25 Prill 2024

Qeveria miraton Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021

Prishtinë, 27 prill - Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ka qenë miratimi i Koncept dokumentin për Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme.

Dhoma e Posaçme funksionon në kuadër të Gjykatës Supreme dhe trajton ekskluzivisht çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Sipas kornizës aktuale ligjore, kjo Gjykatë gjykon në kolegje të përbëra nga gjyqtarë vendorë dhe ndërkombëtarë, këta të fundit të emëruar nga EULEX-i.

Për shkak të përbërjes së përzier të gjyqtarëve të sanksionuar me Ligjin e Dhomës së Posaçme, me përfundimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë më 14 qershor 2018, puna në këtë gjykatë paralizohet në tërësi.

Prandaj, një ndër arsyet kryesore për hartimin e këtij Koncept-Dokumenti është shqyrtimi i opsioneve dhe rekomandimi i opsionit që garanton vazhdimësinë e punës dhe njëkohësisht mundëson përmirësimin e gjendjes së rënduar në këtë gjykatë.

Me vendimin e miratuar sot nga kabineti qeveritar, Avokatura Shtetërore është autorizuar që të bartë lëndët e regjistruara dhe të bëjë delegimin e kompetencave të përfaqësimit në kontestet pasurore-juridike, administrative dhe të arbitrazhit, te autoritetet publike për të cilat Ministria e Drejtësisë ka të drejtën e autorizimit, por jo detyrimin e përfaqësimit në gjykata dhe organe tjera.

Qëllimi i vendimit është funksionalizimi dhe zbutja e ngarkesës së Avokaturës Shtetërore dhe sigurimi i përfaqësimit adekuat dhe profesional të interesave të autoriteteve publike.

Ky organ aktualisht përballet me një numër tejet të madh të lëndëve (19630 lëndë) dhe ka një staf prej 7 avokatësh. Sipas një kalkulimi të thjeshtë, një avokat nga radhët e kësaj zyre është i ngarkuar me 2804 lëndë, shifër kjo jashtë çdo kapaciteti të arsyeshëm njerëzor dhe profesional, çka padyshim ndikon edhe në cilësinë e përfaqësimit.

Qeveria e Kosovës ka emëruar Nehat Thaçin drejtor të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Koncept-dokumenti për trajtimin e kuadrit ligjor të tatimeve dhe procedurave të fushëveprimit të Administratës Tatimore të Kosovës, ka marrë miratimin e Qeverisë.

Koncept dokumenti ka bërë analizën e nevojës së rishikimit të të gjitha ligjeve sipas llojit të tatimit dhe Ligjit për Administratën Tatimore dhe procedurat.

Gjatë rishikimit janë konstatuar mospërputhje të afateve mes ligjeve ndërsa në aspektin përmbajtjesorë janë identifikuar gjatë zbatimit të procedurave nga tatimpaguesit dhe pengesat që janë hasur në praktikë.

Mangësi janë identifikuar edhe nga institucionet jashtë ATK-së dhe zbatimin e kërkesave të ATK-së për zbatim të Ligjit, siç është Policia e Kosovës, etj.

Në mbledhjen e sotme është miratuar Raporti tremujor i buxhetit 2018. Raporti përmban përmbledhjen e të hyrave dhe shpenzimeve të tremujorit të parë të këtij viti, si dhe analizën përmbledhëse të periudhës.

Në këtë periudhë, sipas raportit, janë regjistruar të hyra gjithsejtë në vlerë 408,52 milionë euro, ndërsa shpenzimet janë 413,47 milionë euro. Raporti evidenton se trendi i të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore gjatë kësaj periudhe kanë qenë brenda kufijve të planifikuar.

Kabineti qeveritar ka aprovuar edhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021. Korniza e aprovuar do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo Kornizë Afatmesme e Shpenzimeve reflekton prioritetet strategjike të Qeverisë.

Rritja ekonomike në këtë periudhë parashihet të jetë  5 deri në 5.3 për qind, ndërsa të hyrat buxhetore do të shënojnë rritje për 18.9 për qind. Shpenzimet në këtë kohë do të shënojnë rritje prej 19.3 për qind.

Qeveria ka aprovuar edhe Programin e borxhit shtetëror 2019-20121. Edhe ky dokument do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës për informim. Kosova ka një nivel relativisht të ulët të borxhit shtetëror. Me normën 16.63 të BPV-së rritja e borxhit është brenda kufizimeve ligjore dhe në krahasim me shtetet e rajonit, Kosova qëndron mirë.

Me vendimin e aprovuar për ndryshimin e Vendimit  të Qeverisë 10/141, ministrja e Integrimit Evropian, është emëruar Koordinator Nacional për donacione, IPA, TAIEX dhe programe të tjera që ofrojnë donacione për Republikën e Kosovës.

Me propozimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 40 mijë euro për mbështetjen e projekteve në dobi të komunitetit kroat në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)