20 Prill 2024

MD në fazat përfundimtare për prezantimin e Projektligjit për Gjykatën Komerciale

Prishtinë, 13 nëntor - Gjykata Komerciale përfaqëson një avantazh mjaft të rëndësishëm për fushën e të bërit biznes pasi që ofron zgjidhje të kontesteve komerciale pa tejzgjatje të vendimmarrjes ndërinstitucionale, sfidë kjo me të cilën janë ballafaquar bizneset deri më tani.

Megjithatë, proces tjetër mjaft favorizues për bizneset është edhe ai i arbitrazhit. Këto u thanë gjatë një forumi virtual të organizuar sot nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, dhe Programi i USAID për Drejtësi Komerciale, me Ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi.

Ministri i Drejtësisë për Republikën e Kosovës Selim Selimi, gjatë këtij diskutimi theksoi se tanimë Ministria që ai drejton është në fazat përfundimtare për prezantimin e Projektligjit për Gjykatën Komerciale.

Ai po ashtu potencoi se me funksionalizimin e kësaj Gjykate po krijohet një shtyllë e re e sistemit të drejtësisë në vend, derisa shtoi se nenet dhe kapitujt që përbëjnë këtë Gjykatë, do të mjaftojnë për lirimin e kapitalit dhe njëkohësisht do t’i bëjnë më efektive interaksionet mes personave qoftë fizik apo juridik në zgjidhjen e kontesteve komerciale.

Duke elaboruar tutje për përmbajtjen e projektligjit, Ministri theksoi se Gjykata Komerciale do të përbëjë një adresë të vetme për adresimin e çështjeve komerciale, ndërsa rekomandoi bizneset të përdorin arbitrazhin si metodë shumë e shpejtë dhe efektive për zgjidhjen e kontesteve.

Vjosa Shkodra, zëvendës drejtoreshë e Programit të USAID për Drejtësi Komerciale, potencoi se me implementimin e programit që ajo përfaqëson, ideja dhe qëllimi i themelimit të Gjykatës Komerciale ka qenë në proces e sipër, dhe është paraparë në kuadër të rishikimit funksional të sundimit të ligjit.

Duke u ndërlidhur me proceset e kryera drejt themelimit të kësaj gjykate, Shkodra përmendi se të drejtat e bizneseve garantohen me Kushtetutën e vendit, ndërsa theksoi se përveç hapësirave ligjore për trajtimin e çështjeve të caktuara, është adresuar edhe ekzekutimi i vendimeve ose prapësimi i tyre në procedura të përmbarimit kur janë në kontest bizneset.

Tutje ajo shtoi se për Gjykatën Komerciale është kërkuar një numër më i madh i gjykatësve, gjë që mund të shërbejë në adresimin e njërit prej problemeve që sistemi gjyqësor ka hasur deri më tani.

Jason Emert, arbitër në Qendrën e Arbitrazhit në Odën Amerikane tha se arbitrazhi dhe Gjykata Komerciale funksionojnë së bashku gjersa theksoi edhe përparësitë që arbitrazhi sjell në zgjedhjen e kontesteve komerciale.

Duke iu referuar zbatimit të arbitrazhit në Shtetet e Bashkuara, Emert tha se ka një trend pozitiv në përdorimin e kësaj metode, ndërsa duke u ndërlidhur me veprimtarinë që po bëhet në Kosovë për themelimin e Gjykatës Komerciale, të njëjtën ai e cilësoi si shumë të rëndësishme për veprimtarinë dhe fushën e të bërit biznes në vend.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)