10 Gusht 2020

Qeveria duhet ta mendoj opsionin e rritjes së borxhit publik

Prishtinë, 14 korrik - Për shkak të Pandemisë se koronavirusit të ri Covid 19, Kosova është duke u ballafaquar me sfida të shumta.

Kështu deklaron eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu i cili ka kritikuar politikanët e Kosovës, se nuk po punojnë për shtet por për kolltuqe dhe përfitime materiale personale.

Gërxhaliu thotë se, ajo çka e dallon Kosovën prej vendeve të tjera është fakti se të gjitha Qeveritë evropiane luftojnë se si të eliminohen pasojat dhe efektet negative të pandemisë koronavirus, kurse në Kosovë luftohet në disa fronte, “e para është efektet e pandemisë, e dyta ka të bëjë me askeptin social, e treta ka të bëjë me stabilitetin politik i cili po e dëmton dhe po e ngulfatë qytetarin shumë më tepër sesa krizat e para”.

Gërxhaliu shton se, ajo çka duhet të theksohet është ajo që e karakterizon këtë kohë e është që politikbërësit në Kosovë shumë më tepër luftojnë për pushtet sesa për shtet dhe shumë më tepër tentojnë të degradojnë politikën për të ardhë në pushtet sesa për të mbështetur Kosovën në procese.

“Duhet të kuptohet që Kosova sot është në një situatë emergjente dhe si kurrë më parë duhet unifikim politik që të gjithë të bëjnë më tepër për shtet sesa për parti politike, por për fat të keq popullata është duke e pa që lufta për karrige është e pakompromis dhe “makiaviliste””, shton ai.

Gërxhaliu përmend edhe indikatorët ekonomik të cilat e shqetësojnë qytetarin e Kosovës.

“E para ka të bëjë që kemi hyrë në vitin kalendarik 2020 me krizë në krizë, pa buxhet dhe institucione, pa rezerva shtetërore dhe pa rezerva buxhetore dhe kur kësaj i shtohet fakti se kemi tkurrje të hyrave çoftë nga dogana apo tjera është shqetësimi më i madh. Por këtë shëqtësim e rëndon edhe më tepër rënia e pranisë së diasporës, sepse nuk mjaftojnë që paratë e dërguara nga diaspora të jenë veç nëpërmjet transaksioneve bankare. Diaspora ka kontribuar në të kaluarën dhe kontribon e do të kontribuoj."

"Mirëpo efekti më i madh i tyre ka qenë indirekt, kur ata kanë ardhur në Kosovë dhe analizat tregojnë që për dy javë ditë qëndrim në Kosovë mesatarisht familjet nga Kosova kanë shpenzuar 5 mijë, 8 e deri në 10 mijë euro. Dhe paramendoni se sa do të ketë rënie të konsumit në Kosovë që është ndër indikatorët kyç”, shton tutje ai.

Sipas tij, Kosovën e shqetëson fakti tjetër që Qeveria aktuale duhet ta mendoj opsionin e rritjes së borxhit publik.

“Me ligjin mbi financat publike Kosova ka të drejtë 40% të GDP-së, për momenti i ka vetëm 1 miliardë e 373 milionë që do të thotë ka mundësi të rritjes së borxhit me këtë ligj edhe për 1 miliardë e 700 mijë euro. Mirëpo vendet e rajonit borxhin publik e kanë të lejuar 60-70%, prandaj besoj që kjo duhet të jetë alternativa e parë. E dyta është që duhet të punohet në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat janë infuzion ekonomik për Kosovën, qoftë nga komisioni evorpian qoftë nga donatorët. Dhe këtu vjen vërtetë në shprehje ajo bukuria negative që gjenerojnë deputetët e parlamentit të Ksoovës që për interesa partiake dhe për pushtet janë në gjendje të sakrifikojnë edhe ndihma të tilla”, thotë eksperti i ekonomisë.

Prandaj, ai beson që përveç pozitës politike dhe përfitimeve të tjera deputetët duhet që të plasojnë edhe motivim për të tjerët që të jenë pjesë e politikës, por politikë në funksion të shtetit, në interes të qytetarit dhe jo vetëm në interes të kolltukut.

“Dhe e tëra kjo duhet të kuptohet që buxheti aktual në Kosovë është për mjerim dhe nuk duhet të pritet për momentin që do të ketë mrekulli, derisa vendet e rajonit dhe më gjerë i kanë implementuar hapat e katërt në mbështetje të qytetarëve dhe sektorit privat, Kosova edhe më tutje është në pritje të rishikimit të buxhetit, të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, dhe pakoja emergjente 170 euro nuk është e përfunduar ose e pguar. Dhe paramendoni i kemi 240 mijë punëtorë në sektorin privat, si e ndiejnë vetën familjet e tyre që me tre muaj e katër muaj nuk kanë të hyra dhe kur krejt kësaj i shtohet edhe rreziku më i madh që në Kosovë i kemi 25 mijë familje me 4-5 anëtarë që jetojne me 0.83 cent brenda ditës, për çfarë stabiliteti social flitet në Kosovë”, potencon Gërxhaliu.

Ai shton se tash edhe agjencionet armiqësore janë mjaftë aktive në rajon e në veçanti në Kosovë, dhe pyet se a mund të jetë përdorimi i kësaj pakënaqësie sociale një mekanizëm që mund ta cenoj sigurinë në Kosovë në të ardhmen?

“Prandaj është koha kur duhet për shtet të bëhet më tepër dhe jo vetëm të flitet. Politikanët duhet të jenë në interes të shetit dhe jo të pushtetit dhe kolltuqeve përmes të cilave shumë më tepër janë të angazhuar që të përfitojnë tenderë dhe pozita dhe jo të çajnë hallin qytetarit dhe me një çasje të tillë po e futin frikën në Kosovë dhe sëmundja e Kosovës sot është ankthi, çka nesër, si nesër dhe ku të vazhdojmë nesër”, pohon ai.

Sipas tij, duhet të kuptohet që sanimi ekonomik kërkon vërtet përkushtim dhe mobilizim.

“Për momentin, Kosovës i duhet 1 miliarë e 200 e deri 1 miliardë e 400 milionë euro, dhe në këtë drejtim duhet që të unifikohen të gjitha forcat që kjo të realizohet. Përndyrshe në qoftëse një shteti i shkatërrohet sektori privat ardhmërinë do ta ketë vërtetë mjaftë shqetësuese. Dhe kjo nuk i bëhet nderë Kosovës nga ky vend i cili tentohet vetëm të ikët dhe jo për të qëndruar. Për çka është më e keqja, ikin intelektualët, njerëzit e dijes dhe mbesin vetëm ata që janë servil, të pakurrizor dhe shpëtimin e vetëm e gjejnë duke aderuar në parti politike të cilat i shfrytëzojnë për punësim dhe për favore të tjera. Prandaj është koha që sot të bëjmë diçka për Kosovën se kam frikë që nesër do të jetë vonë”, përfundon Safet Gërxhaliu.

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 Gusht 2020

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do t’i vizitojë punimet në hekurudhën e Kosovës, linjën 10, në stacionin hekurudhor në Miradi. (Miradi, ora 10:00 - nisja për medie nga parkingu i Ministrisë së Infrastrukturës, ora 9:30)

-  Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton Raportin e Auditimit për Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2019. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, do të vizitojë Komunën e Malishevës ku do te takohet me kryetarin Ragip Begaj. (Objekti i Komunës, ora 10:00)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi raporton para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit diskuton lidhur me programin legjislativ për vitin 2020 respektivisht të Projektligjeve të Ministrisë së Drejtësisë si dhe për gjendjen në Institucionet Korrektuese në Republikën e Kosovës për shkak të Pandemisë me Covid-19. (Salla e seancave plenare, ora 13:00)

- Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri viziton Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës për të diskutuar rreth rimëkëmbjes ekonomike. (Ndërtesa e TRUST-it, Rruga "Agim Ramadani", ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon konferencën për media ku do të shpalosen gjetjet nga analiza e burimit të problemeve në mos zbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm nga komunat. (Zyrat e KDI-së, ora 11:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione shqyrton raportin e panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit COVID-I9 nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës dëgon dëshmitë e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 14:30)

- Organizata ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani” organizojn takim me shkrimtarin dhe kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja. (Qendra për Edukim dhe Kulturë “Libart” në objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania”, ora 18:00)  .