26 Shkurt 2021

MPMS gjatë pandemisë shkeli të drejtat e personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik

Prishtinë, 20 janar - Qendra për Ndihmë Juridike (QNJ) e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), publikon raportin “Paligjshmëria e MPMS-së ndaj personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik”.

Integrimi në shoqëri i personave me nevoja të veçanta pa dyshim se mbetet një nga obligimet më të rëndësishme të të gjitha shteteve të cilat kanë obligim kushtetues promovimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Mos trajtimi i kësaj kategorie shoqërore sipas nevojave të tyre paraqet diskriminim.

Kosova ka miratuar Ligjin Nr.05/L-067 për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik, i cili rregullon statusin dhe të drejtat e personave të cilët si shkak i sëmundjes apo dëmtimit, kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e zhvendosjes dhe lëvizjes së ekstremiteteve të poshtme apo të sipërme. Përfituesit sipas këtij ligji mbrohen nga të gjitha format e diskriminimit, përfshirë edhe të drejtën për kompensim të caktuar nga buxheti i Republikës së Kosovës si dhe përfitime të tjera.

Edhe përkundër kësaj, nga monitorimi i IKD ka rezultuar se gjatë periudhës së pandemisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), ka vepruar në kundërshtim me obligimet kushtetuese dhe ligjore, duke kufizuar të drejtat e kësaj kategorie të personave.

Në bazë të pesë (5) rasteve të cilat QNJ-IKD i ka pranuar gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2020, ka rezultuar se MPMS-ja ka bërë rivlerësimin e personave të cilët kanë fituar statutin e personave paraplegjik dhe tetraplegjik që nga viti 2017, duke mos respektuar obligimet që dalin me ligjin dhe rregulloren që e trajton këtë çështje, pasi ka vendosur të bëj rivlerësimin e tyre pa i ftuar palët në ekzaminim fizik, duke u mjaftuar vetëm me dokumentacionet mjekësore të cilat palët i kanë dorëzuar në vitin 2017, kur ata edhe e kishin fituar këtë status.

Përveç tyre, sipas të dhënave të MPMS-së, në procesin e rivlerësimit gjatë periudhës së pandemisë (mars-dhjetor 2020), pas refuzimit të palëve që më parë kanë qenë përfitues të Ligjit, janë bërë 319 ankesa, 261 prej të cilave janë refuzuar edhe në shkallën e dytë të MPMS-së, përmes disa vendimeve kryesisht shabllone.

Ndërsa, edhe pse përmes procedurës ankimore përcaktohet që të eliminohen gabimet eventuale të shkallës së parë, në praktikë rezulton se Komisioni i Ankesave i MPMS-së ka bërë gabimin e njëjtë duke mos përmirësuar shkeljet e komisioneve vlerësuese.  Një qasje e tillë ka ndikuar në kufizimin e të drejtave të garantuara me ligj për personat që kanë fituar statutin e personave paraplegjik dhe tetraplegjik.

QNJ-IKD rekomandon që duke marrë parasysh periudhën e vështirë me pandeminë Covid-19, MPMS-ja duhet që të ndal mohimin e të drejtave ligjore të personave të cilët tash e tre (3) vite marrin kompensim nga MPMS-ja dhe në një periudhë sa më të shpejtë kohore të bëj edhe një rivlerësim për personat që janë rivlerësuar pa u bërë ekzaminime fizike në zyrat rajonale të ministrisë.

Për më tepër, gjeni të bashkangjitur raportin e QNJ-IKD-së “Paligjshmëria e MPMS-së ndaj personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Shkurt 2021

- Mbahet mbledhja e dytë e rregullt e Kuvendit Komunal të Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në objektin e ri të komunës, ora 10:00)

- Këshilli Organizues ''Pranvera Shqiptare 81'' do të bëj nderime dhe do të vendos lule te varri i varri i Adem Demaçit. (Velani, ora 11:00)

- Organizata Etea, përmbyllë fazën e parë të projektit “Biblioteka Qarkulluese me strategjitë e lexim kuptimit”. (Kino Armata, ora 11:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve në fushën e trashëgimisë kulturore. (Parku arkeologjik "Ulpiana", ora 12:00)

- Këshilli Organizues ''Pranvera Shqiptare 81'' organizon tryezëm përkujtimore për Adem Demaçin në 85 vjetorin e lindjes. (Instituti Albanologjik në Prishtinë, ora 13:00)

- Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike mban konferencën për media me rastin e dorëzimit të Padisë për Konflikt Administrativ kundër Lejes Ujore për Hidrocentralin Brezovica në Shtërpcë të Lëshuar nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit. (Para Pallatit të Drejtësisë, Ndërtesa A, ora 14:00)

- Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi mban konferencë lidhur me progresin në procesin e rinumërimit dhe të aktiviteteve tjera që po zhvillohen në këtë qendër. (Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ora 15:00)