28 Mars 2024

Miratohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike COVID - 19

Prishtinë, 22 korrik - Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, ka mbajtur mbledhjen e 15-të të rregullt, në të cilën ka miratuar projektligje dhe vendime nga fushat e saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Kryeministri Hoti në fillim të mbledhjes së Qeverisë e ka njoftuar kabinetin qeveritar për procesin e dialogut të zhvilluar deri më tani në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duke bërë të ditur se ka bërë kërkesë për raportim në Kuvend këtë të premte lidhur me këtë proces.

Kryeministri Hoti ndër të tjera tha se në dialog hyjnë me objektiva të qarta për të përmbyllur këtë proces, e jo për dialog teknik, dhe se në përputhje me vendimin e qeverisë dhe platformën e saj e ka emëruar z. Skender Hyseni, koordinator shtetëror për proces të dialogut i cili tash ka marrë përsipër gjithë organizimin e këtij procesi të rëndësishëm.

Me vendimin e parë që është miratuar në këtë mbledhje të Qeverisë është aprovuar Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike – COVID – 19, qëllimi i të cilit është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Republikës së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Me këtë rast do të plotësohen dhe ndryshohen ligjet si në vijim:

- Ligji për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore;
- Ligji për Fondet Pensionale të Kosovës;
- Ligji për Tatimin në të Ardhurat Personale;
- Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar;
- Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë;
- Ligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave;
- Ligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat; dhe
- Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ky ligj do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e Projektit Emergjent COVID -19 për Kosovën.

Marrëveshja i siguron Republikës së Kosovës një kredi në shumën prej 46 milionë eurove, me normë të ulët interesi dhe me një periudhe të shlyerjes 20- vjeçare dhe një periudhë greis prej 5 vitesh. Kredia do të përdoret për rritjen e kapaciteteve shëndetësore në menaxhimin e pandemisë COVID-19 si dhe në sanimin e pasojave të pandemisë.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për themelimin e Ekipit Nacional për hartimin e Strategjisë për Specializim të Mençur.

Më këtë vendim shfuqizohet vendimi i mëparshëm  i datës 07.08.2018 dhe qëllimi i plotësim-ndryshimit të këtij vendimi është që të reflektojë strukturën e re organizative të Qeverisë si dhe duke u mbështetur në përvojat e vendeve tjera që kanë kaluar në këtë proces.

Vendimi siguron një gjithëpërfshirje më të madhe të sektorit qeveritar, biznesit, akademisë dhe shoqërisë civile. Ekipi Nacional është përgjegjës për hartimin e Strategjisë për Specializim të Mençur, në përputhje me udhëzimet e Joint Research Centre të Komisionit Evropian.

Gjithashtu në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar edhe Plani i Veprimit 2020-2021 për zbatimin e Strategjisë për Përmirësimin e Planifikimit dhe Koordinimit të Politikave “Sistemi i Planifikimit të Integruar” 2017-2021, i cili ka për qëllim zbatimin e Strategjisë për Përmirësimin e Planifikimit dhe Koordinimit të Politikave në Kosovë që përbën njërën nga tri strategjitë kryesore që ndërlidhen me Kornizën Strategjike të Kosovës për Reformën e Administratës Publike, së bashku me Strategjinë për Rregullim më të Mirë 2014-2020, Strategjinë për Modernizimin e Administratës Publike 2015-2018 dhe Strategjinë për Reformën e Menaxhimit të Financave Publike.

Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e katër anëtarëve të Bordit në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi për t'i kërkuar Presidentit të Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për  ministren e Financave për nënshkrimin e Amendamentit Nr. 1 të Marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Qeverisë Hungareze, lidhur me Programin Kornizë për Bashkëpunim Financiar. Qëllimi marrëveshjes është ofrimi i një kredie të butë në vlerë prej 62 milionë euro. Sipas marrëveshjes sektorët që mbështeten nga ky financim janë ai i ujit dhe ujërave të zeza dhe sektori i infrastrukturës. 

Me vendim të Qeverisë së Kosovës në mbledhjen e sotme është themeluar Grupi Punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështjet e Reformës në Sistemin e Drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies duke mos përjashtuar edhe Vettingun. Grupi Punues do ta ketë këtë përbërje:

1. Përfaqësues nga Grupi i Ekspertëve të pavarur sipas pikës 1 të vendimit nr. 08/04 të datës 28.02.2020;
2. Një përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit;
3. Një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë;
4. Një përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës;
5. Një përfaqësues nga Këshilli Prokurorial i Kosovës;
6. Një përfaqësues nga Agjencia Kundër Korrupsionit;
7. Një përfaqësues nga Policia e Kosovës;
8. Një përfaqësues nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë;
9. Një përfaqësues nga Oda e Avokatëve të Kosovës, si dhe
10. Përfaqësues tjerë nga sistemi i drejtësisë.

Ndërsa do të ftohen në rolin e këshillëdhënësit, përfaqësues nga:

1. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë;
2. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës;
3. Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar;
4. Ambasada e Gjermanisë;
5. Ambasada e Italisë;
6. Ambasada e Francës;
7. Përfaqësues nga Misioni i OSBE-së; si dhe
8. Përfaqësues tjerë nga Shoqëria Civile.

Janë miratuar nga Qeveria e Kosovës Vendimi Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme/Ndërtesës- Lokaleve Afariste të cilat janë nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit të cilat preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Sheshit të Qytetit” në Obiliq, si dhe Vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i “Poligonit Kryesor të Trajnimeve” për nevoja të FSK-së, Zona Kadastrale: Babaj të Bokës, Shishman i Bokës, Popoc, Ponoshec, Cerret dhe Devë të Komunës së Gjakovës.

Qeveria ka riaprovuar Raportin Vjetor Financiar për vitin 2019, që ka të bëjë me shënime plotësuese të të dhënave për buxhetin e planifikuar, përkatësisht aspektit të paraqitjes së burimit të financimit dhe refleksioneve përkatëse, ndërsa nuk ka ndryshim të pozicioneve të raportuara me raportin e mëhershëm financiar për vitin 2019. Ky raport i rishikuar dhe plotësuar i dorëzohet përsëri Kuvendit të Kosovës si dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit, që do të shërbejë si bazë për raportin final dhe opinionin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, është aprovuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të datës 19.02.2019, lidhur me Komisionin për kontrollin e tregtisë me mallra strategjike, përmes të cilit është zëvendësuar anëtari i komisionit i cili ka kaluar në mision diplomatik.

Qeveria e Kosovës në përputhje me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 19.02.2020, Arben Çitakun e ka ricaktuar në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë mbledhje është themeluar Komiteti Ndërministror për përzgjedhjen e projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Komiteti do të ketë këtë përbërje:

1. Kryesues i Komitetit – z. Besnik Tahiri, Zëvendëskryeministër i Parë;

2. Anëtar i Komitetit – ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit;

3. Anëtar i Komitetit, ministri i Tregtisë dhe Industrisë;

4. Anëtar i Komitetit, ministër i Ministrisë së Infrastrukturës;

5. Anëtar i Komitetit, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale;

6. Anëtar i Komitetit - Përfaqësues nga Familja Jashari;

7. Anëtar i Komitetit - Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës;

8. Anëtar i Komitetit - Drejtori i Muzeut të Kosovës;

9. Anëtar i Komitetit - Drejtori i Institutit të Historisë;

10. Anëtar i Komitetit - Drejtori i Institutit Albanologjik;

11. Anëtar i Komitetit – z. Bekim Jashari, kryetar i Komunës së Skenderajt;

12. Anëtar i Komitetit - Përfaqësues nga Shoqata e Arkitektëve dhe

13. Anëtar i Komitetit - Përfaqësues nga OVL e UÇK-së.

Po ashtu, në këtë mbledhje të Qeverisë, Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj- Halimaj ka informuar rreth zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka informuar kabinetin qeveritar për tri projekt-aktet nënligjore që derivojnë nga Ligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë dhomave të Specializuara,  të cilat do t’i nënshkruajë sot. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)