron edhe mbështetjen e përbashkët në përfaqësimin diplomatik, në shtetet ku të dyja vendet nuk kanë përfaqësim.

Në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe të përgjegjësive, Qeveria ka miratuar Raportin vjetor financiar për vitin 2018, të përgatitur nga Ministria e Financave. Raporti evidenton se të hyrat e përgjithshme buxhetore gjatë vitit 2018 ishin në vlerën 2,009,637,000 euro, ndërsa shpenzimet në total gjatë këtij viti kapin shumën në vlerë prej 1,979,559,000 euro. Pas miratimit nga Qeveria, Raporti dorëzohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka emëruar në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrin e Infrastrukturës dhe Transportit, Betim Reçicën, për një mandat tre vjeçar.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar është informuar për çështjet që lidhen me projektet e investimeve strategjike. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka prezantuar informatën për procesin e zbatimit të Ligjit për investime strategjike. Sipas informatës janë në shqyrtim 11 aplikacione për statusin e investitorit strategjik të përcaktuara me Ligjin për investime strategjike.

Një informatë e veçantë në mbledhjen e sotme është prezantuar edhe për investimet e “Contour Global” për realizimin e projektit për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka prezantuar informatën për procedurën e përmbushjes së kushteve për fillimin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”.

Kryeministri Ramush Haradinaj gjithashtu sot ka kërkuar nga ministritë që në një afat sa më të shkurtër krahas ndarjeve buxhetore të identifikojnë dhe dorëzojnë projektet për Parkun Inovativ në Prizren.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka njoftuar për procesin e iniciativës së nënshkrimit të Marrëveshjes në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor për heqjen e tarifës së roamingut deri në korrik të vitit 2021.

Qeveria ka aprovuar në mbledhjen e sotme Koncept dokumentin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, i cili ka objektiv kryesor pavarësinë institucionale dhe funksionale të këtij agjencioni.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)