22 Maj 2019

Miku i Blerand Stavilecit dhe Kadri Veselit punësohet inspektor në ATK

Prishtinë, 16 maj - Vllaznim Krasniqi, ish-këshilltari i ministrit të zhvillimit ekonomik, Blerand Stavileci është në mesin e 20 inspektorëve të punësuar së fundmi në Administratën Tatimore të Kosovës.

Vllaznim Krasniqi është renditur i dhjeti me 81.5% të pikëve, duke dalë më i mirë se 502 kandidatë të tjerë që i janë nënshtruar testit me shkrim në konkursin e ATK-së për inspektorë.

Krasniqi ka qenë këshilltari i Blerand Stavilecit, gjatë kohës sa ky i fundit ka qenë ministër i zhvillimit ekonomik. Përveç Stavilecit, Krasniqi ka afërsi edhe me Kadri Veselin, me të cilin shihet duke pirë kafe në një lokal.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Krasniqi thotë nuk ka hyrë në ATK me ndihmën e Partisë Demokratike të Kosovës.

Thotë se është punësuar në ATK përmes konkursit dhe me meritë.

“Nuk ka pas ndikim politik, jam qe dy vite pa punë, ju kam nënshtruar të gjitha procedurave të konkursit, përfshi testin me shkrim dhe intervistën me gojë, dhe kur kanë përfunduar të gjitha procedurat e rekrutimit jam përzgjedh mbi bazë të kritereve të përcaktuara me konkurs”, tha Krasniqi.

Krasniqi kërkoj të dinte se pse nuk është pyetur kurrë se a po mundet me ia dalë pa punë qe dy vite.

“Pse nuk me keni thirr qe dy vite që jam pa punë me më vet a po mundesh  me ja dal, ki familje ki fëmijë mi”, pyeti Krasniqi.

Gjatë këtyre ditëve KALLXO.com, ka raportuar se në mesin e inspektoreve të punësuar në ATK, janë edhe ish Sekretari i PDK-së, në Mitrovicë, Murtez Zeqiri, kusheri i zv. Ministrit të Financave, motra e deputetes Vjosa Osmani si dhe një ish-kandidat I AAK-së për Asamblenë Komunale të Drenasit.

Konkursi për inspektorët e rinj ishte shpallur në mars të vitit 2019. Në të kanë aplikuar rreth 2,000 kandidatë, ndërsa 512 kandidatë janë i kanë plotësuar kriteret minimale dhe janë thirr në test. Në fund vetëm 20 janë përzgjedhur.

Pas shpalljes së konkursit BIRN kishte kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës që t’i lejohej monitorimi i këtij procesi të rekrutimit.

ATK nuk e ka lejuar BIRN-in të monitorojë këtë proces përkundër faktit që Ministria e Administratës Publike kishte dhënë interpretim të ligjit dhe rregulloreve në fuqi që monitorimi nga ana e shoqërisë civile nuk ndalohet me ligj dhe se i takon institucionit të vendosë për të lejuar apo mos lejuar monitorimin. Por, menaxhmenti i ri i ATK-së kishte vendosur që mos të lejojë BIRN-in.

Kërkesat e BIRN ishin refuzuar me arsyetimin se kjo mund të shfrytëzohej si model edhe nga organizatat e tjera  që të kërkonin leje për monitorimin e proceseve të rekrutimit në ATK.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 maj 2019 - Ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Fatmir Matoshi, do të pres në takim ministrin e Mjedisit dhe Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi, me të cilin do të diskutojnë mbi bashkëpunimin mes dy ministrive në fushën e mjedisit. (Kabineti i ministrit Matoshi, ora 9:00)

- Mbahet takimi i Grupit të Vecantë për Reformën e Administratës Publike GVRAP. (Ministrinë e Administratës Publike, salla e takimeve kati 18, ora 9:30)

- Instituti për Politikë të Jashtme të Kosovës organizon konferencën 'Politika e jashtme e Kosovës në këndvështrim shkencor'. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Shoqata e Inovacionit Financiar mban konferencë për media në të cilën prezanton aktivitetet e shoqatës. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, do të takohet me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, i cili do të jetë i shoqëruar nga  kryetarët e Bashkive të Vlorës dhe Himarës, përkatësisht Dritan Leli dhe Jorgo Goro, si dhe nga një grup operatorësh turistikë. (Ndërtesa e Ministrisë së Tregtisë, ora 10:30)

- Shefi i Komandës së Bashkuar të  Aleancës në Napoli, admiralit James Foggo viziton Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. (Ministria e Mbrojtjes, ora 11:15)

- Grupi i asambleistëve të Prishtinës, mbajnë konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 11:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit mban dëgjim publik për Projektligjin për Referendum. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 405, ora 11:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkë organizim më MASHT, Universitetin e Prishtinës, komunën e Dragashit, OJQ- të mjedisore  do të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit. (Kampingu “Limth”, në hapësirat e Parkut Kombëtar “Sharri”, komuna e Dragashit, ora 12:00)

- Në shenjë nderimi dhe respekti për të rënët dhe të gjithë ata që përjetuan masakrën në burgun e Dubravës më 1999 mbahet tubimi përkujtimor për shënimin e 20 vjetorit të kësaj masakre. (Hapësirat e burgut të Dubravës, ora 12:00)

- Zyra e Koordinatores Zhvillimore të OKB-së, së bashku me Komunën  e Obliliqit dhe Let’s do it Kosova organizojnë aktivitet të mbjelljes së fidanëve në Ditën Ndërkombëtare të Biodiverzitetit. (Banesat e Plemetinës në fshatin Plemetinë, Komuna e Obiliqit, ora 14:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës organizon Ditët e Kuvendit me qytetarët e Lipjanit. (Kuvendi Komunal i Lipjanit, orën 14:00)