20 Prill 2024

Miratohet në parim Projektbuxheti 2021

Prishtinë, 28 dhjetor - Me 64 vota për, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim Projektligjin për buxhetin e vitit 2021.

Për miratimin në lexim të parë të këtij projektligji nuk votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkaq, më 29 dhjetor, pritet që të votohet në lexim të dytë ky projektligj.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të pushtetit dhe opozitës, debatuan rreth Projektligjit për buxhetin për vitin 2021. Seanca e jashtëzakonshme u thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me qëllim që të miratohet buxheti përpara se të shpërndahet kuvendi dhe të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Shpërndarja e Kuvendit të Kosovës pritet të ndodhë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 21 dhjetor, tha se qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese.

Ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami, kërkoi nga deputetët e kuvendit që të votohet Projektbuxheti, në mënyrë, siç tha ajo, të mos bllokohen institucionet e Kosovës.

Bajrami, tha se “Projektbuxheti trajton dy prioritete: përballjen me pandeminë dhe krijimin e kushteve për rimëkëmbjen e ekonomisë”.

“Të nderuar deputetë, miratimi i këtij projektligji, sot do të dërgojë sinjal të duhur te komuniteti i biznesit dhe në masë të madhe do të zvogëlojë pasigurinë eventuale në ekonomi, e cila mund të shfaqet nëse kjo legjislaturë do të shpërndahej pa miratuar buxhetin 2021. Po, ashtu miratimi i këtij Projektbuxheti dërgon sinjale pozitive edhe tek institucionet financiare ndërkombëtare dhe në përgjithësi te partnerët tanë ndërkombëtarë, që na kanë ndihmuar shumë në përballje me pandeminë”, tha Bajrami.

Bajrami ka përkujtuar se pa miratimin e këtij Projektbuxheti, nuk mund të zbatohet edhe Ligji për rimëkëmbje ekonomike, i miratuar më 4 dhjetor, që ka për qëllim rimëkëmbjen ekonomike të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

“Është paraparë Fondi për rimëkëmbje prej 182 milionë euro. Një pjesë e konsiderueshme është destinuar për sektorin e shëndetësisë, shpenzime këto, të cilat janë të ndërlidhura me mbulimin e kostos së vaksinës dhe shpenzime të tjera për përballje me pandeminë. Ky sektor do të ketë buxhet më të madh për vitin 2021”, theksoi Bajrami.

Projektbuxhetin e propozuar nga ministrja në detyrë, Hykmete Bajrami, e kanë kundërshtuar deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje. Liburn Aliu, në emër të Grupit Parlamentar të kësaj partie, tha se qeveria në detyrë e udhëhequr nga Avdullah Hoti, nuk ka të drejtë të sjellë në kuvend Projektbuxhetin 2021, për shkak se është jolegjitime.

Ai tha se në Projektbuxhetin aktual nuk ka rritje të mjeteve për sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, por ky buxhet është fokusuar në infrastrukturë.

“Dhe ju përpiqeni që shpejtë e më shpejtë të bëni edhe diçka më zi. Prandaj, që në fillim, legjitimiteti juaj nuk ekziston. Ju nuk keni të drejtë të sillni projektbuxhet. Dhe po vazhdoni të bëni zi edhe këto pak ditë që iu kanë mbetur. E kjo zi, që po mundoheni ta bëni është me këtë projektbuxhet që keni sjellë”, tha Aliu.

Edhe Bedri Hamza, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ka kritikuar përgatitjen e Projektbuxhetit, madje e ka quajtur, buxhetin më të dobët të përgatitur ndonjëherë nga një qeveri. Megjithatë, ai ka thënë se PDK-ja, do votojë për interesa të qytetarëve, në mënyrë që mos të bllokohet shteti.

Por, sipas Hamzës, është e domosdoshme rishikimi i buxhetit nga qeveria e ardhshme, në mënyrë që të përmirësohet.

“Ne do të votojmë buxhetin me gjithë këto vërejtje, jo për qeverinë sepse qeveria ka rënë dhe vendi shkon në zgjedhje. Kam dëgjuar se ka kohë për të votuar buxhetin. Por, nëse zgjedhjet mbahen në fillim të muajit janar dhe në fillim të muajit shkurt, deri sa të certifikohen (v.j. rezultatet e zgjedhjeve) e dimë se sa kohë shkon. Pastaj, deri në konstituimin e institucioneve do lëmë vendin pa buxhet dhe në bllokadë totale. Për ne ka qenë prioritet shteti dhe interesi i qytetarëve dhe për këtë do votojmë”, tha Hamza.

Deputeti Gazmend Abrashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke mos anashkaluar problemet ekonomike që kanë ndodhur gjatë këtij viti për shkak të pandemisë, tha se Ligji për rimëkëmbjen ekonomike, zbatimi i të cilit do mundësohet nga votimi i Projektbuxhetit, do të lehtësojë humbjet financiare që kanë ndodhur.

“Përmes lirimeve dhe lehtësirave fiskale, që pritet t’i bëhet sektorit privat, do të jetë stimulim shtesë për shtimin e aktivitetit ekonomik, mbajtjen e vendeve ekzistuese të punës dhe krijimin potencialisht të vende të reja të punës, të cilat masa pritet të kenë ndikim edhe në rritjen agregate dhe rritjen e të hyrave buxhetore”, tha ai.

Projektligji për buxhetin e vitit 2021 kap vlerën e 2.4 miliardë eurove.

Nëse buxheti nuk miratohet deri më 31 dhjetor, kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.

Ky ligj nuk mund të zbatohet më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)