13 Prill 2021

PDK: 200 milionë euro t'i shpërndahen sektorit privat të prekur nga pandemia

Prishtinë, 8 prill - Nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka mbajtur sot konferencë për media ku ka shprehur shqetësimin lidhur me masat e reja anti-Covid të marra nga Qeveria e Kosovës, të cilat po shkaktojnë dëme në ekonominë e vendit.

Hamza duke theksuar se Qeveria Kurti nuk po e trajton me seriozitet këtë çështje, ka kërkuar që të zbatohet Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike i aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe të fillojnë të shpërndahen 200 milionë eurot për sektorin privat të prekur nga pandemia.

"200 milionë euro janë të ndara për mbështetjen e sektorit privat. Gjithashtu 30 milionë euro janë të ndara dhe të dedikuara për të gjithë të punësuarit që e kanë humbur punën e tyre si rezultat i pandemisë. Bizneset dhe ata që kanë humbur vendet e punës nuk e kanë marrë mbështetjen e shtetit. Sektori i gastronomisë është goditur më së shumti, por janë edhe sektorët tjerë. Mbyllja do të duhej të bëhej me një planifikim më të mirë dhe më të kujdesshëm. Qeveria duhet të ketë masa të qarta, të sakta dhe të zbatojë ligjin.", ka thënë ai.

Hamza ka kërkuar që qeveria të dalë sa më shpejtë me një plan konkret për menaxhimin e pandemisë dhe ndihmës së ofruar për bizneset, sepse përveç kompensimit të pagave dhe qerave, bizneset kanë edhe shpenzime të tjera si fitimi i humbur dhe kreditë, që qeveria nuk do t'ua mbulojë.

Ai ka thënë që qeveria duhet të përkujdeset që të furnizojë vendin me vaksina në mënyrë që të bëhet imunizimi i popullatës.

"Jemi vonë dhe ligji që është miratuar në Kuvend, duhet të zbatohet sa më parë. Pse ne nuk kemi kontratë për furnizim me vaksina, meqenëse paratë janë aty. Është e vetmja mënyrë që të imunizojmë popullin dhe të hapim ekonominë. E dimë që nuk është lehtë, mirëpo nëse vendet e rajonit kanë ardhur deri te 3-4 furnizues, pse ne nuk kemi akoma një kontratë.", ka përfunduar Hamza.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Prill 2021

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në të cilën do të behët konstituimi i Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Basri Maksuti për vepren penale 'Falsifikimi i rezultateve të votimit'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media në të cilën do të behët konstituimi i Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Konstituohet Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Rolling Film Festivali i cili organizohet nga OJQ Roma Versitas Kosovo dhe Romawood mban konferencën për media. (Kino Armata, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Shëndetësi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Fondi i Sfidave të Kosovës organizon eventin online për shpalljen e thirrjes së parë për shprehje interesi, në mbështetje të projekteve të trajnimit bashkëpunues. (Platforma Zoom, ora 11:00)

- Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ambasada e Republikës së Francës në Republikën e Kosovës, nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi. (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 11:30)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis dhe Infrastrukturë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Partia Liberale Egjiptiane do të dorëzojë ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me te drejtën e tyre të mohuar nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme në lidhje orkestrimin e votave nga ana e “Romani Iniciativa” në vendbanime me shumicë të komunitetit Serb në zgjedhjet e parakohshme të 14 Shkurtit. (Gjykata Kushtetuese, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve mban konferencën për media lidhur me një studim hulumtues për qytetarët kosovar që vizituan Shqipërin dhe Malin e Zi, si pasojë e kufizimit dhe mbylljes në Kosovë e që këto patën pasoja ekonomike dhe financiare për vendin tonë. (Zyret e AKB-së, ora 13:30)