19 Tetor 2020

Mungesa e sigurisë juridike të bizneseve pengon zhvillimin ekonomik të vendit

Prishtinë, 16 tetor - Çështjet pronësore përbëjnë një aspekt tejet të rëndësishëm në të bërit biznes, derisa sfida të ndryshme burojnë nga legjislacioni i cili rregullon të drejtat mbi pronën e paluajtshme në vend, shkalla e gjerë e informalitetit në sektorin e pronave dhe zbatimi jo-konsistent i këtyre të drejtave.

Kjo u tha, ndër të tjera, në tryezën e fundit virtuale të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me programin e USAID për Drejtësi Komerciale, ku u trajtua tema e të drejtave pronësore të bizneseve.

Matthew Cullinane, zyrtar për ndërmarrje private në zyrën e USAID për Rritje Ekonomike, tha se qeveria duhet t’u hap rrugë bizneseve përmes krijimit të lehtësirave për procedurat për kryerjen e aktiviteteve të tyre, dhe përmes rregulloreve gjithëpërfshirëse, duke krijuar kështu mundësi më të mira për rritje dhe zhvillim ekonomik.

Cullinane informoi pjesëmarrësit për strategjinë e USAID, e cila është e orientuar nga tregu dhe ndërmarrjet private, derisa theksoi se brenda së njejtës rëndësi e veçantë i jepet zbatimit të arbitrazhit, ndërmjetësimit, dhe metodave alternative për zgjidhjen e kontesteve.

Sipas tij, sistemet ligjore në çdo vend kanë hapësirë për përmirësim, megjithatë një sistem i besueshëm ligjor brenda shtetit sidomos në aspektin komercial, është kyç për të siguruar zhvillimin e sektorit privat dhe rritjen e atraktivitetit të bizneseve para investitorëve të huaj.   

Erblina Krasniqi, avokate dhe përfaqësuese ligjore e kompanisë Tregtia, theksoi se disa nga problemet më kruciale të cilat bizneset i hasin në lidhje me të drejtat pronësore rrjedhin nga burokracia në institucione.

Sipas saj, kjo krijon sfida të mëdha sidomos duke marrë parasysh rritjen e numrit të ndërtimeve të reja që nga koha e pasluftës të cilat tani shpeshherë nuk regjistrohen në mënyrë të mirëfilltë.

Tutje, ajo shtoi se ekzistojnë kontradikta në mes të ligjeve në vend, ku përmendi sfidat në bartjen e pronësisë.

Krasniqi tha se kundërshtimet e tilla ndodhin si pasojë e hartimit të ligjeve nga aspekti individual e jo ai biznesor, gjë që krijon një kolateral të pashfrytëzueshëm pasi që këto prona nuk mund të hipotekohen, shiten apo tjetërsohen.

Për fund, Krasniqi cilësoi se themelimi i Gjykatës Komerciale, e cila tani më ka kaluar fazën e konsultimit publik, do të ishte një avantazh i madh për Kosovën në aspektin e zgjidhjes së kontesteve komerciale.

Kujtesa Nezaj-Shehu udhëheqëse e zyrës si dhe avokate në SDP Kosova, potencoi se në asetet e bizneseve përveç atyre monetare dhe pronës së prekshme, pjesë shumë e rëndësishme është edhe pronësia intelektuale, duke shtuar se kjo pronë është ajo që bën dallimin mes një biznesi dhe konkurentëve të tij.  

Duke u ndërlidhur me sfidat që hasin bizneset në vend, Nezaj-Shehu theksoi se ndërgjegjjësimi ndaj rëndësisë së pronës intelektuale nuk është edhe aq i lartë, gjë që e bën të pamundur identifikimin dhe mbrojtjen e saj.

Ajo theks të veçantë i dha mbrojtjes të së drejtave mbi pronën intelektuale, gjersa bëri thirrje tek bizneset që mbrojtjen e të njëjtave ta shohin si investim, dhe të ndjekin procedurat e nevojshme administrative për të siguruar mbrojtjen e pronave intelektuale si të drejtat e autorit, patentat,  markat tregtare dhe dizajnet, që duhet të regjistrohen në organet kompetente.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 Tetor 2020  - Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka do të merr pjesë në shpërndarjen e lopëve për përfituesit nga thirrja e hapur nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. (Tregu i Kafshëve në Prizren, ora 9:30 - nisja nga Shtëpia e Bardhë, ora 9:00)   

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ish-Ministrin e Ekonomisë dhe Financave Ali Sadriu. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministria e Punëve të Brendshme  do të organizojë ceremoni solemne me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore. (Ndërtesën e Qeverisë, salla P-38, ora 10:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi fillon “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Mbrojtja e viktimave të krimit, mision ynë edhe gjatë pandemisë”. (Platforma zoom, ora 10:00)

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaqi dhe Kryeministri Avdullah hoti marrin pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P-38, ora 10:00)

- Aksioni për Nëna dhe Fëmijë organizon ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve mjekësore dhe mjeteve mbrojtëse kundër COVID-19, për Klinikën Infektive në QKUK, pajisje këto të siguruara nga bashkepunimi i AMC dhe LDS Charities. (Barnatorja Qëndrore e QKUK-së, ora 11:00)  

-  Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës voton kërkesën për pezullimin e lëshimit të lejeve të reja dhe rilicencimin e hidrocentraleve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303 Koha: 11:00)

- Partia Demokratike e Kosovës mban konferencë për media. (Oborri i Kuvendit të Kosovës, hyrja nga sheshi, ora 11:30)

-  Kryeministri Avdullah Hoti takon deputetët e komunitetit jo shumicë për të diskutuar planin për zbatimin e programit për rimëkëmbje ekonomike. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00 - vetëm pamje)

- Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të bëjë pranimin e 215 tabletëve nga OSBE-ja. (Ambientet e MASh, ora 12:30)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë interviston ishish kryesues i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Gjilanit në të cilen do te votohet propozim vendimi për ndarjen e 200 bursave për student të Komunës së Gjilanit për vitin akademik 2019/2020. (Salla e mbledhjeve të KK-Gjilan, ora 13:00)

- Mbahet takimi i radhës i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur. (Ndërtesa e Qeverisë, Salla P38, ora 14:00)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 16:00)